13 Nëntor, 2024 - 11:16 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) dhe familjen Kadare sjell nesër, 14 nëntor, në Bibliotekën e Kryeministrisë një ekspozitë që shpalos dorëshkrime të shkrimtarit shqiptar të përbotshëm, Ismail Kadare.
Në ekspozitën e titulluar “Dorëshkrimet e Kadaresë” do të prezantohen për publikun 44 488 faqe, me dhjetëra publikime, përfshirë edhe romane të pabotuara, poezi dhe skica, që përshkruajnë rrugëtimin krijues të autorit, prej moshës 11-vjeçare deri në muzg të jetës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të interesuarit në ambientet e COD-it.
Fondi i vyer i veprimtarisë letrare të shkrimtarit të madh Ismail Kadare ruhet në një pavijon të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Familjarët e shkrimtarit të madh dorëzuan në gusht të këtij viti për ruajtje, administrim, restaurim dhe digjitalizim të gjithë koleksionin e tij letrar përfshirë dorëshkrime, skicë idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara si dhe drafte fillestare të punimeve të tij.
Mes materialeve të dorëzuara, bëjnë pjesë dorëshkrimet e veprave: “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, “Përbindëshi” dhe “Mosmarrëveshja”. Po ashtu, janë dorëzuar edhe shtypshkrimet e veprave “Sorkadhet e trembura”, “Aksidenti”, “Ftesë në studio”, “Ëndërrimet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”. Krahas tyre, gjenden edhe blloqet me shënime të hedhura prej Kadaresë gjatë krijimtarisë, albume me foto të tij familjare, albume nga aktivitete të shumta kulturore, si edhe dekreti i shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Kadare ndërroi jetë më 1 korrik të këtij viti në moshën 88-vjeçare./atsh/KultPlus.com