“Mrikë, jeta ime”, libri i radhës i Martin Çunit do të promovohet në KultPlus Caffe Gallery

12 Nëntor, 2024 - 1:35 pm

Të shtunën më 16 nëntor, prej orës 13:00, në ambientet e “KultPlus Caffe Gallery” do të përurohet libri i autorit Martin Çuni, me titull “Mrikë, jeta ime”!

Ky libër brenda vetes përmban letrat nga burgu i Prishtinës, i Prokupjes dhe nga ai i Nishit, kohë kur autori ishte në këto burgje, dërguar bashkëshortes Mrikës, dhe fëmijëve, Agronit e Teutës.

Nëntë vjet pa tre muaj, autori Martin Çuni, ka qenë nëpër burgje dhe vetëm tri vjetët e fundit i është lejuar lapsi e fletorja.

Këto letra dërguar bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilat jo të gjitha u kanë mbërritur në duar, i kishte fshehur në parkun e oborrit në pavijonin e lirë të burgut të Nishit, pranë një lisi, të futura në një enë plastike në dhe. Ato shkoi dhe i mori natën, tre muaj pas daljes.

Disa nga ato letra, shoqëruar më fascimilie, tashmë janë brenda kopertinave të librit “Mrikë, jeta ime”! Përmes këtyre letrave ndjehet karakteri parimor i autorit Çuni, dhe vendosmëria e Mrikës, në heshtje, për të qëndruar e fortë në pritje të burrit për të dalë nga burgu dhe për t’i mbajtur fort fëmijët dhe familjen, që është porosi e fuqishme, mes rreshtash, që institucioni i familjes është mbi gjithçka. Autori Martin Çuni, ka të botuar dhe shumë libra të tjerë të zhanreve të ndryshme./ KultPlus.com

Të ngjajshme