15 Nëntor, 2024 - 9:00 am
Era Berisha
Mbrëmë Galeria Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur “Shtëpia e Grave”, ekspozitën vetanake dhe arkivin personal të artistes Sanja Iveković. E ndarë në dy pjesë, ku njëra është përzgjedhje e veprave të artistes e kuruar nga Hana Halilaj me ç’rast përfshihen pesëdhjetë vjet të praktikës së saj, ndërkaq tjetra pjesë shpalos një ekspozitë arkivore të bazuar në hulumtimin e arkivit të Ivekovićit, e kuruar nga Ivana Bago. Këto dy kuratore kanë bashkuar fuqitë e tyre për të prezantuar një arkiv që të rrëmben brenda një rotacioni të bukur ekspozimi, shkruan KultPlus.
Pioniere e videos, performancës dhe artit konceptual në Jugosllavi gjatë viteve 1970, artistja Iveković njihet për shqyrtimin feminist të marrëdhënieve gjinore përbrenda Jugosllavisë socialiste dhe tranzicionit post-socialist. Ajo ka diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Zagreb në vitin 1970, kur nisi t’i ekspozonte veprat e saj. Ka ekspozuar punën e saj në ekspozita të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare (Bienalen e Parisit, Bienalen e Sao Paolo, Manifesta, Documenta, Bienalen e Liverpoolit, Bienalen e Stambollit, Bienalen e Pragës dhe të tjera), dhe video-veprat dhe video instalimet e saj janë shfaqur në festivale të shumta ndërkombëtare të videove (Ljubljanë, Berlin, Gjenevë, Paris, Montreal, Los Anxhelos, Lokarno, Tokio, Hagë, Osnabrück, Bon, Dessau, etj). Kurse, mbrëmë të pranishmit kanë pasur rastin që ta njohin nga afër punën e vetë artistes, e ndoshta edhe më mirë se që e njeh ajo veten, gjë të cilën e ka potencuar edhe gjatë hapjes së ekspozitës mbrëmë në Prishtinë.
Në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës që nisi në orën 19:00, drejtorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani-Berisha e mori fjalën fillimisht për të falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe tutje shprehi kënaqësinë e saj që artistja Sanja Iveković po ekspozon në Prishtinë.
“Sonte kemi kënaqësinë ta hapim ekspozitën e artistes së njohur ndërkombëtare Sanja Iveković, kuruar nga Ivana Bago dhe Hana Halilaj. Nuk ka qenë aspak e lehtë për me e sjellë Sanjën këtu, duk e ditë agjendën e saj, mirëpo me mbështetjen e bordit të Galerisë Kombëtare dhe me insistimin e Hanës, kemi arritur me e sjellë dhe jemi shumë të lumtur që po e hapim këtë ekspozitë me të cilën do të ndaheni shumë të kënaqur”, thotë ajo.
Hana Halilaj, kuratore e ekspozitës “Shtëpia e Grave”, ka thënë se janë rreth pesëdhjetë vite karrierë të artistes Sanja që janë prezantuar brenda ekspozitës, e njëra ndër to që shpaloset për herë të parë është vepra “Shtëpia e grave” që është realizuar në një punëtori të cilën Sanja e ka bërë në vitin 2004 në Pejë.
“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur në këtë ditë të ftohtë. Kemi kënaqësinë të prezantojmë ekspozitën ‘Shtëpia e grave’ nga Sanja Iveković, e cila ndahet dhe prezanton dy qasje të ndryshme. Një pjesë e kuruar nga unë në pjesën e poshtme të Galerisë dhe pjesa tjetër në katin e sipërm vjen e kuruar nga Ivana. Ekspozita prezanton rreth pesëdhjetë vite karrierë praktike të Sanjës dhe shqyrton në mënyrë feministe, marrëdhëniet gjinore, politikat dhe pabarazitë gjinore. Qysh nga periudha jugosllave e pastaj në trazincionin post-socialist, ekspozita prezanton disa nga veprat që vijnë për herë të parë si “Shtëpia e grave” që është realizuar në një punëtori të cilën Sanja e ka bërë në vitin 2004 në Pejë, kur ka qenë edhe për herë të fundit në Kosovë. Kemi nderin që të prezantojmë veprën e saj, njëzetë vite më vonë në Galerinë Kombëtare.”
Ivana Bago, kuratore e ekspozitës “Shtëpia e Grave”, ka thënë se ekspozita vjen si një histori për artisten Sanja dhe veprën e saj, por edhe si një histori që tregon një rrëfim për të gjithë periudhën e viteve shtatëdhjetë, të ndodhura në Jugosllavi.
