8 Nëntor, 2024 - 5:20 pm
Në Manastirin e Zvërnecit në Vlorë po ecin me ritme punimet për parkimin e ri.
Ky projekt i realizuar nga bashkia Vlorë me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka hyrë në fazën finale.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga puna që po kryhet për këtë parkim, i cili sipas saj “siguron 120 vende parkimi për automjete dhe hapësira të dedikuara për autobusët, për t’i kthyer kështu dinjitetin një zone shumë të frekuentuar nga turistët”.
“Bashkë me gjelbërimin dhe pemët selvi, ndriçimin modern dhe hapësirat e pushimit, parkimi është një investim i domosdoshëm, që do të lehtësojë qarkullimin dhe do të ofrojë më shumë rehati për të gjithë vizitorët e trashëgimisë kulturore dhe bukurive natyrore të Manastirit të Zvërnecit”, tha Kumbaro.
Manastiri i Zvërnecit daton në shek. XIV. Ai rrethohet nga ujëra të kristaltë, mbart një histori të thellë dhe është një destinacion i rëndësishëm për pelegrinët dhe vizitorët që kërkojnë qetësi dhe lidhje me natyrën dhe besimin./atsh/KultPlus.com