8 Nëntor, 2024 - 6:30 pm
Këmbanat e Katedrales Notre-Dame në Paris, kanë rënë sot për herë të parë, prej kur kjo katedrale ishte shkatërruar nga zjarri në vitin 2019.
Ky monument do të hapet për vizitorët me datë 8 dhjetor.
“Tingulli i tetë këmbanave në kambanoren veriore të Notre-Dame erdhi një muaj përpara se katedralja të rihapet pas pesë viteve të punës së mundimshme restauruese pas flakëve”, thuhet në njoftim.
“Ky është një hap i bukur, i rëndësishëm dhe simbolik,” tha Philippe Jost, i cili drejton organin publik të ngarkuar me restaurimin e katedrales në rrethana sfiduese.
Me datë 19 prill 2019, flakët kishin shkatërruar monumentin e trashëgimisë botërore.
Presidenti Emmanuel Macron vendosi shpejt objektivin ambicioz për të rindërtuar Notre-Dame brenda pesë viteve dhe për ta bërë atë “madje më të bukur” se më parë.
Rreth 250 kompani dhe qindra ekspertë u mobilizuan për një restaurim që kushton qindra milionë euro.
Pak para orës 10:30 të së premtes, këmbanat ranë një nga një derisa të tetë tingëllonin në harmoni për rreth pesë minuta.
“Nuk është ende perfekte, por ne do ta bëjmë të përsosur”, tha Alexandre Gougeon, i cili është përgjegjës për riinstalimin e këmbanave./rfi/KultPlus.com