“Jam shumë e lumtur që jam këtu dhe dua të filloj duke falënderuar Hanën që më ftoi të bëj këtë ekspozitë këtu. Ekspozita është rezultat i bashkëpunimit tim të gjatë me Sanjën dhe hulumtimit tim mbi punën e saj, hulumtimit të arkivit të saj personal. Këtë ekspozitë e prezantuam në Zagreb vitin e kaluar, si pjesë e retrospektivës së Sanjës në Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe jam shumë e lumtur që Prishtina është lokacioni i dytë ku u prezantuam së bashku me ekspozitën e Hanës. Mendoj se është shumë gjë e bukur, sepse ekspozita ofron dy këndvështrime të ndryshme mbi veprën e Sanjës, nga dy historiane arti. Ekspozita përqendrohet në periudhën e viteve shtatëdhjetë, duke bashkuar veprat e Sanjës dhe brenda do të gjeni fotografi, gazeta, artikuj, shënime të Sanjës, libra, katalogë. Ekspozita tregon historinë e studimeve të Sanjës në Akademi, zhvillimin e saj si artiste pamore, udhëtimet e saj nëpër botë. Pra, është një histori për Sanjën dhe veprën e saj, por edhe një histori që tregon një rrëfim për të gjithë periudhën e viteve shtatëdhjetë, të ndodhura në Jugosllavi. Një gjë që e lidh Zagrebin me Prishtinën, e kam gjetur në hulumtimet e mia për periudhën e viteve shtatëdhjetë, por nuk do të them se çfarë është. Fatkeqësisht, në atë kohë nuk kishte shumë lidhje Zagrebi me Prishtinën, të paktën jo për sa i përket skenës artistike që Sanja ishte pjesë. Ka qenë një kënaqësi për të vendosur këtë ekspozitë këtu. Të gjithë punonin aq shumë dhe të gjithë ishin në humor të mirë gjatë gjithë kohës. Është vënë një energji e mirë në këtë ekspozitë.”
Sanja Iveković, artistja që hapi ekspozitën vetanake, nuk e zgjati shumë, mirëpo gjeti kohën që në gjuhën shqipe t’i lexoj dhe falënderoj gjithsecilin që ka punuar për këtë ekspozitë. Ajo e vlerësoi lartë punën e secilit prej tyre.
“Dua ta mbaj shkurt. Nuk do të flas për ekspozitën sepse do ta shihni. Ishte një përvojë jashtëzakonisht e bukur dhe shumë emocionuese për mua. Unë kam udhëtuar shumë nëpër botë dhe kam një retrospektivë të tërë, por kurrë nuk kam takuar njerëz që janë kaq entuziastë, kaq të këndshëm, kaq të dobishëm si këta në Prishtinë.”
Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit që ishin në një numër të madh me padurim po hynin brenda dalëngadalë. Sytë e tyre patën shumëçka për të parë. Fotomontazh në pllakë, printim me ngjyra kromogjene, printim dixhital të biografive të heroinave partizane që ishin pjesë e Frontit Antifashist të Grave të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, performancë/fotografi e një aksioni që zhvillohet në ditën e vizitës së presidentit Tito në Zagreb, video me ngjyrë e zë që shfaq vetë artisten teksa aplikon grimin në fytyrën e saj për të shfaqur një motiv përsëritës, skica lapsi që kritikojnë premtimet boshe politike, kallëpe gipsi të fytyrave në stenda metalike, video tjetër me ngjyrë e zë që artistja shpalos nëpërmjet një xhirimi të masazhit të fytyrës për të treguar të pathënat e standardeve të bukurisë pastaj edhe print dixhital të posterave të reklamave të modës mbi të cilat janë biografitë e disa grave që i kanë mbijetuar abuzimit në familje.
Ekspozita “Shtëpia e Grave” ballafaqon audiencën me një serë montazhe, imazhe, tekste, fotografi personale, letra, postere ekspozitash, faqe të revistave, video-dokumentime, libra të artistëve. Pra, është parë e shpalosur e gjithë jeta e Sanja Iveković, artistja e cila vjen me një qasje eksperimentale dhe shumë të larmishme, duke shpalosur kështu detaje nga arkivi personal i saj që shfaqin realitete historike dhe politike të cilat ajo i ka përjetuar.
