15 Nëntor, 2024 - 9:30 am
Nga Agim Byci
Libri i Gjakovës i shkrimtarit e historianit tashmë shumë i njohur e produktiv Jusuf Buxhovit është roman që mbështetet mbi fakte historike, nga koha e pushtimit të Gjakovës nga ushtritë serbe dhe malaziase nga dimri i vitit 1912 deri te ai i vitit 1916. Personazhët e kohës së pushtimit (Tregimtari, Prifti, Fallxhesha, dervish Lani e Hyrije Hanëmi e ndonjë tjetër), nëpërmes përjetimeve e përvojës së tyre, nga mësimet e mbamendjet, bisedat e të dhënat, duke u ndërlidhur me fytyrat e ndritshme historike si Skendebeu, Aleksandëri i Madh, Shën Angjelina, Gjon Nikollë Kazazi e tjerë, shprehin në tërësi identitetin e popullit dhe rrjedhën e ngjarjeve të kohës, por dhe të shekujve të mëparshëm.
Jusuf Buxhovi është historian që njeh me saktësi rrjedhën e ngjarjeve. Është gjeograf që njeh vendin, lokalitetet, marshutat e ushtrive malazeze e serbe; është topograf në përshkrimin e paraqitjen e vendndodhjen e lokaliteteve në harta, si Esnafet e Terzive e Tabakëve, ura e Namazxhasë dhe e Taliqit, xhamia e Hadumit, kulla e Begut dhe e Drenit, Çabrati, mëhalla e Qylit, e Gecës dhe e Qerimit, lumenjtë Krena, Ereniku e Drini; është psikolog në rrjedhjen e mendimeve shpirtërore nga mendja, vetëdija e ndërdija në mënyrë transcendntale duke reflektuar dimensionin psikologjik shpirtëror, historik e politik, fetar e kombëtar, gjëra këto që janë të nevojshme për mirëqenien e për shpresën, për jetën e për besimin. Kjo është një formë e pjekur dhe e fisnikëruar e vetëdijës, e kuptimit të të vërtetave universale. Ky dimension është mënyra e të menduarit shpirtërisht, është paraqitja dhe identifikimi i qëllimit dhe i shkakut të veprimit, është metafizikan në paraqitjen dhe shpjegimin e veçorive të veçanta e reale të kohës duke përfshirë ekzistencën e banorëve të Gjakovës, të viseve përreth, të mundësive e nevojave të domosdoshme jetësore, të hapësirës e kohës së ngjarjeve, të shkaktarëve dhe ndërrimeve në mes tyre dhe mendjes. Jeta është manifestim i aktivitetit,e bashkë me materjen janë idetë e mendjes. Në këtë drejtim e ndërlidh aspektin shpirtëror të vlerësimit të ngjarjeve e mendimeve, që janë pjesë e jetës, kohës e hapësirës. Kjo metafizikë Tregimtarit i jep ndjenjën e madhërishme të vetëdijësimit.
Tregimtari
Tregimtari që në fillim të librit, në shkëndijat e qetësisë e rehatisë të dashurisë shpirtërore me Fallxheshën, në bisedat e thella e çasjet ndaj gjendjes momentale të vendit para ardhjes së ushtrive pushtuese kupton, se fuqinë e besimit mund të kthejë në besim të fuqisë, se forca e vetme i ka mbetur ndriçimi i shpirtit, kur e padukshmja e nxjerr në pah të dukshmen, që me meditim e biseda mundohet t’ia kthejë shpirtit përmasat e ndriçimit dhe të arrijë qetësinë shpirtërore, mendore e fizike në kohën e tmerrshme të jetës së pasigurtë e të mundësisë së zhdukjes.
