“Djali” me regji të Erson Zymberit premierë në Teatrin e Gjilanit: Secili shikues do të largohet i tronditur

15 Nëntor, 2024 - 5:00 pm

Era Berisha

“The Son” është një film dramë i vitit 2022 me regji nga Florian Zeller nga një skenar i shkruar nga vetë ai dhe Christopher Hampton. Filmi bazohet në shfaqjen skenike të Zeller të vitit 2018. “The Son” pati premierën botërore në Festivalin e 79-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, ndërkaq një adaptim i ri dhe i veçantë është duke u bërë gati të vihet në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit e që vjen si projekt individual i Ernest Zymberit, me mbështetjte të MKRS-së dhe organizatës Anamour. Bëhet fjalë për shfaqjen teatrore “Djali” me regji të Erson Zymberit, i cili synon që secilin shikues ta bëjë të largohet i tronditur nga kjo shfaqje, por mbushur me një reflektim për të kuptuar thellësinë e asaj se çka do të thotë të jesh njeri, shkruan KultPlus.

Në qendër të shfaqjes kemi një familje që përpiqet të ribashkohet pasi është shpërbërë. “Djali” përqendrohet tek Pjeri, jeta e të cilit me foshnjën dhe partneren e tij të re përmbyset kur ish-gruaja e tij shfaqet në derën e tij për të diskutuar djalin e tyre Nikolasin, i cili tani është adoleshent. I riu ka muaj që mungon në shkollë dhe është shumë i shqetësuar. Pjeri përpiqet të kujdeset për Nikolasin ashtu siç do të donte që babai i tij të ishte kujdesur për të. Megjithatë, punët nuk i ecin mbarë.

“Djali” vjen si thirrje që shkon përtej zërit të zakonshëm të skenës, e cila kërkon të zbulojë ato dhimbje të thella që fshihen pas formave apo fasadave të heshtura të familjeve moderne. Regjisori Zymberi ka zgjedhur “Djali-n” për shkak të temës universale dhe prekëse që trajton lidhur me marrëdhëniet familjare dhe vuajtjet e brendshme që shpesh janë të padukshme për të tjerët. Kjo histori duket se e ka sfiduar si regjisor sepse e ka “ftuar” që të eksploroj ndjeshmërinë njerëzore dhe komunikimin e heshtur që, ndonëse i pashprehur, është i thellë dhe emocionalisht i ngarkuar. Pra, kjo është një histori që i përket gjithkujt dhe, në të njëjtën kohë, ndan një intimitet unik për çdo individ dhe familje.

Ajo se çka e ka ngacmuar regjisorin Zymberi për ta vënë në skenë “Djali-in”, është pikërisht tema që synon të shpaloset nëpërmjet tekstit. Shfaqja përbën një eksplorim të veçantë të delikatesës së shpirtit të një të riu që përpiqet të artikulojë dhimbjen e tij përmes një bote që nuk arrin ta dëgjojë.

“Kjo vepër më ngacmoi sepse nuk ka të bëjë thjesht me një marrëdhënie të tensionuar prind-fëmijë, por me atë përballje universale ku çdo individ gjendet mes dëshirës për t’u kuptuar dhe pamundësisë së të tjerëve për të hyrë plotësisht në botën e tij. Kjo është një histori e thellë, ku ndjenjat më të brishta dhe të ndërlikuara shprehen në çdo heshtje, në çdo shikim dhe në çdo lëvizje të ngathët mes personazheve”, ka thënë regjisori Zymberi.

Autori i filmit/shfaqjes, Zeller, ka një tendencë për të dhënë dritë mbi çështjet e shëndetit mendor dhe qasja regjisoriale e regjisorit Zymberi vihet mbi thellimin në atë humnerë të fshehtë që qëndron mes dhimbjes dhe moskuptimit, ku personazhet janë të kapur mes dëshirës për të ndihmuar dhe pafuqisë për ta bërë këtë.

“Po punojmë për të krijuar një atmosferë ku çdo detaj – qoftë ai një dritë e zbehtë, një heshtje e gjatë apo një lëvizje e përmbajtur – të përcjellë ankthin dhe trishtimin që mbush çdo cep të skenës. Synoj që kjo shfaqje të jetë një përvojë teatrale për publikun, ku ata të mund të ndihen pjesë e barrës emocionale që të gjitha këto ndjenja sjellin. Është një lloj zhanri, stili a teatri që i ngjan shfaqjes sime Gishti (që e kam punuar në 2015, në Teatrin Kombëtar të Kosovës), e që po i rikthehem prapë. M’paska marrë malli për këtë teatër”, shpalos ai.

