8 Nëntor, 2024 - 11:59 am
Sot nis Kolonia e Artit “Muaji i Pikturës”, një ngjarje që mbledh 40 artistë nga të gjitha trevat shqiptare në qytetin e Vushtrrisë, qytetin e Hasan Prishtinës. Në këtë muaj të veçantë, kjo koloni artistike sjell kreativitet dhe emocion përmes fuqisë së ngjyrave dhe artit, përcjell KultPlus.
Për tri ditë rresht, artistët do të krijojnë vepra të frymëzuara nga arkitektura e lashtë, rrugicat historike dhe atmosfera unike e Vushtrrisë. Çdo brushë e tyre do të pasqyrojë bukurinë dhe historinë e qytetit, duke sjellë mesazhe të fuqishme përmes artit.
Kjo koloni, që tashmë ka arritur edicionin e saj të 6-të, është bërë një pikë referimi për artin shqiptar dhe një urë që lidh artistët nga të gjitha trevat.
Hapja solemne e ekspozitës do të mbahet të dielën, në orën 17:00, në Galerinë e Shtëpisë së Kulturës./ KultPlus.com