‘Wine & Stories’, mbi 5 mijë vizitorë në sheshin e Beratit

4 Nëntor, 2024 - 8:20 pm

Fundjava që kaloi mblodhi në Berat mbi 5 mijë vizitorë dhe turistë u mblodhën për tri netë në sheshin kryesor të qytetit për të festuar për verën.

“Wine & Stories of Berat” mblodhi 41 kantina, 34 nga Shqipëria e Kosova dhe 7 nga Italia, të cilat morën në fund edhe çmime për verërat më të mira.

Somelierët Darrel Joseph, Mauro Porcu dhe Paul Breus dhanë 7 çmime bronz, 53 silver dhe disa çmime gold.

Në këtë festë morën pjesë personalitete të vendit, përfaqësues të trupit diplomatik. Ky është një ndër aktivitetet më të mëdha të  kalendarit të festave, që organizohen në Berat.

Të surprizuar nga suksesi i festivalit janë edhe kantinat e qytetit.

Një prej sipërmarrësve të kantinave, tha se “festivali këtë vit shkoi përtej pritshmërive tona dhe shumë më mirë se viti i kaluar. Pjesëmarrja e njerëzve ka qenë masive nga Shqipëria dhe nga bota”.

“Mendoj që vendndodhja këtë vit, në sheshin e ri, kryesor të qytetit, krijoi hapësirë më të madhe dhe sigurisht pati më shumë pjesëmarrës. Verëdashësit kanë konsumuar më shumë se 3 ose 4 gota vere, duke provuar nga të gjitha llojet e verërave që ne kemi. Ata preferuan më shumë varietetet autoktone të zonës së Beratit. Ajo që na pëlqeu ishte fakti që klientët, sidomos turistët e huaj kërkonin informacion gjatë panairit për verën që pinin”, tha ai.

Këngëtarët Alban Skënderaj, Ronela Hajati, McKresha, Lyrical Son, Eugent Bushpepa performuan në tri netët e festës në sheshin kryesor të qytetit, tek bulevardi “Republika”.

Pjesë e festës ishte edhe turi i degustimit, vizitës në vreshta, shtypjes së rrushit, muzikës tradicionale, ushqimit fantastik dhe pamjeve perfekte./abc news/ KultPlus.com

Të ngjajshme