6 Nëntor, 2024 - 1:57 pm
Vjollca Duraku
Pak ditë pas një debutimi të suksesshëm në skenën e Teatrit të Operës së Vjenës, sopranoja Elbenita Kajtazi rikthehet te rrënjët e saj për të interpretuar në skenën e improvizuar vendore, në koncertin e dyfishtë hapës të Festivalit ReMusica, nën shoqërimin e pianistes Elda Laro. Përderisa pjesë e hapjes së edicionit të XXlll-të të ReMusica ishte edhe kori më i njohur në vend, Siparantum, i cili po ashtu pak ditë më parë nën drejtimin e Memli Kelmendit i siguroi shtetit të Kosovës dy çmime në Spanjë, shkruan KultPlus.
Në mesin e figurave të njohura të artit, kulturës, medias e politikës, koncerti filloi rreth orës 19:10, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, së cilës sallë për ta shëndrruar në një ambient më të bukur, e estetik i ishin m’veshur perde të zeza rreth e përqark. Kombinimi me dritat e projektorëve dhe shkronjat ndriçuese të ReMusica-s jepnin një pamje solide. Mbrëmja u hap nga organizatorët Donika Rudi dhe Viktor Berisha, të cilët përveq fjalimit përshëndetës, njoftuan audiencën për rrjedhën e festivalit, i cili do të mbahet përgjatë katër netëve me double koncerte.
Pas pak në skenë u paraqit sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi dhe pianistja Elda Laro me kontrabastin Fraim Gashi, për të filluar performancën me veprën e Ardian Gegës “Trembem”. Për shkak të tensionit që e ndiente artistja këtë performancë e dha ulur, si shkak i shtatëzanisë së saj. Nuri shëndrritës dominonte përkundër fustanit dhe flokut të saj të zi, duke u përshtatur shumë me pamjen pianistes flokë-artë. Një koncert me një artiste që performon në skena të njohura në botë nuk kishte se si të fillonte më bukur pos me tinguj e fjalë të gjuhës sonë të lashtë shqipe.
Tinguj shpërthyes që nxirrnin në pah vokalin e kristaltë të sopranos Kajtazi u dhanë në veprën e Claude Debussy “Apparition Suite bergamasque, L.75: III. Clair de lune”. Të gjithë sy e vesh ndiqnin performancën e artistes që po e bën krenarë një popull të tërë. Duartrokitjet nuk mungonin në fund të secilës pjesë: Franz Liszt- “Die Lorelei S.273”, Erich Wolfgang Korngold- “Mariettas Lied opera Die tote Stadt” & “Vier fröhliche Walzer, II. Margit”, Charles Gounod- “Amour, ranime mon courage” Roméo et Juliette”, Giacomo Puccini- “Senza mamma” – Suor Angelica, dhe Sergei Rachmaninov- “Elegie op.3 nr.1”.
Kurse vepra “Tatiana’s letter” – Eugene Onegin e Peter Ilich Tschaikovsky e fundit me radhë ishte ajka e mbrëmjes. E mishëruar në rolin e Tatianës, Kajtazi shpërfaqte historinë tragjike të një dashurie të pamundur. Ishte mimika dhe lëvizjet e saj që tregonin historinë e ngjarjes, përderisa zëri i saj aq sa i bukur, po aq zgjonte trishtim të thellë në zemrat e publikut duke e ndierë dhimbjen e personazhit të veprës.
Pas një pauze disa minutëshe, skenës me një energji të lartë nga fundi i sallës iu bashkua Kori më me nam në vend, Siparantum. Pjesa e dytë e koncertit filloi me vepre e Jeffery Ames- “Tshotsholoza Traditional South African”, tinguj ritmik që të ftonin në vallëzim. Secili pesëtar i korit përmes energjisë së vet luante rol në plotësimin e mozaikut SIPARANTUM.
Interpretimi i tyre që herë ishte plotë energji e zjarr, herë në tinguj të brishtë, herë në përshpërima të mistershme, e herë neutralë, kombinuar me përplasjet e fuqishme të këmbëve dhe duarve, në çdo moment dëshmonte nivelin e lartë artistik, me të cilin Kosovës arrijnë t’i sigurojnë çmime e medalje në çdo prezantim nëpër botë.
