9 Nëntor, 2024 - 12:30 pm
Shkruan: Jusuf Buxhovi
Rënia e Murit të Berlinit më 09.11.1989, krahas bashkimit gjerman, njëherësh i hapi rrugë disa zhvillimeve historike ndër më të rëndësishmet e shekullit të kaluar: rënies së polaritetit bllokist, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e me këtë edhe të rrënimit të sistemit komunist.
Kjo ngjarje, po ashtu, ndikoi proceset e filluara të shpërbërjes së Jugosllavisë, me ç’rast Kosova u shkëput nga sundimi i Beogradit për të përfunduar si shtet i pavarur.
Natyrisht se në këto zhvillime, rënia e Murit të Berlinit, nxiti shqiptarët e Kosovës dhe të ish Jugosllavisë, që të krijonin parti politike dhe të merrnin përgjegjësinë në rrethanat e shfaqjes së krizës së Jugosllavisë nga hegjemonizmi i politikës së Beogradit nën drejtimin e Millosheviqit.
Kjo u pasqyrua me angazhimin e shpejtë dhe të gjithanshëm të elitës intelektuale të Kosovës, nën drejtimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës për ta themeluar “Lidhjen Demokratike të Kosovës”, të parën parti politike me frymë perëndimore, që me mbi 700 mijë anëtarë nga radhët e të gjitha rrymave shoqërore shqiptare, shpejt u kthye në një lëvizje kombëtare, që mori përsipër këto procese historike:
-rrënimin e strukturës së Lidhjes Komuniste si dhe
-shkëputjen nga Serbia (me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kuvendin e Kaçanikut me 7 shtator 1990.)
Në këtë rrugë, intelektualët e Kosovës, duke u rreshtuar në anën e drejtë historike, patën ndihmën e drejtpërdrejtë të SHB-ave dhe të Gjermanisë si dhe mbështetjen e tyre të plotë./ KultPlus.com