PEN Qendra e Kosovës me konferencë për letërsinë, autorë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi prezantuan kumtesa mbresëlënëse

21 Nëntor, 2024 - 10:42 pm

PEN Qendra e Kosovës ka mbajtur sot seancën e parë të konferencës për letërsinë në KultPlus Caffe Gallery. Konferenca “Pozita sociale e shkrimtarit, liria e shprehjes dhe e drejta e autorit”, kishte për qëllim që të diskutohet një temë mjaft e rëndësishme që ka të bëjë me lirinë e shprehjes së shkrimtarëve. Të pranishëm ishin drejtoresha e Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi, shkrimtarë nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi.

Hapjen e konferencës e bëri shkrimtari Sali Bashota, i cili fillimisht përshëndeti të pranishmit dhe më pas u shpreh se kjo konferencë është organizuar me temë “Pozita sociale e shkrimtarit, liria e shprehjes dhe e drejta e autorit”.

“Kënaqësi e veçantë që jemi në një ambient kaq të bukur siç është KultPlus. Janë paraqitur 20 shkrimtarë dhe poet, ku do të diskutohet një temë mjaft e rëndësishme që ka të bëjë me lirinë e shprehjes, që janë tema shumë të ndjeshme dhe të patrajtuara siç duhet”, u shpreh Bashota.

Ndërsa, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi, në një fjalë përshëndetëse u shpreh se si drejtoreshë ndjehet jashtëzakonisht e lumtur që përkrahin një iniciativë të tillë, sidomos kur letërsia gërshetohet me lirinë e shprehjes të lirë.

“Jam shumë e lumtur që përkrahim një iniciativë të tillë, sidomos kur letërsia gërshetohet me lirinë e shprehjes së lirë, sidomos në një kohë ku mendimi dhe shprehja e lirë në një formë është atakuar nga të gjitha institucionet tona dhe nuk po arrijmë të instalojmë edhe tek të ritë, për rëndësinë e zhvillimit të mendimit të  lirë”, është shprehur Halimi.

“Letërsia e shumëzon njerëzimin, letërsia përmes imagjinares na paralajmëron për të mundshmen, jo vetëm asaj të dukshmes por edhe të asaj të padukshmes. Letërsia është thirrje, apel të të shpëtohet e bukura që është kriju bashkë me njeriun, të bukurën e shpirtit individual”, ka shtuar tutje drejtoresha Halimi.

Kurse, drejtoresha e PEN Qendrës së Shqipërisë, Entela Kasi, u shpreh se falënderuese për këtë iniciativë kaq të rëndësishme dhe të bukur që i ka bërë bashkë dy Qendrat PEN shqiptare në KultPlus.

“Është e vërtetë që rruga e letrave nuk ka qenë e thjeshtë për aq sa ne i takojmë një gjuhe të vogël në kuptimin e popullsisë por të vjetër që letërsisë botërore i ka dhënë vepra të shkëlqyeshme si rasti i Ismail Kadaresë”, ka thënë Kasi.

Ndërkaq, Ismet Kallaba, kryetar i Shoqatës së Artistëve dhe Inteletualëve “Art Club” në Ulqin, u shpreh se sot është i pranishëm bashkë me dy anëtarë të tjerë dhe se tema bosht është shumë e rëndësishme sepse shkrimtari duhet të jetë strumbullari i letërsisë dhe se pa të nuk ka letërsi.

 “Ne kemi nevojë të flasim hapur për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që lidhen me shkrimtarin në shoqërinë tonë. Mua nuk më pëlqen që të paralajmëroj diçka, por meqë fola më herët për bashkëpunimin me PEN Qendrën e Kosovës, dua t’iu njoftoj se me PEN Qendrën e Kosovës dhe Shqipërisë kemi iniciuar një project me karakter promovues, shpresoj se do të bëhet realitet, shpresoj që shumë shpejt, në fillim të vitit të ardhshëm të takohemi në Ulqin”, u shpreh Kallaba.

Kurse, kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi u shpreh se në këtë konferencë do të paraqiten punime nga të pranishmit.