Ai është i verbër. Ka mbetur jetim për shkak se prindërit mbetën viktima të kohës së vështirë e të luftës. Megjithatë është i pavarur, është mbret i vetvetes dhe nuk ndikohet nga asnjë individ, qoftë nga pushteti apo nga religjioni. Terri syve ia krijoi në brendi dritën e ndritshme të verbësisë. Ai posedon një forcë të mbinatyrshme të futjes skofiare në shpirtin e tjetrit. Një superfuqi e superndjenjë. Dëshira për të ditur, vullneti për t’i kuptuar dukuritë e rrethanat e domosdoshme e shumë të rëndësishme jetësore, e bëri të zhvillojë shqisën e gjashtë. Kjo shqisë është e lidhur me gjithçka që e rrethon, që e tangon, që e bën ta kuptojë rrezikun e jetës së vet e të popullit. Kur është vetëm, në qetësi të plotë, mediton transcendentalisht duke kuptuar rëndësinë e shqetsimit, shqetsimi për ndodhi, për të papritura dhe për pasigurinë e qenies kombëtare. Mendimet i filtrohen dhe i dalin të thukta, që qarta e të mprehta. Duket se vetë verbëria ia ka shkaktuar zhvillimin e shkathtësive e aftësive të shqisave tjera për ta kurorëzuar fuqinë shpirtërore të shqisës së gjashtë.
Me fuqinë e meditimit, njohurive e imagjinatës i sjell para vetes llojet e ngjyrave që i ka parë dhe memorizuar në kujtesë. Tani i shfaqen në ekranin e mendjes. Një mënyrë e tillë rrjedh edhe me njohuritë dhe i mendimet që i kullon me sitën e brendësisë së shpirtit për t’i demaskuar ato të botës reale të njerëzve që mendojnë e gjykojnë me mendjelehtësi e pa përgjegjësi.
Kjo fuqi e mendimit shkon edhe më larg. Është shoshitje e peshore e mendimeve, e historisë, e ngjarjeve dhe e rrethanave që i ka përpara ia përkujtojnë luftërat e kryqzatave që kanë vazhduar me shekuj, ku janë vrarë e prerë njerëz të pafajshëm, e që kurrën e kurrës, e as tani nuk ka ndodhur asgjë pos të keqes, vuajtjeve e mjerimit. E si gjithnjë, mbretëron gënjeshtra perfide se luftohet në emër të Zotit.
Mendjen ia brejnë dhjetra e qindra pyetje e dyshime filozofike, psikologjike, fetare, politike, historike, kombëtare, e që mundohet të japë shpjegime: Si të shpëtohet vendi e trevat e përziera me besime? Kush do të fitojë: fuqia e pafuqisë apo pafuqia e fuqisë? Si të vihet harmonia e besimeve mes tyre? Si të ruhet përbashkësia e shpirtit në bazë të besimit të rrënjëve të dashurisë, si thoshte shenjëtorja Angjelinë? A është i lehtë apo i rëndë mëkati? A janë mëkate të brendshme apo të jashtme, me dëshirë apo pahir, me dhunë apo me interes? Si të fisnikërohet shpirti? Si të parandalohet e liga e pushtetit djallëzor e nëse jo, si t’i kundërvehemi? Si do të jemi në hartat e reja? Pse vriten njerëz të pafajshëm në emër të mësimeve të profetëve? A duhet ta bekohet dhuna e gjakderdhja? A bëhen luftërat në emër të Zotit? A jep urdhër Zoti për shkatërrime, vrasje e masakra? Pse duhet të jemi mollë për kusuritje? A është e natyrshme, e arsyeshme dhe njerzore që mbijetesa të bëhet në emër të besimit, të përshtatjes, laramanisë, heshtjes? Të kujtojmë luftën e Qerbelasë e të mos derdhim gjak pakuptim që na shpie te vëllavrasja në emër të besimeve. E shumë e shumë pyetje e hamendje, përgjigjet e të cilave mundohet t’i përcaktojë vetëm me fuqinë e shpirtit, që e përshkon qenien tonë gjatë jetesës mbi dy mijë vjeçare.
Me këto mendime e mundon veten e nuk gjenë qetësi, ngase i kujtohet se do të pasojnë përsëri dyndjet, më së pari nëpër kufirin amë, e pastaj nëpër kufinjtë e huaj për t’u shpërndarë nëpër vende të huaja. Dhe tërë kjo bëhet për të ikur e për të shpëtuar familjen dhe trashëgimtarët që do të mbesin e do ta ruajnë farën e trashigimisë. Dhe kjo ikje bëhet duke pasur parasysh Kuranin, Biblën apo librat e shenjtë, çfarëdo qofshin.
