12 Nëntor, 2024 - 10:02 am
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përmes një postimi në rrjetet sociale renditi një pjesë të punëve të shumta që po kryhen mbi monumente të trashëgimisë kulturore të cilat kanë nevojë për restaurim, konservim e mirëmbajtje.
Ministrja Kumbaro tha se këto janë projekte që ta bëjnë zemrën mal dhe më tutje renditi punimet në gjithë qarkun e Gjirokastrës, nga Koshtani i Memaliajt ku do të restaurohet Teqeja e Baba Muharremit, në Përmet ku ka nisur puna për restaurimin e Kishës së Shën e Premtes e deri te Ura e Zerzebilit, te Kisha e Shën Mërisë Spilesë pranë Antigonesë, te Hamami i Meçites apo në Dropull ku po ndërhyhet në Manastirin e Ungjillizimit në Vanistër.
Kumbaro i cilësoi këto monumente kulture si krenari kombëtare.
“Si gjirokastrite, por edhe si ish-ministre e Kulturës s’mund ta fsheh kënaqësinë dhe vlerësimin për punën e sotme të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të kolegëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, për stafin e përkushtuar të DRTK Gjirokastër, me të cilët kam pasur nderin të punoj për projekte që sot janë krenari kombëtare dhe sigurisht mirënjohje për kolegun Blendi Gonxhja e besimplotë për sukseset e tij”, shkroi ministrja Kumbaro./atsh/KultPlus.com