Mbahet punëtoria “Procesi për shpallje në mbrojtje të përhershme dhe përcaktimi i zonës së mbrojtur të aseteve të trashëgimisë kulturore”

23 Maj, 2018 - 2:30 pm

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ( KKTK) më dje organizoi punëtorinë “Procesi për shpallje në mbrojtje të përhershme dhe përcaktimi i zonës së mbrojtur të aseteve të trashëgimisë kulturore”. Qëllimi i organizimit të kësaj punëtorie ishte prezantimi i aplikacionit për shpallje të trashëgimisë kulturore materiale në mbrojtje të përhershme së bashku me udhëzuesin. Në punëtori u diskutua edhe për përcaktimin e zonës së mbrojtur të aseteve të trashëgimisë kulturore.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencia Kadastral e Kosovës, drejtor dhe zyrtarë nga Qendrat Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, Muzeu i Kosovës, Instituti Arkeologjik etj.

Shafi Gashi kryetar i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, bëri hapjen e punëtorisë, fillimisht duke i falënderuar pjesëmarrësit për prezencën e tyre në këtë punëtori, duke vlerësuar së procesi i shpalljes së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme dhe përcaktimi i zonave të mbrojtura është mjaftë i rëndësishëm në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Kjo punëtori është në kuadër të mandatit dhe në vazhdën e punës së KKTK për shpalljen e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershëm.

Isuf Koci udhëheqës ekzekutiv i KKTK, bëri prezantimin e aplikacionit së bashku më udhëzuesin për plotësim. Për të pranishmit në punëtori, z. Koci ndau praktikat për format e aplikacioneve në rajon dhe me gjerë.

Përvojat me procesin e shpalljes në mbrojtje të përhershme dhe përcaktimin e zonës së mbrojtur të aseteve të trashëgimisë kulturore ndan panelistë vendor dhe nga rajoni. Historiani i artit Fejaz Drançolli si dhe arkeologet nga Shqipëria Ols Lafe dhe Elio Hobdari.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Agjencia Kadastral e Kosovës, shprehen gatishmërinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të gjitha çështjet që ndërlidhen me fushën e trashëgimisë kulturore.
Kjo punëtori ofroi mundësinë pjesëmarrësve që të japin imputet e tyre profesionale dhe të kontribojnë që procesi i shpalljes në mbrojtje të përhershme dhe përcaktimi i zonës së mbrojtur të jetë profesional dhe transparent.

Në mbyllje të kësaj punëtorie të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan që brenda një afati të shkurtër të japin vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet lidhur më aplikacioni dhe udhëzuesin e prezantuar nga KKTK./ KultPlus.com

Të ngjajshme