Minoru Yoshioka: Ishulli

16 Nëntor, 2024 - 12:57 pm

Minoru Yoshioka (1919-1990), një ndër poetët më të mëdhenj të modernizmit të vonë japonez, ka botuar nëntë përmbledhje me poezi mes viteve 1955–1984

ISHULLI

Nga Yoshioka Minoru

   Duke zbritur në ishull    njeriu zbulon në

qoshet e gurëve    fragmente të ndryshme të mëdha të

eshtrave të kafshëve dhe peshqve   që dielli që rrotullohet i ka

nxirë     kontraksione të një koke të zezë të oktapodit    Sytë

e njeriut gradualisht ngrihen drejt horizontit     një margjinë

ku nxjerrë kokën një hënë këndore     Përpiqet të harrojë     Tash

me luciditet të skajshëm    një vezë e zogut të detit po ankoron

   Pse dikush mundet ndonjëherë të dëgjojë në momente të tilla

Është koha kur harqet e pagjumë marrin formë       Njeriu

shtrihet sa gjer gjatë dhe duart e tij të gjera dhe këmbët

lëvizin ngeshëm      në atë kohë prej skajit të saj

    më të ulët zona e ishullti nis të kontraktohet     Kjo

mund të jetë foleja e perëndimit të diellit të nesërm   Për hir

të iluzionit zogj që kurrë s’do të nisen fluturim veza

është zmadhuar në brinjën e njeriut   Në gjithë

këtë sipërfaqe të zbardhuar egërsisht nga drita   njeriu nuk mund

të gjejë askund shenja të thonjve të popujve aventurierë

    Ai nuk e zgjodhi    këtë Atlas    Nga mitra

e hajthme ky njeriu e nxjerr me forcë një zë të vockël dhe gjak

Të veçuara prej tij nga ana tjetër    valët

dimërore vazhdojnë të shkasin

***

‘Ishulli’ i Yoshioka Minorus: një interpretim

Nga Denis Keene

Poezitë e Yoshioka Minorus nuk janë më pak të zorshme në origjinal se sa në versionet në gjuhët e tjera, prandaj nevoja që të pajisen me shpjegime është e diskutueshme. […]

Poezia nuk orvatet të rikrijojë materien e vërtetë të përvojës, por e ka të njëjtën marrëdhënie me realitetin jetësor ashtu si e ka një pikturë e Pikasos. Në të vërtetë, poezia mbahet bashkë nga format e saj gjeometrike, sado që vazhdon të ndërfusë copëza të një realiteti të zhveshur. Me gjasë çka u jep poezive të tij jetën e tyre të veçantë është mënyra se si një botë fantastike dhe në dukje abstrakte përherë krijon përshtypjen se po flitet për realitete personale. […]

   Duke zbritur në ishull    njeriu zbulon në

qoshet e gurëve    fragmente të ndryshme të mëdha të

eshtrave të kafshëve dhe peshqve   që dielli që rrotullohet i ka

nxirë     kontraksione të një koke të zezë të oktapodit

Kjo hyrje tingëllon thua se bëhet fjalë për një ishull të vërtetë me mbitone alegorike, por përshtypja largohet shumë shpejt nga fraza finale. Mund të thuhet se poezia e vërtetë fillon nga «kontraksione të një koke të zezë të oktapodit», se kjo frazë çon para e mbrapa në një mënyrë që e çrregullon lëvizjen pothuajse racionale të fillimit, duke çuar te sekuenca vijuese anti-logjike:

