1 Qershor, 2018 - 4:28 pm
Alberina Haxhijaj
Hip-hop këngëtarja dhe poetja feministe Akua Naru ishte mbyllja e fuqishme e edicionit të 6-të të FemArt-it.
Atelieja përballë Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sportit mirëpriti këngët më të njohura të kësaj këngëtareje duke përfshirë edhe këngët nga albumi i saj i saj i ri “The Blackest Joy”, shkruan KultPlus.
“A jeni gati që të dëgjoni një performancë nga një grua e mrekullueshme dhe me ngjyrë. Sepse sonte është një grua në mikrofon që po bën muzikë”, i tha ajo publikut me tu ngjitur në skenë. Fakti që ajo e thekson që në fillim se është një grua me ngjyrë dhe që bën muzikë ka të bëjë me misionin që kjo këngëtare i ka vënë vetes, të dëshmojë se këngëtaret me ngjyrë dhe feministe kanë vend në muzikë. Ajo këtë po e dëshmon çdo ditë me koncertet dhe me famën ndërkombëtare.
Reperja dhe poetja, vokalistja dhe kompozitorja Akua Naru e ka bashkuar dashurinë për muzikën dhe për udhëtimet duke dërguar nëpër vende të ndryshme tregimet e saj e që shpesh lidhen me paraardhësit e saj si formë për ti nderuar ata. Pasionin për artin ajo e ka pasur qëkur ishte e re, kur ëndërronte që të bëhej këngëtare.
“Muzika ime është poezi. Kjo natë i takon poezisë. Unë jam thjesht një poete që e shfrytëzon muzikën për të treguar historitë e saj”, i tha ajo publikut që e shoqëroi në këtë udhëtim të saj.
Një publik të cilin ajo asnjëherë nuk e kishte menduar se do ta takonte në Prishtinë. ‘Jeta fsheh surpriza shumë të bukura, gjithçka që duhet të bëjmë është të vazhdojmë përpara pa marrë parasysh pengesat’ – është një tjetër thënie që qëndron thellë në mendjen e artistes.
“Kjo është hera ime e parë dhe është shumë bukur. Më vjen keq që nuk e flas gjuhën shqipe, do të dëshiroja që ta bëja këtë mirëpo besoj që muzika mund të flasë në të gjitha gjuhët… Është shumë bukur të shoh njerëz të cilët bashkohen në një hapësirë të njëjtë dhe ndajnë së bashku po atë hapësirë, në të njëjtën kohë dhe dëgjojnë të njëjtin tingull. Besoj që kështu ne prodhojmë një energji, e cila ka vibrim dhe është shëruese. Meqenëse nuk ju njoh dhe kjo është hera ime e parë këtu dua që edhe unë të dëgjoj tingujt tuaj, dua që të këndoni me mua së bashku dhe të bëhemi një trup i vetëm në këtë sallë” tha ajo.
E publiku i cili shijoi paraqitjen e këngëtares bëri pikërisht këtë. Ata përcollën hapat e saj dhe këndonin këngët e saj.
“Nuk mund ta besoj që nuk jemi takuar më parë e as ta besoj që fjalët të cilat unë i kam shkruar po shqiptohen nga ju. Ju sollët lot në sytë e mi”, tha ajo gjersa publiku këndonte këngët e saj.
“Kompanitë muzikore dëshirojnë që të sjellin përmes muzikës histori të cilat ata i përzgjedhin e që shpeshherë kanë të bëjnë me seksizëm, drogë, konsumerizëm, dhunë. Mendoj se ata e bëjnë këtë që të na mbajnë neve në një nivel ku vetëm mbijetojmë dhe nuk reagojmë ndaj asaj që po ndodhë nëpër botë, të paktën kështu e shoh unë. Ata i përcjellin agjendat e tyre dhe prandaj muzika dhe artistët e pavarur janë shumë të rëndësishëm dhe interneti ka qenë një bekim për artistët të cilët kanë dashur që ti shpërndajnë këto histori”, tha ajo.
Ky koncerti shënoi mbylljen e edicionit të 6-të të Festivalit të Feministeve – FemArt-it. / KultPlus.com