Në ArTurbina shpaloset “Nëna” e dramaturgut bashkëkohor, Florian Zeller

20 Nëntor, 2024 - 2:30 pm

Regjisori Mehmet Xhelili solli në ArTurbina, dramën “Nëna” të dramaturgut francez, Florian Zeller.

Me koreografinë e Gjergj Prevazit dhe interpretim të Ema Andreas, Helidon Finos, Enisa Hysës dhe Xhuliano Briskut, “Nëna” ballafaqoi publikun më shumë se sa me një histori, me një përvojë që krijohet nëpërmjet saj.

Në qendër të shfaqjes ishte drama e nënës, me sëmundjen, krizën dhe dhimbjen e saj, por edhe e personazheve të tjerë që e shkaktojnë apo janë edhe vetë viktima të saj. Drama trajton dashurinë amtare për birin, largimin e të cilit nga shtëpia nëna e përjeton si tradhti dhe nga devijimet e mundshme patologjike që e shoqërojnë. Kësaj i shtohet situata paralele e një martese, e cila për këtë arsye dhe për arsye të tjera është duke pësuar dekadencën e saj.

Në faqen e Teatrit Kombëtar Eksperimental shkruhet se, mesazhet e fuqishme të veprës artikulojnë, jo përgjigjen, por pyetjen ekzistenciale të klithur nga nëna në fund të pjesës: Përse u desh të ndodhte kështu?

Autori i veprës, Florian Zeller është një romancier, dramaturg, regjisor teatri, skenarist dhe regjisor francez. Ai ka shkruar mbi një duzinë dramash, që janë vënë në skenë në mbarë botën dhe e kanë bërë atë një nga dramaturgët më të njohur bashkëkohorë./ KultPlus.com

Të ngjajshme