Pikat interpretuese të cilat u dhanë nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi ishin: Vepra e Michael McGlynn- “Media Vita” (Leon Shehu, vocal, Fidan Strumcaku, shaman drum), Jan Van der Roost- “Amor io fallo”, Katerina Gimon- “Fire” (Fidan Strumcaku, shaman drum), Josephine Poelinitz- “City called heaven, traditional spiritual” (Erijon Palucaj, solo, Denita Dedushaj, piano), Jake Runestad- “Nyon, Nyon” dhe Samo Vovk- “Ta na solbici”.
Kurse vepra e kompozitorit Baki Jashari “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndër” (Aurora Hyseni, recitatore) e cila u dha krejt në fund të koncertit përbën pothuajse një himn të Korit, e cila me një peshë të madhe artistike trajton fatin tragjik të popullit shqiptar, që ndër mileniume është persekutuar nga armiq shekullorë.
Kështu, emra shqiptar të njohur në botë, në natën hapëse të ReMusica sollën përvojën dhe shpirtin e tyre në vendin prej nga e filluan rrugëtimin artistik ndonëse në kushte aspak të përshtatshme.
Në një prononcim për media organizatori i Festivalit, Viktor Berisha ka thënë se ndihej i lumtur që nata ahpëse e festivalit filloi mbarë.
“Nata e sotme ishte me shumë sfida, por më duket që treguesi më i mirë ka qenë reagimi i publikut në të dy koncertet. Për ne më mbarë nuk ka mundur të niset pjesa e konceteve të mbrëmjes. Pas një dite me shumë aktivitete kjo ka qenë një përfundim që na fle edhe neve si një nismë e mbarë”, ka thënë Berisha duke i treguar ngjarjet pasuese të ReMusica-s.
“Është dinamikë e njejtë. Edhe tri ditë tjera plotë aktivitete, prej mëngjesit deri në mbrëmje si për fëmijë me tryeza të diskutimeve, ashtu edhe me koncerte të parambrëmjes dhe me koncertet qëndrore. Nesër tërë ditën jemi në Prizren, ku kemi një duo nga Spanja që do të sjellin një repertor të muzikës mesjetare me ansamblin vokal të ReMuzica-s. Është viti i dytë që kjo nismë e jona është duke u jetësuar për publikun Prizrenas, kështu që jemi shumë të lumtur”, ka thënë organizatori Berisha.
Kurse, dirigjenti i Korit Siparantum Memli Kelmendi i cili sapo është kthyer me dy çmime nga Spanja mbrëmjen e ka cilësuar të jashtëzakonshme, përkundër kushteve aspak të përshtatshme.
“Emocioni brenda vendit është krejt ndryshe prej të gjitha atyre koncerteve që ne i mbajmë jashtë vendit. Natyrisht skenat në të cilat ne perforojmë janë krejtësisht ndryshe nga këtu. Do të kisha dashur që edhe Prishtina të ketë një sallë adekuate, sepse vërtetë sonte ka qenë një sfidë e madhe të punoj me një akustikë të tillë. Ka kohë që nuk kam koncertuar në Prishtinë dhe uroj që në skena të tilla të mos realizojmë koncerte sepse kjo është diçka që ndikon drejtpërdrejtë te atmosfera dhe energjia brenda vokalit. Gjithsesi ne kemi arritur që të mbajmë energjinë dhe pulsin”, ka thënë dirigjenti Kelmendi duke uruar që koncertin e radhës ta mbajnë në një sallë adekuate.
Tutje, dirigjenti Kelmendi tha se ndihej jashtëzakonisht i lumtur që në koncertin hapës u paraqit me shoqen e tij të klasës, Elbenita Kajtazi, e cilas sipas tij është inspirim për të gjithë.
“Ishte një mbrëmje jashtëzakonisht e bukur. Aq më bukur kur sonte në pjesën e parë ishte kolegia, shoqja ime e klasës, Elbenita, një vokaliste fantastike, e cila të gjithëve na bën krenarë për sukseset dhe rrugëtimin e saj. Konsideroj, dhe është inspirim për të gjithë ne”, ka thënë Kelmendi.
Kurse kompozitori Baki Jashari bashkëdyjëzimin e dy koncerteve në një e ka cilësuar si gjetje interesante.
“Koncerti i sotëm i dyfishtë ishte një mbrëmje maft inetereant edhe pse ishin dy botë të ndryshme. Në njërën anë kishim solisten tonë të mrekullueshme, me zërin e saj të jashtëzakonshëm, me karrierën e saj të jashtëzakonshme botërore që ishte në rolin e solistes. Në anën tjetër kishim korin Siparantum si një ansambël i të rinjve shumë të suksesshëm me dirigjent Memli Kelmendin. Ndërlidhja e këtyre dy pjesëve të koncertit ishte vokali. I uroj për këtë mbrëmje të mrekullueshme, shumë interesante me gjithë këtë paletë të veprave dhe stileve të ndryshme”, ka thënë kompozitori Baki Jashari duke potencuar që ndihej i lumtur që vepra e tij “Pakëz ëndërr pakës Zgjëndërr” po paraqitet dhe po depërton edhe jashtë vendit.
