19 Nëntor, 2024 - 6:01 pm
UEFA ka njoftuar se ka nisur procedurat disciplinore për ndeshjen e 15 nëntorit, Rumani – Kosovë.
Kjo u konfirmuar para disa ditësh edhe nga vet shtëpia evropiane e futbollit, por pa dhënë detaje tutje.
Në njoftim thuhet se informacione të tjera lidhur me rastin do të bëhen të ditura me kohë.
“Procedura disiplinore është nisur kundër Federatës Rumune të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës në përputhje me nenin 55 të Rregullores Disiplinore të UEFA-s pas ndeshjes së Ligës së Kombeve të UEFA-s ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës të luajtur më 15 nëntor 2024 në Bukuresht, Rumani”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv
Një incident i pakëndshëm që ndodhi në stadium të premten e kaluar, i detyroi futbollistët e Kosovës ta lëshojnë fushën.
Kapiteni Amir Rrahmani, si shkak i fyerjeve dhe thirrjeve “Serbia, Serbia” nuk pranoi ta vazhdonte lojën dhe iku drejt zhveshtoreve bashkë edhe me lojtarët e tjerë.
“Dardanët” nuk u kthyen fare në terren për ta përfunduar lojën, andaj referi i takimit i dha fund lojës pa kombëtaren e Kosovës.
Tani, skuadra e drejtuar nga Franco Foda, është në pritje të vendimit nga UEFA.
Federata Evropiane, nuk ka marrë ende një vendim rreth kësaj ndeshje.
Por, Kosova rrugëtimin në Ligën e Kombeve e përfundoi me 12 pikë, në vendin e dytë në grupin e saj.