18 Nëntor, 2024 - 4:02 pm
Reagimi plotë i Shoqatës Sindikale të Aktorëve
Si artistë të cilët e bëjnë dhe për të cilët bëhet festivali i teatrit “Moisiu” por edhe si shoqatë sindikale, vendimi për anulimin e edicionit të sivjetmë të festivalit na pikëllon pa masë.
Ky vendim na gjen në muajin e dytë të veprimeve tona sindikale, të nisura nga data 09 shtator dhe të përshkallëzuara në grevë të përgjithshme nga 15 nëntori, pa vullnetin tonë, por si rezultat i mosveprimit dhe heshtjes karshi kërkesave tona. Konsiderojmë se indiferenca e këtillë është tregues i mungesës së njohjes dhe ndjeshmërisë së përfaqësuesve institucionalë për punën e artistëve e artisteve të teatrit, e cila është reflektuar edhe në mosveprimet e tyre karshi përpjekjeve tona për të gjetur zgjidhje e ofruar ndihmën tonë për përmirësimin e gabimeve në ligjin e pagave tash e më shumë se një vit dhe tash e më shumë se dy muaj, pra nga 9 shtatori i këtij viti kur njëlloj si opinionin publik e komunitetin artistik, i kemi njoftuar edhe Ministrinë e Kulturës dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës për veprimet tona sindikale, kohështrirjen e tyre dhe nivelet e përshkallëzimit të tyre.
Së fundmi, më 28 tetor, në një takim të SHSATKK me përfaqësues të kabinetit të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfaqësuesve të SHSATKK tërthorazi u është drejtuar një kërkesë paradoksale, që festivali të mbahet edhe pa praninë e aktorëve dhe shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Kjo kërkesë ka qenë tregues i qartë se të gjitha premtimet se është duke u punuar fort për përmirësimin e gabimeve në ligjin e pagave dhe për miratimin e rregullores për ekuivalentimin e pagave, kanë qenë thjesht mashtrim ndaj komunitetit.
Në anën tjetër, ajo kërkesë drejtuar SHSATKK më 28 tetor, ka qenë zhvleftësim i dyfishtë i artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke na përçuar mesazhin se për këtë ministri, më me rëndësi është të shënjohet një edicion i festivalit ad-hoc e pa praninë e artistëve dhe shfaqjeve të TKK-së, sesa të punohet drejt sigurimit të mirëqenies për ta, gjë e cila do të siguronte edhe mbarëvajtjen e festivalit si rezultat afatshkurtër edhe vazhdimësinë e punës në TKK si rezultat afatgjatë e obligim që Ministria e ka jo vetëm ndaj artistëve të TKK por edhe ndaj publikut.
Festivali “Moisiu” është themeluar nga artistët në vitet e ‘90-ta dhe ka vazhduar falë artistëve në këto dy edicionet e fundit e me artistët do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ky festival, ashtu si çdo shfaqje e çdo ngjarje e TKK-së është vlerë e çmuar për gjithësecilin prej nesh, ashtu siç është përgjegjësia jonë ndaj publikut.
Festivalet si “Moisiu,” nuk kanë kuptim pa artistët, sidomos kur ato organizohen nga Teatri Kombëtar i Kosovës, që është shtëpi e jona. Për t’i shtruar gjërat për së mbari, përfaqësuesit institucionalë që thirren në rëndësinë kombëtare të këtij festivali, duhej të ishin këndellur me kohë dhe të vepronin në mënyrë konstruktive, për të plotësuar kërkesat e atyre pa të cilët festivali nuk ka kuptim. Pastaj do të mund të uleshim bashkë dhe të flisnim gjerë e gjatë për rëndësinë e teatrit e festivaleve të teatrit, por në këtë bisedë ne do të duhej të flisnim, e ata të dëgjonin.
“Moisiu” mund të shtyhet, por jo të anulohet. Këtë nuk e vendosin as ministritë e as ministrat; as menaxherët e as menaxhmentet, sepse festivali është ngritur me mundin e artistëve dhe nga artistët do të mbahet.
Ne, artistët, jemi festivali.
MOISIU është i yni.
Ne jemi MOISIU.
Shihemi së shpejti në festën e madhe të artistëve dhe publikut./ KultPlus.com