Gjatë konferencës, shkrimtari dhe profesori Milazim Krasniqi foli për rolin e shkrimtarit në shoqëri.

“Pyetja se a ka rol dhe cili është roli i shkrimtarit në shtet e në shoqëri është objekt i diskutimit që nga antika e deri në ditët tona, por ende nuk e ka marrë një përgjigje koncensueale dhe me gjasë as që do ta marrë ndonjëherë. Sikundër që profesioni i shkrimtarit është i padefinuar qartësisht, edhe roli i tij në shoqëri mbetet i padefinuar, kameleonik. Roli dhe ndikimi i tij diskutohet e studiohet nga rasti në rast, duke evidencuar raste ku ai rol ka spikatë dhe raste ku nuk është vënë re fare. Ndonëse mund të thuhet se roli ose ndikimi i tij mund të ketë qenë prezent edhe kur nuk është evidencuar si i tillë, madje edhe kur vetë shkrimtari nuk ka qenë i vetëdijshëm për atë rol. Si edhe për shumë çështje të tjera të mëdha publike edhe tematizimi i rolit të shkrimtarit në shoqëri, i takon Platonit. Platoni në kapitullin e dhjetë të veprës “Shteti” (ose “Republika”), mirret gjerësisht me rolin e poetit dhe të poezisë në shtetin, të cilin ai vetë e kishte projektuar si shtet ideal”, u shpreh ai.

“Duke marrë para sysh karakterin spekulativ që i mveshte poetit (imitues me fjalë, por që vetë nuk dinte të krijonte atë që e përshkruante, fjala vjen punën e këpuctarit), Platoni thoshte se poeti nuk di të realizojë njohjen dhe nuk di të afrojë pranë vetes njerëz që do ta nderonin. Bile thoshte se poeti as vetë nuk e kupton atë që shkruan, po e bën vetëm imitimin, dhe me atë imitim ai në fakt i mashtron njerëzit. Në konkludimet e tij finale, Platoni thoshte se “në shtetin tonë mund t’i pranojmë vetëm ato këngë që janë himne perëndive dhe fjalime lavdëruese të dedikuara të mirave”. Pra, poetët që dilnin jashtë kësaj kërkese të tij, ai propozonte që të përjashtoheshin nga shteti si të padëshirueshëm dhe veprat e tyre të mos qarkulloheshin, sepse roli i tyre ishte negativ. Denoncimi i Platonit për poetët u pasurua më vonë edhe edhe nga Aristoteli i thoshte se “është vënë re se poetët e njohur, artistët dhe politikanët, kanë qenë ngapak melankolikë, ngapak të sëmurë shpirtërisht, e ngapak mizantropë.” Theksimi i sëmundjes shpirtërore do të bëhet në periudha të ndryshme të diktaturave, vçmas në kohën e sundimit stalinist, një argument për përndjekjen dhe izolimin e shkrimtarëve, në spitale psikiatrike, në kampe pune, deri në Gulagun sovjetik. Ndërsa mbi denoncimin lidhur me sëmundjet specifike të shkrimtarëve, është zhvilluar edhe një disiplinë studimore, Patografia, si një disiplinë e çuditshme klinike. (…) Roli i shkrimtarit në shoqëri me stabilitet politik Në shoqëri me stabilitet politik dhe me shkallë optimale të mirëqenies ekonomike, ndikimi i shkrimtarëve në shoqëri është më e pakët. Në këto shoqëri, shkrimtari ingranohet brenda rrjedhave të lirive politikem tregut të librit, në arsimin e lartë, ose në medie, duke qenë më shumë individualisht aktiv e më pak ose pothuajse aspak në projekte kolektive. Në fund të fundit, aty ku janë realizuar projektet e krijimit të kombit e të shtet dhe ku shkalla e mirëqenies ekonomike e ka krijuar kohezionin e nevojshëm social, nuk ka hapësira për revoltë e për opozitë me prejardhje nga arti letrar. Atje opozita është legjitime dhe bën luftë në emër të elektoratit që përfaqëson. Marrë në përgjithësi, koha jonë është kohë kur roli i shkrimtarit në shoqëri është margjinalizuar, edhe ngase oligarkitë financiare dhe korporatat kanë krijuar epërsi të pashembullt të dominimit mbi shtëpitë botuese, mbi mediat dhe mbi institucionet arsimore e politike. Shkrimtarët sot më të shumtën luftojnë që të ruajnë statusin e vet të mbijetesës në shoqëritë e veta”, tha Krasniqi në fjalën e tij.