Një nga pjesët më të bukura e të ndjeshme të ekspozitës qe nxjerrja nga arkivi i transkriptimit të një letre që ishte e shkruar nga artistja Sanja Iveković për babin e saj (Hrvoje Iveković), më 1 nëntor të vitit 1978.
“I dashur baba,
E mora letrën tënde në Toronto, por fatkeqësisht ritmi i jetës ka ndryshuar dhe është përshpejtuar aq shumë, saqë rrallëherë po gjejmë kohë për të shkruar. Tash që jemi rehatuar aq sa kemi mundur në këtë vend, nis periudha e punës për programin tonë të ekspozitave e cila është shumë kërkuese. Me shumë gjasë deri në shkurt do të na ndryshohen dhe thellohen ndjeshëm përshtypjet tona për këtë vend, por me siguri gjashtë muaj nuk do të jenë të mjaftueshëm për ta kuptuar vërtetë këtë kulturë tjetër, e cila ka (ose më saktë, thuajse nuk ka) histori tjetër. Ajo që vazhdon të jetë fakti më “i pakuptueshëm” për çdo europian është sigurisht raporti me përmasat e këtij vendi, i cili është më i madh se Europa jonë e shkretë. Idenë e hapësirës, që ne zakonisht e konceptojmë si diçka të kufizuar, thjesht nuk ekziston këtu në të njëjtin kuptim të fjalës. Një vend po aq i madh sa Europa, e me një popullsi që barazohet me atë të Jugosllavisë, është më shumë një “vend” sesa një shtet, më shumë një term gjeografik sesa kombëtar. E shijuam shumë udhëtimin tonë me autobus prej bregut lindor (Toronto) deri te bregu perëndimor, në Vancouver, që zgjati plot tri ditë e tri net. (Fatkeqësisht, nuk është mënyra më komode për të udhëtuar, por neve po na duhet të kursejmë para, andaj ishte e vetmja mundësi e mundshme). Tash që kemi qenë në V. për një javë, po arrijmë t’i dallojmë mentalitetet dhe zakonet që janë krejt të ndryshme prej “një bregu” në tjetrin. Ashtu si klima që është krejt e ndryshme, edhe V. dhe Toronto janë dy botë të ndryshme. Një krahasim që duket dhe që përshtatet në një farë mase, për shembull, është midis Zagrebit dhe Splitit. Teks T. është një qytet tipik kontinental, njerëzit janë mjaftë introvertë, qyteti është dukshëm i mbushur me kapital që ndihmon zhvillimin e biznesit, kështu që luksin e sheh kudo (edhe pse ka zona më të varfëra ku jetojnë kryesisht emigrantët), V. është një port tipik në det me të gjitha anët e mira dhe të këqija të një qytet porti. Njerëzit këtu janë më të hapur, më të shoqërueshëm dhe ritmi i jetës është shumë më i ngadalshëm. Pamjet e trishta të grave dhe burrave të dehur, indianëve të droguar dhe mjerimin e vërtetë nuk e gjen në T. Nga ana tjetër, ja nisëm vërtetë ta shijonim natyrën e bukur – megjithëse mund të themi që kemi gjithçka, këtu kjo farë “gjithçkaje” vjen në sasi të kufizuara dhe vetmia e peizazhit (qoftë kodra apo stepa) është frikshëm madhështore. Sa i përket banimit dhe mikpritjes, të rinjtë me të cilët kemi kontakte janë më shumë se të përzemërt. Kjo është ndoshta një nga të paktat vende ku një i huaj (përfshirë edhe neve) nuk ka pse dhe nuk ndihet si i huaj, sepse banorët e këtij vendi janë vetë të huaj.