Tregimtari ka besim në të mirën, në dashurinë e madhërishme qiellore, në hyjrorën njerëzore. Si njeri i ditur e me përvojë duhet të veprojë duke u bazuar në mendimet që kullohen e lindin nga shpirti. Dashuria lind nga shpirti i nënës, ashtu si mendon nëna në jetën pa dhunë, pa vrasje e pa gjakderdhje.
Tjetër është bota reale në të cilën jetojmë e veprojmë, e tjetër është bota shpirtërore eTregimtarit. Tregimtari i verbër, por i sheh dhe i ndien më thellë si jetën, ashtu edhe ngjarjet me pasojat që prodhojnë. E njerëzit e botës materiale objektive i shohin veprimet e veta si normale e nuk e dinë se fati tyre është në duart e armikut dhe se në botën e njëmendtë, ku janë të pranishme fatet e tyre, pësimet e vuajtjet, nuk i shohin.
Fallxhesha
Fallxhesha si interpretuese e shenjave e ka aftësinë që me anë të shqisave, në mënyrë vizuele, auditive dhe të prekjes të komunikojë e të kuptojë shenjat, t’i interpretojë e t’i transferojë te njerëzit. Dihet se tërë universi është i mbushur e i stërmbushur me shenja. Shenjat varen se si i percepton, i determinon dhe i interpreton. Fallxhesha, për fat, ka një dell të veçantë të njohjes së tyre. Gjithçka në jetë e në botë është e mundshme: fakti, ngjarja dhe mundshmja. Prandaj edhe subjekti semiotik mund të jetë fiksional, për shembull, Shën Angjelina, si objekt i pjesëshëm i objektit të tërsishëm – universit.
Si Tregimtari, por edhe personazhet bashkëbiseduesë Shën Angjelinën e përkujtojnë si grua, si mëmë, si shenjtëreshë, si simbol i dashurisë, i mëshirës, i paqes dhe i besimit. Këto virtyte njerëzore, shpirtërore e besimtare e kishin bërë të çmohet shumë në dinastinë e burrit, por ajo çmohej e nderohet si e shenjtëreshë edhe në mbretëritë e shtetet perëndimore.
Shenja e përfundimit të romanit, të ngjarjes, të fatit të ushtrive okupuese, të personazheve që duken e paraqiten si normalë, ne si lexues i marrim si normalë. Janë shenja që tregojnë mundësinë e shfaqjes së ngjarjes e të momentit historik, ngase janë në relacion me ne, me gjakun, traditën e mendësinë tonë.
Fallxheshën e frikëson e dukshmja e kohës që ka përpara dhe i krijon pasiguri në rrjedhjen e ngjarjeve të kohës, por e di çka është e domsdoshme për mbijetesë, kështu që me llojet e fallit e me parashikime u rrit besimin tjerëve se do të vijnë ditë të mira, por tash duhet ta ruajnë njëri-tjetrin e të jenë të bashkuar. Ndoshta, në njëfarë mënyre falli i saj i mbronte banorët nga të panjohurat, nga ngjarjet e skenarët e pushtuesve me orekse gllabëruese tinzare e dredharake.
Por Fallxhesha ka edhe një të metë. E mundon mëkati që ka pasur dashuri të palejueshme e mëkatare me Shyqëri Agën. E mundojnë edhe tjerët të përfshirë në mëkate të ndryshme, por ka shpresë të madhe se do të kemi një zgjidhje shpëtimi që na shpie te lira njerëzore.
Të dy, Tregimtarin e Fallxheshën i kishte bashkuar dhuntia e gjuhës së shenjave, meqë ishin në gjendje t’i jepen fuqisë së shpirtit me anë të ndriçimit të mendjes.
Deri sa bota shpirtërore e Fallxheshës është paranormale, e Tregimtarit është mbinatyrore, ngase i bredh ndjenja e fisnikërisë shpirtërore. Shpirti si kategori e tretë metafizike, si ndjenjë lëviz e përshtatet në njëmendësinë objektive dhe gjërave mundohet t’i japë kuptim të mirëfilltë hyjror e shpirtëror.
