4 Qershor, 2018 - 12:00 pm
Sot më 5 qershor në Prishtinë, hapet edicioni i 20-të jubilar i Panairit të Librit, shkruan KultPlus.
Panairi i cili mbahet nga 5 deri më 10 qershor, në ambientet e Pallatit të Rinisë në kryeqytet, organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Kësisoj, sivjet pritet që në këtë panair të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora ndërsa numri i titujve të rinj sillet rreth 1400-1500.
Në vijim po sjellim të plotë agjendën e Panairit të Librit në Prishtinë, aty ku mysafir special do të jetë shkrimtari francez, François-Henri Désérable i cili vjen në Prishtinë më 7 qershor.
Panairi jubilar, i 20-të, do të mbahet nga 5-10 qershor 2018 në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.
Ceremonia e hapjes do të bëhet më 5 qershor, në orën 18:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës – RTK-së.
Panairi do të mbyllet më 10 qershor, në orën 18:00.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë, nga 9.00-20.00.
Hyrja për vizitorë: Gratis!
Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora.
Numri i titujve të rinj, rreth 1400-1500. Numri i titujve të viteve të fundit, rreth 5000.
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.
Duke qenë panair tashmë me traditë të konsoliduar, dhe në 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare:
– 550-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – VITIT TË SKËNDERBEUT
– 300-vjetori i lindjes së Teodor Kavaliotit
– 200-vjetori i lindjes së Zef Jubanit
– 100-vjetori i lindjes së Tajar Hatipit
– 100-vjetori i lindjes së Vorea Ujkos
– 100-vjetori i lindjes së Spiro Çomorës
– 100-vjetori i lindjes së Pashko Gjeçit
dhe botërore:
– 200-vjetori i lindjes së Turgenjevit
– 100-vjetori i lindjes së Moris Dryonit
– 100-vjetori i lindjes së Solzhenicinit
Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit.
SHBK-ja po ashtu ka paraparë darkën solemne më 7 qershor në hotel Prishtina, ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në:
– Prozë
– Poezi
– Kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë
– Përkthim letrar
– Projektin kapital
si dhe shpallet:
– Shkrimtari i vitit (letërsi shqipe)
– Shkrimtari i vitit (letërsi e huaj)
– Stenda më e vizituar
Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj.
Panairi do të organizojë përurime, debate, paraqitje, dedikime shkrimtarësh:
– Më se 50 aktivitete.
SHOQATA E BOTUESVE TË KOSOVËS