15 Nëntor, 2024 - 11:22 pm
Në një përpjekje për të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë muzikore të Kosovës, organizohet për herë të parë festivali i vetëm dedikuar kompozitorëve kosovarë, ‘Kompozitorët e Karrierës’, përcjell KultPlus.
Kjo iniciativë shënon një moment historik në skenën kulturore të vendit, duke synuar të kthehet në një traditë të përvitshme që ndriçon krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë.
Festivali do të shtrihet si një seri aktivitetesh gjatë gjithë vitit, me synim krijimin, përhapjen dhe mbrojtjen e veprave muzikore vendase. Përmes kësaj platforme, kompozitorët kosovarë do të kenë mundësinë të prezantohen më fuqishëm në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Edicioni i parë do t’i kushtojë vëmendje të veçantë krijimtarisë së kompozitorëve të njohur kosovarë me karrierë ndërkombëtare. Në koncertin e parë, do të interpretohen veprat e kompozitorëve të shquar Mendi Mengjiqi, Valton Beqiri dhe Drinor Zymberi.
‘Kompozitorët e Karrierës’ do të mbahet më 22 nëntor nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./KultPlus.com