Reportazhi i televizionit gjerman “ARD1”: Riviera shqiptare – atje dua të shkoj!

11 Nëntor, 2024 - 2:59 pm

Televizioni gjerman ARD1 i ka kushtuar një reportazh prej 30 minutash rivierës shqiptare duke përshkruar bukuritë e bregdetit tonë.

Me titullin “Riviera shqiptare-atje ku dua të shkoj”, televizioni i njohur gjerman ka udhëtuar në jug të vendit duke i njohur të gjithë me bukuritë turistike të Shqipërisë.

“Jugu i Shqipërisë ofron një përvojë pushimesh verore që shumë nuk do ta imagjinonin kurrë në Evropë”, theksohet ndër të tjera nga ARD1

“Ujë i kaltër, fshatra bregdetare piktoreske dhe mikpritje e ngrohtë – një parajsë mesdhetare, shumë më afër nga sa mendoni. Reportazhi “Da will ich hin!” (Atje dua të shkoj!) i televizionit ARD na merr me vete në një udhëtim në bregdetin jugor të Shqipërisë”, shkruan në një postim në rrjetet sociale Ambasada Gjermane në Tiranë e cila ka publikuar edhe reportazhin e ARD1.

Simin Sadeghi e nis aventurën e saj shqiptare me ishujt e Ksamilit, në skajin më jugor të vendit, ku Greqia duket në horizont. Lirinë me tërë kuptimin e fjalës ajo e përjeton në rrugën bregdetare SH8, ku ka gjithmonë detin në të djathtë dhe malet në të majtë.

Ajo zbulon qytetin e Gjirokastrës me rrugët e bukura dhe kështjellën e saj historike dhe gjithashtu informohet plotësisht për të kaluarën e errët të Shqipërisë.

Një peshkatar midhjesh e merr atë në një varkë në liqenin e Butrintit dhe në një kopësht ajo njihet me gjërat më të mira të kuzhinës shqiptare.

Me një vendas ajo zbulon fshatin piktoresk të Qeparoit dhe shijon ujin e pastër në plazhin e Borshit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme