Veseli: Lidhja e Prizrenit humbi betejat ushtarake, por themeloi Vetëdijen Kombëtare Shqiptare

10 Qershor, 2018 - 11:18 am

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në përvjetorin e 140 të Lidhjes së Prizrenit, ka thënë se 140 vite më parë, në Prizren u mblodhën përfaqësuesit e të gjithë trevave shqiptare, mbi supet e të cilëve qëndronte një barrë e madhe.

Ai thotë se ishte kohë e vështirë dhe se Ballkani ishte i trazuar si asnjëherë më parë.

“Perandoria Osmane po jepte shenjat e rënies së pashmangshme. Popujt po zgjoheshin. Evropa po jetonte pranverën e kombeve. Secili kërkonte vendin dhe të drejtat e tij në gjeopolitikën e re që po ndërtohej. Ishte koha që edhe shqiptarët të zgjoheshin, sa më parë që ishte e mundur. Çdo vonesë mund të kishte pasoja të pariparueshme historike, sepse rreziqet ishin të mëdha dhe në qendrat politike të Evropës nuk ekzistonte termi ‘Çështje shqiptare’. Termi ‘Shqipëri’ ekzistonte vetëm si shprehje gjeografike, siç kishte thënë kancelari i hekurt i Gjermanisë së asaj kohe, Oto Von Bismark”, tha Veseli.

Në këto rrethana të rënda, sipas kreut të Kuvendit, burrat e mbledhur në Prizren kishin përpara dy sfida të rënda historike: Të dëshmonin para fuqive evropiane dhe Perandorisë Osmane ekzistencën e kombit shqiptar dhe njëkohësisht të mbronin me çdo kusht të drejtat e tij legjitime politike.

“Të udhëhequr nga diplomacia e Abdyl Frashërit, nga urtësia e Ymer Prizrenit dhe guximi luftarak i Sylejman Vokshit, Lidhja e Prizrenit i arriti qëllimet e saj, ndonëse me pasoja shumë të rënda. Lidhja e Prizrenit i humbi betejat ushtarake me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe me garnizonet e Dervish Pashës që dogjën Kosovën në pranverën e vitit 1881, por ajo arriti një fitore tjetër, shumë herë më të madhe: themeloi Vetëdijen Kombëtare Shqiptare, krijoi standardet e patriotizmit modern shqiptar dhe platformën e programit për çlirim e pavarësi kombëtare. Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912. Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin e vitit 2008. Pa Lidhjen e Prizrenit rrjedha e historisë sonë kombëtare do të ishte krejtësisht ndryshe dhe aspak pozitive për kombin tonë”, deklaroi më tej Veseli.
Kryeparlamentari i Kosovës tha se sot jetojmë në një epokë krejtësisht të ndryshme dhe, sipas tij, si asnjëherë më parë në histori, siguria dhe liria e kombit tonë janë të qëndrueshme, të garantuara dhe të pacenueshme.

“Fuqitë, që në qershorin e vitit 1878 ishin kundërshtarët e të drejtave tona kombëtare, sot janë aleatët tanë më të mirë. Ne jemi gjenerata më fatlume, për faktin se po e bëjmë realitet ëndrrën e madhe të rilindasëve tanë për ta parë kombin tonë pjesë të Evropës. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka bërë përparime të mëdha në drejtim të integrimit evropian, ndërsa Kosova, brenda dekadës së parë të pavarësisë, ka shënuar hapa historikë në konsolidimin e shtetit dhe po punon shumë në agjendën e saj euro-atlantike. E ardhmja jonë është në duart tona. Ne jemi krenarë që jemi pasardhës të burrave të Lidhjes së Prizrenit. Jemi krenarë që ecëm shtigjeve të hapura prej tyre. Krenarë që e vazhduam deri në fitore ëndrrën e tyre”, u shpreh kryetari i Kuvendit.

“Lavdi heronjve të Lidhjes së Prizrenit. Lavdi burrave e grave që në harkun kohor të këtyre 140 viteve bënë gjithçka ishte e mundur që kombi ynë të jetë i lirë dhe sovran në bashkësinë e kombeve të lira e të civilizuara”, përfundoi Veseli./ KultPlus.com

Të ngjajshme