Ndërkaq, pas tij foli shkrimtari Sadik Bejko për përvojen e tij me botuesit dhe për botimin e librave pas viteve 90-ta.

“Në jetën time krijuese, në shumicën e rasteve, kam provuar marrëdhënie jo fort të pëlqyeshme me ata që kanë pasur në dorë botimin e librave, me entet botuese, me botuesit. Sa për shkurt, po e cek se që në fillim dështova në botimin e dy librave me poezi. Arrita ta botoj librit tim të parë “Rrënjët”, më 1972. Libri “Rrënjët” u prit mirë dhe nga rrethet e krijuesve, dhe nga kritika në shtyp. Pas Plenumit të Katërt më 1973, kur u ndëshkuan prirjet artistike për shkëputje nga realizmi socialist, filluan kritikat dhe ndaj librit “Rrënjët”. Kritika përshinin edhe punën e tij si redaktor, si autor i teksteve poetike në Festivalin e 11-të, 1972. Autorin “për riedukim nëpërmjet punës” e çuan në një minierë qymyrguri. Libri “Rrënjët” u vu në indeksin e librave të ndaluar. E drejta e botimit hiqej deri te libri i dytë… botuar më 1981. Pas këtij libri të viti 1981, çova për botim dy- tre dorëshkrime librash, por redaksitë… m’i kthenin pa ndonjë arësyetim bindës. Atëherë kish një politikë botimi përzgjedhëse, politikë përjashtuese, sipas së cilës disa autorëve nuk duhet t’u botoheshin shpesh libra”, tha Bejko.

Kurse, shkrimtari Ibrahim Berisha foli rreth temës “Vepra dhe autori: Vepra dhe autori intelegjent”.

“Natyrisht, kur nisa të shkruaj temën për Konferencën e sotshme, duke kërkuar nëpër historinë e jetës së autorit dhe veprës së tij, për një qasje eseu sociokulturor, sikur krijova përshtypjen se në gjithë këtë histori kishte jo pak njëtrajtshmëri: krijim të vështirë, publikim të kontestuar, djegie vepre dhe vrasje apo ndjekje të autorit. Për këë raport në kohë dhe hapësirë të ndryshme, vepra- autori, ka shkruar edhe Sigmund Freud: “Çfarë përparimi kemi bërë? Pyet ai. “Në Mesjetë do të më kishin djegur. Tani ata janë të kënaqur kur djegien librat e mi”. Sot nuk do të kthehem për të folur për autorin “jo-intelegjent” apo ndryshe thënë pa thonjëza, autorin konvencional”, tha ai.

Ndërkaq, Gëzim Aliu foli për “Autori dhe ideologjitë“.