Shumica dërrmuese e banorëve të V. janë vetëm emigrantë të gjeneratës së dytë. Anglishtja jonë nuk është fare më e dobët se e tyrja, kështu që na ka ndodhur disa herë që na kanë pyetur nga cila pjesë e Amerikës jemi. Sa i përket artit tonë, kemi pasur ftesa të jashtëzakonisht të përzemërta poashtu, kështu që nganjëherë pothuajse po ndihemi sikur këtu e vlerësojnë punën tonë më shumë se në vendlindje (“Nemo prohpeta…”). Përvec faktit që, sipër përllogaritjeve aktuale, do të kemi rreth 10 performanca (këtu nuk po i llogarisim ligjëratat në kolegje dhe universitete), gjë që është edhe sfidë e madhe po dhe një mundësi për në për të punuar (gjë që nuk mundemi ta bëjmë në shtëpi sepse na duhet ta fitojmë bukën e gojës), dhe që paguhet (75-100 për një ekspozitë apo ligjëratë). Në të njëjtën kohë, po kemi në dispozicion të gjithë pajisjet (video, etj.), dhe lloj-lloj pajisjesh që rrallëherë mund t’i gjejmë në ndonjë institucion në Europë. Nga ana tjetër, po shihet që mungesa e historisë (përfshirë historinë e artit) ndihet në mungesën e artit vërtet të rëndësishëm, si dhe të artistëve të mëdhenj. Në këtë fushë, mund të themi se kemi pasur dhe vazhdojmë të frekuentojmë mendje shumë më të mëdha të nivelit botëror. Me shumë gjasa, ekziston një raport krejtësisht i ndryshëm për gjërat në fushën e shkencës, ku paratë dhe kushtet e punës kanë rëndësi të madhe, dhe “qëllimet” janë shumë më të qarta. Por në fushën e artit, pasuria dhe standardet e larta nuk janë garanci për cilësinë e ideve, madje, shpesh, mundësitë e mëdha dhe lira e zgjedhjes shpesh dalin si elemente kundërproduktive. Edhe pse Kanadaja ka një sistem disi të ndryshëm nga SHBA dhe më shumë para investohen në kulturë (inkurajohen degë të ndryshme që eksperimentojnë me paranë shtetërore), i gjithë sistemi, kësisoj edhe kultura, bazohet në një kuptim tipik amerikan të artit – si show business. Kjo do të thotë që qëllimi i padiskutueshëm i artistëve është ta argëtojnë publikun dhe të jenë interpretues të mirë në skenë (qoftë ajo skenë politike, teatri, ose muzeu/galeria – ose një festë private). E kjo, sigurisht, lidhet me një mungesë të plotë të ndërgjegjësimit politik dhe një nivel të lartë injorance. Standardet europiane, sipas të cilave një shkencëtar, shkrimtar, apo artist i madh është (kryesisht) edhe një element progresiv i shoqërisë, thjesht nuk janë vlera të pranueshme këtu. Ose, më saktë, një qëndrim i tillë dekurajohet në të gjitha mënyrat e mundshme (përmes medias, mjeteve të propagandës, etj.), sepse shtylla kryesore e shoqërisë, në fund të fundit, janë paratë. Ndoshta po më kupton, nuk mund të them që jam plot entuziazëm për këtë botë të madhe, ashtu siç nuk mund të them që jam e zhgënjyer nga ajo që kam parë dhe përjetuar këtu. Sigurisht, për këdo që është thjesht duke udhëtuar nëpër një vend (dhe që gjithashtu pritet ngrohtësisht nga ai vend), është gjithmonë më e lehtë të marrësh pozicionin e një gjykuesi objektiv dhe të “dashurosh dhe urresh pa vuajtur”. Në të vërtetë, duket se pozicioni më ideal për çdo të ri do të ishte – të jetë i huaj në çdo vend. Më duket se në atë rast do të fillonim të mendonim shumë për atë që jemi si njerëz dhe më pak për veten tonë si banorë të ndonjë zone të globit. Shpresoj arrin t’i kuptosh gjërat për të cilat të shkruajta në këtë mëngjes me shi në Vancouver. Më shkruaj në adresën e V. Me shumë gjasa do të jemi këtu deri më 15 dhjetor, dhe pastaj do të vazhdojmë në San Francisco dhe ndoshta në Los Angeles, pastaj përsëri në Toronto, më pas Montreal etj.
Të dua, S.
P.S Pasi ta lexosh këtë letër, ndaje edhe me familjen Martinis… ose te Nëna, sepse e di që lajmet nga ne priten me padurim dhe koha është e shkurtër… Marta të përshëndet.”
“Pikëtakimet: Dokumente në Krijim e Sipër, 1968–1982” (fillimisht prezantuar në Zagreb në vitin 2023) kuruar nga Ivana Bago dhe “Përkohësitë e Shpresës” kuruar nga Hana Halilaj, përthekojnë trashëgiminë fuqizuese të artistes Iveković dhe njëkohësisht synohet që të përdoren si frymëzime në trajtimin e realiteteve të ndërlikuara të periudhës pas-jugosllave dhe përtej saj. Ndërlidhja e punës së tyre ka ardhur nën titullin “Shtëpia e Grave”, që mbrëmë u shpalos krejt këndshëm në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Ekspozita “Shtëpia e Grave” është realizuar me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Partnerë: MSU Zagreb, Rijeka MSU, MFA. Po ashtu, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 janar të vitit 2025./ KultPlus.com