Prifti
Prifti mundohet të gjejë frymën e vërtetë të mëmës-dhe e dheut-mëmë, se kur është në pyetje mëmëdheu duhet të dëgjohet thirrja e gjakut që shpreh thelbin e origjinës. Atëherë, s’kemi nevojë të pyesim çfarë do të ndodhë me ne, a duhet të dorëzohemi që të mos derdhim gjak apo të gjejmë mënyra qëndrese? Prifti e heq mëdyshjen nga vetja kur kujton bisedat me Tregimtarin e dervish Lanin, por edhe nga fjalët e porositë e stërgjyshërve, se ushtritë okupuese me plane sekrete, me “dorën e zezë” veprojnë e bëjnë vrasje të udhëheqësve, të familjeve, gra pleq e fëmijë të krishterë,- për t’i fajësuar ata të besimit mysliman, për të krijuar grindje e hakmarrje mes shqiptarëve mes veti. Dredhi e skenarë të njëjtë bëjnë kur e përdhosin xhaminë ditën e festës së Bajramit dhe fajin ua lënë të krishterëve. Tashmë Prifti është i sigurtë, se fuqia e gjakut në përputhje me dijen e gjakut e mbron veten. Gjaku nuk bëhet ujë kurrë, as nuk falet kurrë.
Prifti e dervish Lani janë simbole të harmonisë së amshueshme që e begatisin dhe e madhërojnë mendjen e shpirtin e qenies arbërore. Është edhe rasti i gjuhës së përbashkët e priftit ortodoks dhe dervishit bektashian, pasi dezertoi nga ushtria malazeze. E kjo frymë e ide duhet të ruhet në zemër e të kultivohet në të ardhmen, si virtyt më i lartë kombëtar e njerëzor, zatën kjo është porosia ‘se feja e shqiptarit është shqiptaria”. Dhe këtë vlerë e besim duhet mbrojtur me pikat e fundit të gjakut, se sot e përgjithmonë jemi vëllezër, nga gjaku, rraca e gjuha.
Dervish Lani
Dervish Lanin e shqetësojnë ngjarjet e përparshme dhe këto të fundit dhe ia trondisin shpirtin e mendjen. Më përpara përmbahej se do të flasë, si do të flasë, çka duhet të thotë e si duhet ta thotë. Më pastaj, pas bisedave me Tregimtarin, pas meditimeve para kubesë fiton fuqinë e besimit, e cila i jep shpresë përmbajtjes të durimit si ndjenjë e veçantë që ka marrë edhe nga mësimet e sheh Brahës. Më vonë, me rrjedhen e ngjarjeve dhe shtimin e dhunës e terrorit nga ushtritë pushtuese është i bindur, se kur zullumi trashet e s’mund të durohet më – pason hakmarrja dhe vijnë thikat në shprehje, prandaj mendon se kështu ndalet gjakderdhja dhe dëbohen pushtuesit.
Mëdyshjet e hamendjet rreth tezave e antitezave, gjaku i dijes e dija e gjakut, fuqia e besimit dhe besimi i fuqisë, e mundshmja dhe e pamundshmja, e keqja e brendshme dhe e jashtme, dhe mësimi i sheh Brahës: Durimi si kundërvënie dhe kundërvënia si durim, se durimi duhet të ketë qëllim e mllefi nuk duhet të harxhohet kot e mend, çojnë kah rruga që njëherë e përgjithmonë ta ndajmë shapin nga sheqeri. Prandaj qëllimi dhe ekzistenca janë alfa e omega e jetës dhe ekzistencës.
Por besa e dhënë para kubes së sheh Fajës nuk e lë të qetë dervish Lanin pa u hakmarrë ndaj pushtuesve, sepse për këto skenare kishin biseduar shumëherë më parë. A duhet të durojmë tutje? A i shërben durimi – mbijetesës? A është mbijetesa e denjë apo e padenjë, dhe a ka çmim? I mendon bisedat, pyetjet e hamendjet e Tregimtarit: A është qartësia shpirtërore e mendore e matur dhe a përshtatet me rrethanat? Athua hakmarrja e pamatur do ta ndihmojë ndërprerjen e dhunës? Tëra këto i sillen në kokë, e në fund vendos të veprojë e t’i mprehë thikat me fedainjtë e vet.
