18 Nëntor, 2024 - 6:32 pm
Kolonia e piktorëve ” Skampis 2024″ shndërroi Elbasanin në qendër arti. Për dy ditë me radhë, “Skampis 2024” solli një atmosferë krijuese në Elbasan, duke mbledhur artistë të talentuar që kanë pasqyruar bukuritë dhe trashëgiminë e qytetit përmes artit të tyre.
Artistët shpalosën talentin mbi pamje ikonike të Elbasanit, duke përfshirë kalanë, rrugicat e vjetra dhe peizazhet natyrore të Funarit dhe Gjinarit. Përmes këtyre veprave, ata kanë rikthyer historinë dhe natyrën në një formë artistike që mishëron shpirtin e qytetit.
Ky aktivitet u përmbyll me një ekspozitë unike në Hotel “Skampa”, ku të gjitha punimet e realizuara gjatë ditëve të kolonisë u prezantuan për publikun. Ekspozita ofron një mundësi për artdashësit dhe qytetarët të shijojnë bukuritë e Elbasanit përmes syve të artistëve.
Kolonia e Piktorëve “Skampis 2024” është një tjetër dëshmi e përkushtimit të qytetit për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore përmes artit dhe krijimtarisë.
Ky udhëtim artistik rikonfirmon Elbasanin si një qendër e rëndësishme e kulturës dhe historisë shqiptare, duke mbështetur iniciativa që ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë kulturore./ oranews/ KultPlus.com