“Çfarë shkrimtari do të bëhej Ismail Kadare po të mos ekzistonte diktatura komuniste që synonte dhe kishte arritur në masë të madhe t’i shndërronte artet dhe letërsinë në mjete propagande? Sigurisht që vepra e tij letrare e asaj periudhe nuk do të ndërtohej sipas retorikës binare: në njërin binar duke respektuar doktrinën e realizmit socialist, në binarin tjetër duke iu shmangur. Po në kohën e komunizmit, idetë sociale të Migjenit kritika zyrtare i përdor e keqpërdor për ta ngritur mitin e tij, natyrisht për qëllime jashtëletrare, ndërkaq Ernest Koliqi, ndër prozatorët e parë të mirëfilltë, përjashtohet tërësisht nga historia e letërsisë shqipe për shkaqe politike e ideologjike. Për asnjë letërsi nuk mund të shkruhet histori pa u marrë parasysh edhe konteksti, kjo tashmë besoj është e qartë. Ndërkaq, konteksti, sidomos ideologjik e politik i zhvillimit të letërsisë shqipe ishte vazhdimisht dramatik, për autorët dhe për veprat e tyre. Për ta ilustruar këtë tezë, po përmend disa autorë të ndodhur në kontekste ideologjike shtypëse. Sterjo Spasse, shkrimtari i romanit filozofik “Nga jeta në jetë- Pse?!” (Korçë, 1935) dhe i romanit iluminist “Afërdita” (Tiranë, 1944), kur, pas Luftës së Dytë, instalohet regjimi komunist në Shqipëri dhe kur, pas një kohe, imponohet metoda e realizmit socialist, e boton romanin “Afërdita përsëri në fshat” (Tiranë, 1954). Konteksti ndikon që Afërdita Skënderaj, ajo mësuesja disi naive, por megjithatë patriote dhe iluministe e romanit të parë, tashmë, në romanin e dytë, të jetë komuniste, tërësisht e indoktrinuar dhe madje fanatike në idetë e veta të ndryshimeve revolucionare. Derisa në romanin e parë, Afërdita ka pak jetë personale e intime, në romanin e dytë, jeta personale e intime lidhet pazgjidhshëm me ideologjinë e politikën, pra me komunizmin.”

“Ernest Koliqi, njëri ndër autorët e parë të prozës së mirëfilltë artistike shqipe, gjatë luftës ministër i Arsimit në qeverinë fashiste, njeriu që dërgoi shumë mësues në Kosovë dhe kështu themeloi shkollën shqipe në këto hapësira, për shkaqe ideologjike e politike, u detyrua të ikte nga Shqipëria dhe në Italinë që kishte prodhuar e eksportuar fashizmin, vazhdoi të punonte profesor në Universitetin e Romës, botonte revistën e rëndësishme “Shējzat”, por gjatë kësaj periudhe, përveç disa veprave letrare e studimore, shkroi vetëm një roman, “Shija e bukës mbrûme” (Romë, 1960), që, si tërësi artistike e ideologjike funksionon mirë, ndërtuar përmes një gjuhe të rëndë, por elektrizuese, në qendër të të cilit janë protagonistë të shtresës së mesme ose të lartë shqiptarësh emigrantë në Amerikë, shumica paraqitur mjaft pozitivisht, patriotë të rryer, që ëndërrojnë çlirimin e Shqipërisë nga ‘kuqalashët’. Nëse e bëjmë, për shembull, një krahasim me personazhet e shtresës së mesme e të lartë të paraqitur mjaft negativisht në “Afërdita përsëri në fshat”, do të vërejmë dallimet e mëdha, të papajtueshme ideologjike mes Spasses e shokëve të tij, që tashmë shkruanin sipas metodës së realizmit socialist dhe Koliqit e ndonjë shoku të tij, që shkruanin në botën e lirë perëndimore, por thelb e dhembje në veprat e tyre e kishin Shqipërinë”, tha gjatë fjalimit të tij ai.

Pastaj, shkrimtari Ibrahim Kadriu foli për “Pozita sociale e shkrimtarit në Kosovë”.

