‘Gratë e Trojës’, shfaqja e antikitetit që trajton fatin tragjik të gruas edhe në luftërat ‘moderne’

7 Nëntor, 2024 - 11:56 pm

Shfaqja “Gratë e Trojës” e Euripidit me regji të Zana Hoxhës dhe Maja Mitic është dhënë mbrëmë në teatrin “Dodona”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje teatrale e cila ka ardhur si rezultat bashkëpunimit të Artpolis-Qendrës për Art dhe Komunitet nga Prishtina dhe DAH Teatrit nga Beogradi është e bazuar në veprën e Euripidit, duke e rikthyer historinë e pasluftës së grave të Trojës në një tematikë e cila është aktuale edhe sot në ‘luftrat moderne’.

Ndonëse historia përfundimin e luftës e ka njohur kur ka mbaruar sulmi fizik ndaj grupeve apo popujve të caktuar, mirëpo trajtimi i kësaj shfaqjeje tregon që një luftë edhe më e tmerrshme dhe e gjallë fillon pikërisht atëherë kur mendohet se përfundon lufta. Gratë dhe fëmijët e palës humbëse janë ata të cilët i vuajnë vërtetë pasojat e një lufte.

Pas rënies së qytetit të Trojës, fituesit e luftës e sundimtarët i kishin përzgjedhur për t’i marrë si robinja edhe gratë dikur mbretëresha e princesha të kundërshtarëve të tyre tashmë të vrarë. Kasandra, bija e virgjër e mbretëreshës Hekuba ishte njëra prej tyre, historia e së cilës në shfaqje ndërlidhet me 20 mijë gratë e dhunuara të Kosovës në luftën e fundit, si një cikël i pafund që vijon të përshkojë edhe sot luftën në Gaza dhe anemban globit.

Në shfaqje trajtohet edhe historia e gruas së Hektorit, Andromakës e cila kushtëzohet ta hedh nga kulla foshnjën e saj, në mënyrë që mos t’i vritet mizorisht dhe që më pas të mbretërojë dinjitetshëm përkrah vrasësit të burrit të saj. Një rast i mizorisë ndaj fëmijëve në ditët e sotme është edhe ai i luftës së Izraelit ndaj Hamasit, ku fëmijët janë hedhur në një vrimë dhe janë traumatizuar nga rrotullimet me makineri, të cilët më pas janë urdhëruar të kapen nga një grua dhe të ikin. Gratë janë detyruar të kapin fëmijë të huaj me shpresën që diku të mund t’i shkëmbenin, pa e ditur nëse dikush ka arritur ta kapë fëmiun e saj.

Pra, gratë ashtu si në kohët antike edhe sot vazhdojnë t’i vuajnë pasojat e luftës duke humbur familjen, shtëpitë, atdheun, dinjitetin duke mbajtur mbi supe tragjeditë më shumë se çdo kush tjetër.

Teksti bashkëkohor i shfaqjes është shkruar nga Shpëtim Selmani, dhe është inskenuar në gjuhën shqipe dhe serbe nga kasti i aktorëve: Shpëtim Selmani, Maja Mitić, Qendresa Kajtazi, Branka Stojkoviq, Semira Latifi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski.

Pas shfaqjes në një prononcim për KultPlus, regjisorja Zana Hoxha ka thënë se përmes kësaj teme ka dashur të përçoj një mesazh kontemporan mbi atë se çka ndodh edhe sot në botë.

“Gratë e Trojës është një histori e shkruar para mijëra vitesh, unë e kam kthyer sot me atë çka po ndodh në botë. Nuk kam dashur ta mohoj atë çka ka ndodhur në botë, e kom ndërlidhur me Gazën me historinë e grave të dhunuara në Kosovë, me luftën që ka qenë përpara mes Algjerisë dhe Francës. Kam dashur ta jap një mesazh kontemporan se çka po ndodh sot në botë, që mos me lënë këtë dhembje të mbetet vetëm një histori e kaluar”, ka thënë regjisorja Hoxha duke potencuar se ka qenë sfidues bashkëdyjëzimi i dy gjuhëve në shfaqje.

“Kemi ende gra dhe fëmijë të cilët i vuajnë më së shumti pasojat e luftës, po shihet çka po ndodh tash në botë. Për mua është e rëndësishme si aktiviste edhe si artiste që ta prezantoj këtë përmes këtyre dy ekipeve, përmes një teksti që është inskenuar shqip-serbisht mes raporteve shumë normale në mes të aktorëve. Natyrisht, me titra në gjuhën angleze për njerëzit që nuk e kuptojnë njërën gjuhë ose tjetrën dhe thjesht me prezantu qysh po ndodh një komunikim dhe bashkëpunim i tillë, dhe një shfaqje e cila besoj që e bartë një mesazh të rëndësishëm”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa, regjisori Fadil Hysaj shfaqjen “Gratë e Trojës” e ka cilësuar si projekt kreativ me një mesazh të fuqishëm.

“Është një temë e madhe, e trajtuar shpesh në skenë. Ka koncept shumë origjinal me një mesazh të fuqishëm se pasojat e luftës gjithmonë nuk njohin kombe, as fitues, as humbës. Gjithmonë ekzistojnë të dyja anët. Koncepti regjisorial dhe dramaturgjik i Zana Hoxhës dhe Shpëtim Selmanit është vërtetë shumë kreativ dhe jep një mesazh të fuqishëm që te popujt vjen një periudhë kur luftërat përfundojnë dhe dhembja ngelet si plagë e hapur. Për një kohë të gjatë ngelë si kujtesë e dhimbshme. Ngel edhe si lëndë inspirative për krijuesit. Dihet që pikërisht dramat më të mëdha në Greqinë antike kanë lindur, nga dramaturgët kolosë grek Eskili, Sofokliu e Euripidi që pikërisht janë marrë me luftën e Trojës”, ka thënë regjisori Hysaj.

Regjisori Hysaj më tej ka uruar që shfaqje të tilla me kauzë të ketë edhe në të ardhmen.

“Ne do të dëshironim që e njëjta të ndodh edhe te ne në këtë kohë që pjesa e artistëve, shkrimtarëve, ajo ndërgjegjja e vërtetë njerëzore, humane të mbijë te artistët. Ata duhet me qenë të parët, që e ngrisin zërin kundër të keqes kundër viktimës së pafajshme që kryesisht secila luftë i sjellë si një rezultantë shumë të madhe tragjike, që tronditë çdo mendje normale të njeriut”, ka përfunduar regjisori Hysaj.

Shfaqja “Gratë e Trojës” do të jepet në Beograd me datën 22 dhe 23 nëntor./ KultPlus.com

Të ngjajshme