“Kori Siparantum u paraqit edhe me veprën time “Pakëz në Ëndërr pakës në zhgjëndërr” që është shkruar qysh në vitin 1986. Unë e pata marrë si bazë tekstin e autorit tonë të mirënjohur Din Mehmeti, e cila është një poezi jashtëzakonisht e fuqishme edhe pa muzikë. Ajo ishte aq e fuqishme dhe dramatike në thelbin e saj ku përshkruan vuajtjet e popullit tonë dhe aspiratat tona për liri, ku përmenden në mënyrë poetike, se si popull kemi qenë të shtypur, të ndjekur, të rrahurr. Dirigjenti Memli ka kërkuar që kjo vepër të shkurtohet dhe të përshtatet për skena jashtë Kosovës, dhe në shumë gara ku Kori Siparantum prezantohet kjo vepër është në program mes tjerash. Dhe, më vjen mirë që pothuajse në çdo prezantim të tyre Siparantum po fitojnë medalje. Ky është një plus i madh edhe për korin por edhe që vepra po depërton jashtë”, ka thënë dirigjenti Jashari.
Ndëraq, pianistja e njohur Lejla Pula, e cila ishte pjesë e publikut i ka përgëzuar kolegët për fillimin e suksesshëm, e të mbarë të festivalit ReMuzica.
“Më ka ardhur jashtëzakonisht mirë që përsëri kam pasur rastin ta dëgjoj Elbenitën, e cila me të vërtetë është një soprano në ngritje e sipër të karrierës së saj. Interpretimi i saj ishte jashtëzakonisht emocional dhe me aftësi të jashtëzakonshme zanore. Ka krijuar një ambient artistik të jashtëzakonshëm, nën përcjelljen e Elda Laros e cila ishte një artiste dhe profesioniste tejet e shkëlqyer. Vërtetë jemi kënaqur me muzikimin e tyre dhe ju dëshiroj shumë suksese”.
Më tej, pianistja Lejla Pula ka uruar që në të ardhmen festivali i saj dhe i kolegëve të tjerë të mbahen në një vend me kushte kualitative.
“Paraqitja e tyre skenike dhe artistike e Korit Siparantum është aq komplete, aq interesante, me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Unë i përgëzoj për paraqitjet dhe çmimet e fundit nëpër botë. Vërtetë ishte një kënaqësi e madhe që të jem sonte këtu. Unë ju dëshiroj të gjithëve suksese të mëtejme, dhe gjithashtu kam dëshirë që festivalet tona të kenë shtëpinë koncertale, ku në të ardhmen të mbahen këto koncerte kaq kualitative” ka thënë ajo.
Ndërsa, pjesëtari i Korit Siparantum, Shaban Behramaj, ka thënë se është ndier i lumtur me pjesëmarrjen e madhe të publikut, para të cilit kanë përgjegjësi artistike të paraqitjes sikurse në garat e ndryshme gjithandej nëpër botë.
“Ishte një ndjenjë shumë shumë e veçantë sepse Festivali ReMusica këtë vit ka pasur “double koncerte”, ku ne sot ndamë skenën dhe mbrëmjen bashkë me sopranon tonë tashmë me famë botërore Elbenita Kajtazi. Për ne ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme për të interpretuar në natën hapëse të festivalit Remusica për këtë edicion, para publikut kosovar që ishte në numër shumë të madh, gjë e cila në bëri të ndihemi shumë mirë. Ne sapo u thyem nga Barcelona ku fituam dy çmime në garat botërore, për ne përgjegjësia është shumë e madhe që edhe para publikut tonë të sjellim repertorin e njejtë, por edhe atmosferën dhe energjinë e njejtë me të cilën ne garojmë në të gjitha këto gara”, ka përfunduar Behramaj.
TOGETHERNESS (SË BASHKU) – është motoja e sivjetme e edicionit të XXlll-të të ReMusica në të cilin përveç tjerësh deri më 8 nëntor do të interpretojnë edhe Petrit Çeku, ReVocal Ensemble, Trio Elogio, Margherita Berlanda, Flaka Goranci etj. / KultPlus.com