29 Maj, 2018 - 2:00 pm
“Back for Good”, është filmi i zhanrit tragjiko-komik, që është realizuar nga regjisorja Mia Spengler, ndërsa në kastën e aktorëve të këtij filmi gjerman është edhe aktori shqiptar Ilir Rexhepi, shkruan KultPlus.
Në këtë film që luajnë aktorë të njohur të kinematografisë gjermane si: Kim Riedle, Juliane Köhler, Leonie Wesselow, Nicki von Tempelhoff, Robert Gallinowski, Emma Drogunova, aktori shqiptar Rexhepi, do të sjellë personazhin e një menaxheri të sigurimit.
“Back for Good”, do ta ketë premierën sonte në Stuttgart ndërsa nga data 31 maj do të shfaqet në rrjetin e kinemave gjermane, njofton agjencia e lajmeve gjermane “DPA”.
Xhirimet e këtij filmi kishin përfunduar në vitin 2016 ndërkaq ngjarja zhvillohet me protagonisten Angin, një yll të famshëm televiziv e cila për ta vazhduar karrierën e saj vendos të tërhiqet nga përdorimi i drogës. Ajo nuk ka tashmë menaxher, as shoqëri dhe as banesë, prandaj vendosë që për rehabilitim të kthehet në fshatin e saj të lindjes, ku atje jetojnë nëna dhe motra e saj…
Filmi është shfaqur edhe në Berlinale 2017-të, ndërsa ishte i nominuar edhe për filmin më të mirë gjerman 2018-të./ KultPlus.com