Si Tregimtari, ashtu edhe bashkëbiseduesit e dijnë se duhet të kemi shumë kujdes të ruhemi nga e keqja e brendshme apo e jashtme, ngase të dyja prodhojnë fatkeqësi. Tashmë është bindur edhe Prifti, edhe dervish Lani se nuk duhet të derdhim gjak pa arsye, edhepse kemi lidhjen e gjakut apo të vetëdijesohemi se jemi vëllezër të një trungu. Është fatkeqja dhe e kobshmja e jonë, që lind nga vuajtja, mjerimi dhe dhuna. E kjo u shkon për shtati pushtuesve, të cilët i zgjedhin pakurrizorët, laramanët, matrapazët e puthadorët dhe i vendosin në krye të qeverisjes së qytetit. Shahinin e Shyqri Agës e caktojnë zëvendësprefekt, ndërsa ata që e shoqëroni, e që ishin bixhozxhinjë, pijanecë e fajdexhinjë i caktojnë nëpunës, prijës të fshatrave duke munduar ta bindin botën për politikën e drejtë dhe përkujdesjen njerëzore. Por ashti i madh i futur në gojë, siç e parasheh Fallxhesha në fundin e fillimit është asht që ua zë frymën e vdesin duke qitur shkumë nga goja. Tashmë të gjithë e dijnë se njerëzit e sojit të Rremë Batarjes shfrytëzojnë rastin e kohën e mjegulltë, ngase mendojnë dhe binden se fuqia e pushteti përcaktohen nga fati, prandaj këtu, si Rremë Batarja dështojnë dhe mbesin në kujtesë si tradhëtarë e kodoshë. E fati i tij u pa kur si çanaklëpirës u var për këmbë në nevojtoren publike, afër varrit të Maxharr Pashës.
Këta janë njerëz që kanë gjak të papastër, që nuk e pranojnë fuqinë e gjakut, por tellallojnë për gjakun e dijes, kjo do të thotë se si kameleonë e ndryshojne besimin e besimit.
Hyrije Hanëmi
Hyrije Hanëmi përvidhet me vshtirësi nga kufiri që kishte ndarë qytetin dhe shkon në Angli. Ajo e harxhoi tërë pasurinë, por fuqia e shpirtit, vetëdija e gjakut, e gjuhës dhe e prejardhjes nga loza e Aleksandërit të Madh e di se për çfarë e harxhon e çfarë duhet të bëjë e si duhet të veprojë, jo me fjalor mllefi e lufte, por me fjalë, me fakte e me vepra artistike. Kishte përvoja jetsore e profesionale. Kishte njohuri për gërmimet arkeologjike që bëheshin te Ura e Fshenjtë. Kishte edukatë e vlera perëndimore, ngase kishte jetuar në shumë shtete, kishte thithur njohuri e kulturë. është një zonjë me dijen e fuqisë së antikës e të madhështisë, edhe me fjalë edhe me mendime, por edhe me piktura kishte lënë gjurmë, besa atje që ishte aktive kishte bindur rrethin artistik në Angli për lashtësinë e prejardhjes, për Dardaninë antike, si një djep i qytetërimit.
Por ka edhe nënpersonazhe në epizoda e fragmente si Shaban Paja: “Dollapë, dollapë është dynjaja, kronisti Can Lejçi me shënimet e mbledhura me kujdes, Dile Patarrocja me Riza Probën e Taphoneve e tjerë.
Kjo është historia e Gjakovës në një periudhë të caktuar prej më se 3 vite, por kjo periudhë ka qenë e pranishme edhe në ngjarjet historike e luftarake të kësaj toke arbërore në shekujt e mëparshëm në forma të ndryshme.
