‘Tirana My Rhythm’, një bashkëpunim i Teatrit Eksperimental dhe Albania Dance Meeting

11 Nëntor, 2024 - 7:00 pm

Më 24 nëntor, skena e Teatro Cantiere Florida në Firence do të presë shfaqjen “Tirana My Rhythm”, një vepër e veçantë koreografike e krijuar nga Giulio De Leo, me bashkëpunimin e Teatrit Kombëtar Eksperimental të Tiranës dhe Albania Dance Meeting. Ky projekt sjell një eksperiencë novatore, ku gjuha e kërcimit bashkohet me elementë të fotografisë dhe videografisë, duke krijuar një spektakël bashkëkohor dhe jokonvencional.

Teatro Cantiere Florida, i rihapur në vitin 2002 pas një restaurimi të madh, është sot një nga qendrat krijuese më dinamike të Italisë, që ofron një program të pasur artistik me prozë, vallëzim dhe teatër për fëmijë. Kjo hapësirë unike, e vendosur në Oltrarno të Firences, bashkëpunon me organizata të njohura italiane dhe ndërkombëtare, duke sjellë më të mirën e dramaturgjisë së re dhe kërcimit bashkëkohor për publikun.

“Tirana My Rhythm” lindi nga ftesa e drejtorit të Teatrit Kombëtar Eksperimental të Tiranës, Gjergj Prevazi, për koreografin italian Giulio De Leo për të punuar me talentet e rinj shqiptarë. Shfaqja përfshin një interpretim të elementëve të traditës popullore shqiptare në një format bashkëkohor, ku motivet e njohura përzihen në një strukturë ciklike dhe rituale. Trupi bëhet një peizazh i gjallë që sjell një takim mes kulturave të ndryshme, duke krijuar një përvojë poetike e cila thekson fuqinë e artit si një urë lidhëse ndërkulturore.

Të ngjajshme