“Tema mbi pozitën sociale të shkrimtarit, konkretisht në Kosovë, vjen si një kërkesë e domosdoshme për shqyrtim më të gjerë, meqë përballja e shkrimtarit me mesin ku jeton dhe vepron, shpesh është në pozitën pa perceptim adekuat në aspektin shoqëror, shpesh është në anën e kundërt të respektimit real, ose më mirë të thuhet shpesh është i lënë në mëshirën e vetvetes, pavarësisht vullnetit të përhershëm për krijimin e vlerave me shpresë se ato vlera do t’i shërbejnë shoqërisë aktuale dhe brezave që vijnë pas. Ky do të ishte një formulim hyrës para obligimit për shtrirje të përmbajtjes e cila, në një mënyrë apo tjetër, do t’i ndihmonte vlerësimit më konkret të pozitës sociale të shkrimtarit në Kosovë. Po të shikohet historikisht në biografitë e shkrimtarëve më të hershëm, shohim se edhe emrat më të njohur të shkrimtarëve kombëtarë, natyrisht edhe të një pjese të shkrimtarëve të huaj, kanë kapërcyer nëpër rrugët e vështira të aktiviteteve letrare dhe të jetës së tyre, duke u përballur shpesh me pamundësinë e gjetjes të mirëkuptimit nga ai rreth shoqëror në mesin e të cilit kanë ofruar vlera konstante që do të ishin dhunti jo vetëm për kohën e krijimit, por edhe për kohën që do të vinte pas tyre. Me këtë rast mund të merren shembuj e shembuj të shkrimtarëve të cilët, në jetën e tyre, kanë ofruar vlera që i kanë mbetur dhuratë historisë dhe kulturës në përgjithësi, jo vetëm të atij populli ku kanë krijuar, por shumë më gjerë, domethënë edhe te popujt tjerë, por që duke qenë materialisht të “lënduar” dhe shoqërisht të anashkaluar, për së gjalli shpirtërisht kanë pësuar. Rasti i Sami Frashrit, fjala vjen, që ishte një erudit dhe krijoi vepra që i mbesin historisë turke, por edhe shqiptare, ai vdiq në mjerim të skajshëm, sepse asnjëherë nuk e pati fatin e respektit shoqëror në përputhje me të arriturat. Përfundimi jetësor i tij ishte fatal, ngase borxhlinjtë (prej të cilëve kishte huazuar mjete edhe për botimin e veprave dhe nuk kishte arritur t’ua kthente me kohë) ia nxorën familjen prej shtëpisë duke i lënë me gjësendet e tyre në oborr të një xhamie. Ky ishte fati tragjik i Sami Frashrit. Por fate të përafërta kishin edhe shkrimtarë të tjerë të kohës, mirëpo me këtë rast kemi të bëjmë me pozitës sociale të shkrimtarëve të Kosovës të cilët, një numër i tyre, kanë vdekur me brengën e të varfrit dhe të pamundësisë për një jetë normale”, tha ai.

Ndërkaq, shkrimtari Qazim Muja kishte zgjedhur të fliste rreth “Përkthimi si lëndë e re e njohurive”.

“Përkthimi si lëndë e re e njohurive do të thotë dy gjëra. Së pari, fakti që, si përvojë dhe operacion ose aktivitet, është bartës i njohurive sui generis për gjuhët, letërsitë, kulturat, rrymat e shkëmbimeve ndërlidhëse dhe kontakteve etj. Kjo njohuri sui generis do të duhej të manifestohet, të artikulohet, t’u kundërvihet formave të tjera të njohurive dhe përvojës që kanë të bëjnë me ato domene. Në këtë kuptim, përkthimi duhet parë më tepër si subjekt, si origjinë dhe si burim i dijes. Së dyti, për t’u shndërruar në dije apo dituri në kuptimin e ngushtë të fjalës, kjo njohuri duhet të marrë një formë të definuar, pothuaj një formë të institucionalizuar dhe të konsoliduar që do t’ia mundësonte zhvillimin në fushën e kërkimit dhe studimit. Kjo është ajo që quhet traduktologji, por edhe “përkthimologji”. Megjithatë, kjo nuk do të thotë, të paktën jo në radhë të parë, që përkthimi të bëhet objekt i ndonjë disipline specifike që merret me një fushë apo domen të veçantë, në masën që as vetë përkthimi nuk është diçka i veçantë. Andaj dhe të flasësh për përkthimin apo traduktplogjinë si shkencë e përkthimit është një temë komplekse dhe e rëndësishme për të cilën ka aq shumë teori, saqë universitete të ndryshme kanë themeluar edhe departamente të veçanta. Prandaj edhe me këtë rast nuk do të flas për gjithë këto çështje. Ndryshe nga temat e tjera, në përkthimin letrar nuk bëhet fjalë vetëm për bërjen e një romani, një poezie, një drame ose një tregimi të kuptueshëm në gjuhë të tjera; përkundrazi, roli i përkthyesit profesionist është që edhe t’i japë jetë një vepre, mbase tani të re, që ruan vulën e një autori specifik”, u shpreh ai.

Të ngjajshme