6 Nëntor, 2024 - 11:31 pm
Më 9 nëntor, nga ora 14:00, mbahet “Radhitje në plumb, germë për germë”një instalacion zanor që zgjeron historinë e gazetës dhe institucionit të Rilindjes duke sjellë në pah zërat e individëve që e ndërtuan dhe njëkohësisht u formuan përmes këtij institucioni si intelektualë dhe aktivistë.
Përmes rrëfimeve të gazetarëve, shkrimtarëve, teknikëve dhe personelit logjistik që punuan në Rilindje në periudha të ndryshme, ky projekt i drejtuar nga Elisa Maxhuni dhe Tringa Sefedini ofron një perspektivë të re mbi kujtesën e përbashkët dhe identitetin kolektiv të një epoke kyçe për Kosovën.
Elisa Maxhuni është arkitekte me një interes të veçantë për ndërthurjen e tingullit me arkitekturën në hapësirat publike urbane. Puna e saj synon të krijojë përvoja kulturore përmes tingujve që zbulojnë dimensione të reja të hapësirave publike. Elisa fokusohet në dizajnimin e hapësirave që ndërveprojnë me audiencën përmes elementeve zanore, duke ofruar mënyra të reja për t’u lidhur me mjedisin.
Tringa Sefedini ka studiuar antropologji kulturore, me fokus në antropologjinë vizuale, kërkimin arkivor, historinë gojore dhe kujtesën kolektive. Ajo integron këto disiplina për të kryer punë kërkimore, duke eksploruar si ndryshimet politike e sociale pasqyrohen në kujtesë dhe sjellin nuanca të reja kulturore në shoqëritë bashkëkohore.