Virgjil Muçi fiton çmimin Kadare 2018

27 Maj, 2018 - 1:20 pm

Virgjil Muçi është fituesit i çmimit Kadare 2018, i cili jepet çdo vit nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës.

Muçi u vlerësua me veprën në dorëshkrim “Piramida e shpirtrave” me motivacionin “Për mënyrën sesi ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme”.

Virgjil Muçi u lind në Tiranë më 18 gusht 1956. Veprimtaria e tij letrare e artistike është tejet e gjerë dhe e larmishme. Autor i mëse 10 librave që rrokin një krijimtari që zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë dhe, së fundi, edhe në lëmin e kritikës letrare. Kontributi i tij është i ndjeshëm edhe në fushën e përkthimit me rreth 13 tituj nga gjuhë dhe autorë të ndryshëm, si: Sontag, Lindgren, Bukowski, Albahari, Kagan, Edgar, Rothschild, Dickens, Christie, Candito, Salleo etj. Gjithashtu ai është aktiv edhe në shtypin e përditshëm e atë periodik me shkrime kryesisht nga fusha e kulturës./ KultPlus.com

Të ngjajshme