Pse pikërisht Gjakova? Sepse ishte djepi i trimërisë e kulturës. Ishte Gjon Nikollë Kazazi, Sylejman Vokshi e shumë tjerë. Ky është qëllimi kryesor i të gjitha ushtrive që erdhën në tokën dardane. Maxharr Pasha që tentoi të bindë Gjakovën për ndarje e nënshtrim. Nëse nuk binden, atëherë pasoj fushata e ndjekjes e vrasjes së trimave, atdhetarëve e pishtarëve. Ky vend ishte Gjakova. Kur ndahej e shkatërrohej Gjakova me njerëzit e dijshëm, atëherë ndahet edhe një krah i shqiponjës. Qëllimi i ushtrive pushtuese, cilat do qofshin, është vetëm pushtimi, e këtu përkatësisht ndarja e popullit në tokën arbërore, në ndarje fetare dhe ndarje shpirtrore e kulturore. Kështu ushtria ruse veproi me Murin e Berlinit duke e ndarë Gjermaninë në dy pjesë. Kështu bënë edhe ushtritë ortodokse dhe e ndanë Gjakovën në dy pjesë, por muri i ndarjes së Gjakovës nga lumi Krena ka zanafillën e ndarjes para murit të Berlinit. Libri i Gjakovës ka edhe vlerë universale, nga se kjo histori ndodh edhe në kohën e sotme në shumë shtete, pothuajse në të gjitha kontinentet, nga Lindja e Afërt deri te Ukraina.
Nga Libri i Gjakovës duhet të nxjerrim mësime, të kthjellemi nga gongu, që të mos na përsëriten e të kthehen si bumerang. Mos t’i harrojmë dredhitë e Beogradit, që, që nga Procesi i Berlinit me propaganda e dezinformata dhe me ndihmën e ortodoksisë ruse e greke, Serbia fitoi të drejtën ndaj tokave të shqiptare. Të kuptojmë njëherë e përgjithmonë propagandën e shpifjeve e intrigave të tyre, që me ndihmën e laramanëve e lolove mundohen që edhe tutje të arrijnë qëllimet e veta. Të mbajmë mend e mos t’i harrojmë pasojat, rrënojat, dëbimet masive, përçarjet, vëllavrasjet e vrasjet gjakatare. Aty shihet qartë shpirti i egër e mendja e çmendur e ushtrive pushtuese, që gjoja erdhën për të na çliruar dhe për të vendos rendin e qetësinë, e nga ana tjetër në mënyrë perfide e mashtruese me dhunë na ndërrojnë besimin fetar duke realizuar planet e vjetra të shkatërrimit, djegjes së shtëpive, dëbimeve, e ata që nuk e braktisin vendin – vriten e masakrohen, duke filluar nga njerëzit e shquar nga paria e vendit e deri te prijësit e besimeve fetare.
Në Librin e Gjakovës, për Gjakovën që është “Zemra e Dardanisë” tregohet historia e popullit përmes shënimeve e fakteve, mbamendjes e dokeve tradiocionale që nga shënimet antike të Herodotit e deri te Gjon Nikollë Kazazi, se udha e Zotit dhe e historisë sonë shpjegohet në gjuhën amtare dhe Naim Frashëri që paraqet gjakun e dijes, që na udhëheq, na mëson, na lartëson e na përgatit mendjen për pavarësi e shtet të lirë.
Personazhet e romanit i mban kujtesa historike kush janë, nga vijnë e çfarë gjuhe flasin.
Pra, fryma e shpirtit, mendimet trascendentale, mësimet e sheh Fajës e Brahës, burimet e të dhënave të Priftit, kuptimi i besimit, i gjakut, i mëmësisë, i rracës, i gjuhës dhe i origjinës e shpiejnë kah përfundimi i librit, i ngjarjeve të Gjakovës, se “Shpëtimi vjen nga fuqia të menduarit dhe mbretëria e tij e përhershme… Të tjerat janë mashtrime”.
E për të kuptuar këtë më mirë, Jusuf Buxhovi, si Tregimtar e shpjegon kështu: një njeri mund të veshë rrrobe të ndryshme, por nuk mund të ndryshojë origjinën, as tiparet e rracës, as gjininë, sepse ato i takojnë gjakut të tij të origjinës, pra është përgjegjësi e gjakut e vetëm e gjakut, që është përgjegjësi i vetëm i qenies sonë dhe si i tillë mban çelësin e vet…
(Kumtesë e paraqitur me rastin e promovimit të librit në Gjakovë, më 07.11.2024 në kuadët të jubilieut të Mitingut të Poezisë )./KultPlus.com