Sytë e njeriut gradualisht ngrihen drejt horizontit     një margjinë

ku nxjerrë kokën një hënë këndore     Përpiqet të harrojë     Tash

me luciditet të skajshëm    një vezë e zogut të detit po ankoron

Në gramatikën e origjinalit fraza «kontraksione të një koke të zezë të oktapodit», qëndron e veçuar, ashtu si edhe në përkthim, dhe po u lexua si imazh i diellit, ose si diçka e pavarur që e ndriçon dielli, ose si një imazh i syve të njeriut, është çështje e hapur, duke qenë se poezia na siguron se çështja mbetet e hapur. Një sekuencë imazhesh është krijuar, por asnjëra prej tyre nuk ka fuqi interpretuese më të madhe se të tjerat. Ajo që ne kemi është një formë rrethore që rrotullohet dhe kontraktohet në imazhe të shumëllojta. Atëherë shohim se ishulli lidhet me këtë, një rreth i prerë nga ajo që e rrethon. Njëri prej atyre rrathëve, sytë e burrit, kapet në lëvizjen e tij nga vija e drejtë e horizontit (limiti i kureshtjes njerëzore, siç e ka quajtur Baudelaire), nga e cila shfaqet një hënë këndore (hëna si rreth i paplotë, i cunguar). Kjo pritje e plotënisë atëherë është përherë e nënkuptueshme dhe shndërrohet në vezë zogu (ideogramet për ishullin dhe zogun janë bukur të ngjashme dhe këtu kemi një mbivendosje imazhesh që përkthimi nuk mund t’i shfaqë).

Pse dikush mundet ndonjëherë të dëgjojë në momente të tilla

Është koha kur harqet e pagjumë marrin formë       Njeriu

shtrihet sa gjer gjatë dhe duart e tij të gjera dhe këmbët

lëvizin ngeshëm      në atë kohë prej skajit të saj

më të ulët zona e ishullti nis të kontraktohet     Kjo

mund të jetë foleja e perëndimit të diellit të nesërm   Për hir

të iluzionit zogj që kurrë s’do të nisen fluturim veza

është zmadhuar në brinjën e njeriut   Në gjithë

këtë sipërfaqe të zbardhuar egërsisht nga drita   njeriu nuk mund

të gjejë askund shenja të thonjve të popujve aventurierë

Poezia tash bëhet një studim i marrëdhënies së njeriut me kohën, elementi në të cilin jeton dhe i përpjekjes së tij për ta kuptuar dhe për të shpëtuar prej saj. Në botën imazhiste të filmit muzika jep domethënien e veprimeve (Sarteri e lakmonte heroin e ekranit, ngase veprimi i tij më trivial performohet nga mizika dhe kështu shpëtohet nga paparashikueshmëria që e karakterizon jetën tonë të përditshme). Njeriu e ëndërron këtë domethënie dhe ato harqe të pagjuma (dielli, hëna, ishulli i vetes) marrin formë; prapë njeriu ëndërrimtar, duke qenë se ekziston dhe lëviz, nuk mund t’i japë kuptim të plotë qenies së vet përderisa ai vetë është pjesë e saj. Kështu ky ishull kontrakton, duke mos e mbushur gjithë qenien, dhe ai prapë mendon me terma të kohës, përmes kësaj hëne, kësaj vezë qenie në kohë, diellit të nesërm. Kjo fole e rrumbullakët është për zogjtë iluzorë që kurrë s’do të ngrihen në fluturim, veza, ose hëna, që bëhen shenja e përpjekjes njerëzore, se hëna duket e njollosur për shkak të shenjave të saj dhe mendimet tona në të vërtetë janë marrë me të. Por këto aventura mendore nuk kanë lënë shenja të vërteta në të (poezia ishte shkruar para daljes së hënës).

    Ai nuk e zgjodhi    këtë Atlas    Nga mitra

e hajthme ky njeriu e nxjerr me forcë një zë të vockël dhe gjak

Të veçuara prej tij nga ana tjetër    valët

dimërore vazhdojnë të shkasin

Gjithë këto forma të pastra nënkuptojnë vetmi, veçim (ishullim) nga deti dimëror që vazhdon të shkasë. Nga ky veçim poeti nxjerr një grumbull të vockël gjaku, zërin e tij, fjalët e tij. Kështu ai i ka krijuar këto forma, njëfarë jete, nga imazhet e vdekjes me të cilat fillon poezia. Nuk dua ta kërkoj asnjë status autoritativ për këtë interpretim, duke qenë se poezia nuk është e atij lloji që na lejon të flasim me autoritet rreth saj. Emfaza të tjera mund të jenë të mundshme dhe cilido lexues mund ta lexojë në një mënyrë tjetër në kohë të ndryshme. Sidoqoftë, mënyra se si funksionon poezia mbase është shfaqur përmes këtij interpretimi dhe poezitë e tij të tjera mund të lexohen po kaq në të njëjtnë mënyrë.

/Marrë nga ’Modern Japanese Prose Poem – An Anthology Of Six Poets’, Princeton University Press, 1980

/Përkthimi Gazeta Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme