4 Nëntor, 2024 - 7:52 pm
Për 41 vite me radhë ka ruajtur me kujdesin dhe fanatizmin më të madh rrobat dhe sendet personale të shkrimtares disidente Musine Kokalari, e tashmë ato I dorëzoi pranë muzeut që pasardhësit i kanë ngritur për nder të saj.
Bibika Kokalari tregon disa prej çasteve nga takimet e pakta që mundi të kishte me intelektualen gjirokastrite, e cila u burgos dhe u internua për rreth 40 vite nga regjimi komunist, dersa ndërroi jetë e vetme në Rreshen.
Musine Kokalari nuk pranoi kurrë t’i bashkohej rradhëve të komunistëve, madje në gjyqin famëkeq kundër saj ajo mohoi kategorikisht të ishte mbështetëse e regjimit dhe idealeve të Enver Hoxhës, gjë e cila solli dhe kalvarin e gjatë të vuajtjeve të saj. Bibika thotë se jo pak herë i është kërkuar që sendet që mbante prej vitesh t’i dorëzonte pranë muzeut etnografik në Gjirokastër,por siç thotë ajo kjo nuk mund të ndodhte kurrë, pasi ky muze ndodhet në banesën e ish diktatorit Enver Hoxha.
Musine Kokalari kaloi 16 vjet burg dhe 22 të tjerë internim. Në 10 shkurt të vitit 2017 dosja e saj u hap e para për të hedhur dritë mbi ata që e survejuan dhe dënuan gjatë regjimit komunist./abcnews.al/ KultPlus.com