18 Nëntor, 2024 - 10:56 am
Libri “Themeluesi”, kushtuar figurës së Ismail Qemalit dhe lidershipit të tij, së shpejti vjen me botimin e tretë. Autori, Evarist Beqiri, thotë se në këtë botim të tretë, të përditësuar të librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit”, ka një pasurim me disa materiale, me të cilat autori është njohur së fundmi. Përfshirë këtu foton e dokumentit të Regjistrit të Gjendjes Civile në Bruksel, 1900.
Ismail Qemali jetoi në Bruksel në vitet 1900-1908. Aty ai realizoi një veprimtari të jashtëzakonshme patriotike, që shërbeu si një gur themeli në përgatitjen e Pavarësisë së Shqipërisë. Në regjistër pasqyrohen gjeneralitetet e Ismail Qemalit dhe të tre bijëve të tij, që e shoqëruan në azilin e tij politik vullnetar. Ky dokument ka rëndësi të posaçme në saktësimin njëherë e përgjithmonë të ditëlindjes së Ismail Qemalit, më 24 janar 1844. Por, kuptimplotë është edhe mënyra e regjistrimit të vendlindjes së tij: Vlorë, Shqipëri. Një tjetër fakt domethënës ky për shqiptarizmën e tij të kulluar.
Gjithashtu, publikohen për të parën herë në një libër, fotografi të bashkëshortes së tij, Kleoniqi Surmeli Vlora, si edhe të Ismail Qemalit. Njëkohësisht është pasuruar albumi fotografik me artikullin e “The New York Times” dhe dokumente nga dosja e klasifikuar e arkivit të Perandorisë Britanike për arratisjen e bujshme të Ismail Qemalit nga Kostandinopoja, në 1 maj 1900.
Fashikulli përmban 8 faqe me dokumente të klasifikuara “konfidenciale” dhe hapet me letrën që ambasadori britanik në Kostandinopojë, Sir Nicholas R. O’Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it.
Muaj më parë, studiuesi Beqiri, i besoi Arkivit të Shtetit, dokumente të digjitalizuara nga Arkivi Kombëtar i Indisë, pjesë e arkivit të Perandorisë Britanike, të cilat zbulojnë të dhëna mbi arratisjen e Ismail Qemal Bej Vlorës nga Perandoria Osmane./atsh/KultPlus.com