“Formula e Pagëzimit”, dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip

8 Nëntor, 2024 - 4:15 pm

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot Formulën e Pagëzimit. Dorëshkrimi latinisht me “Formulën e Pagëzimit” u gjet në bibliotekën “Laurenziana” të Firences nga historiani rumun Nikolla Jorga dhe u botua prej tij me 1915. Njihet si dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip, që njohim deri sot.

Ajo është një fjali e shkurtër shqip: “Unte’paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”. Kjo fjali u gjet në mes të një shkrimi latinisht, një letër qarkore e kryepeshkopit të Durrësit, Pal Ëngjëllit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Skënderbeut. Është një formulë që duhet të përdornin familjet për të pagëzuar fëmijët e tyre të porsalindur, kur nuk mund t’i çonin në kishë.

Formula është shkruar në dialektin e Veriut dhe me alfabet latin, i afërt me atë që ka përdorur Buzuku në veprën e tij.

Me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në vitin 2008, Muzeu Historik Kombëtar botoi librin me titull “Formula e Pagëzimit”. Në këtë libër u përfshinë kumtesat kushtuar dokumentit të parë të shkruar në gjuhën shqipe./ KultPlus.com

Të ngjajshme