Janë gjithsej pesë personazhe brenda shfaqjes (Pjeri, Ana, Nikolasi, Sofia, Doktori), dhe konsiderohet që çdo karakter në “Djali-n” është një univers emocional në vetvete. Pjeri (Kushtrim Qerimi) një prind që kërkon të jetë mbështetës, është një figurë që ka ndërtuar një mur për të mbrojtur veten nga dhimbja; Ana (Safete Mustafa-Baftiu), nga ana tjetër, është thellësisht empatike, por e konsumuar nga paaftësia për të “shëruar” birin e saj. Nikolas (Yzeir Meha), i mbështjellë në një botë që as vetë nuk e kupton plotësisht, është pasqyrë e të gjithë atyre që ndihen të zhytur në mjegullën e depresionit. Sofia (Tringa Hasani) përfaqëson indiferencën e botës së jashtme, dhe Doktori (Florent Salihu) është kufiri i ashpër mes ëndrrës dhe realitetit.

“Aktorët i përzgjodha me shumë kujdes, me shumicën preh tyre kam punuar disa herë, dhe i njoh shumë mirë, përveç aktorit që luan djalin (Yzeirit) të cilin e kam parë së fundmi në një shfaqje dhe i cili më ka dhënë shumë energji dhe e kam dalluar menjëherë për rolin e Djalit”, tregon Zymberi.

Kur flasim për vështirësitë me të cilat është përballur deri më tani, regjisori Zymberi thotë se ajo kryesorja ka qenë kapja e asaj balancë të brishtë mes vuajtjes dhe bukurisë së heshtjes. Pasi kjo është një vepër që kërkon një ndjeshmëri të veçantë për t’i dhënë çdo fjalë dhe çdo heshtje kuptimin e vet, po punohet intensivisht për krijimin e një ndjenje bashkëpunimi dhe kuptimi mes aktorëve, ku çdo lëvizje dhe çdo shikim është plot kuptim dhe ngarkesë emocionale. Në këtë vepër, komunikimi është aq i rëndësishëm sa edhe moskomunikimi.

Provat për “Djali-n” tashmë kanë filluar dhe po jepet shumëçka nga secili për të arritur në drejtim të premierës, që do shfaqet më 22 nëntor. Ekziston një përkushtim i madh i aktorëve, dhe sipas regjisorit Zymberi, ata janë zhytur thellë në emocionet e personazheve të tyre. Besohet që secili prej tyre ka kaluar përtej skenës, duke u bërë një me ndjesinë e rolit. Momentalisht, ata janë në një fazë ku çdo provë sjell diçka të re dhe të papritur, që kontribuon në ndërtimin e një përvoje unike për premierën.

Kompleksitetet familjare shpeshherë njihen si tabu në vendin tonë. Regjisori Zymberi synon që shfaqja të jetë një pasqyrë e ndershme e realiteteve tona të brendshme.

“Në vendin tonë, shpesh përpiqemi t’i shmangim këto tema të vështira, por në këtë shfaqje, ndjej që është koha për t’i hapur këto dyer dhe për të treguar se edhe ne jemi të brishtë, edhe ne kemi dhimbjet tona të fshehura. Kjo vepër është një thirrje për të pranuar që ndjesitë njerëzore nuk duhet të fshihen; ato janë pjesë e natyrshme e jetës”, thotë ai.

Për regjisorin Zymberi, pritet që kjo shfaqje të shpalosë tek publiku një ndjesi të thellë të lidhjes emocionale që ngrihet mbi çdo element të skenës.

“Shfaqja është krijuar në mënyrë të tillë që çdo spektator të ndiejë barrën dhe bukurinë e brishtë të ndjenjave njerëzore. Ata do të përjetojnë një përvojë ku emocioni i pashprehur, vuajtja dhe gëzimi bashkohen në një të vetme”, përfundon Zymberi.

“Djali” është projekt i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me bartës Ernest Zymberi./ KultPlus.com

Të ngjajshme