13 Qershor, 2018 - 2:30 pm
Një projektligj i nxjerrë rishtazi nga qeveria Rama ka vendosur në alarm artistët, pasi sipas tyre përcakton shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dhurimin e sipërfaqes tek privati për ndërtimin e kullave.
Nëpërmjet zërave si Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi, komuniteti i artistëve ka paralajmëruar “luftë” me qeverinë. Mbështetja këtë të mërkurë iu ka ardhur atyre edhe nga Presidenti Ilir Meta, me të cilin kanë pasur edhe një takim muaj më parë.
Kreu i Shtetit mbështet kërkesat e artistëve për Teatrin Kombëtar dhe i bën thirrje qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për transparencë e dialog për këtë çështje. Meta gjithashtu apelon për të dëgjuar sugjerimet e komunitetit të artistëve.
“Presidenti i Republikës, bën thirrje për transparencë e dialog për këtë çështje dhe i bën apel Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, të dëgjojnë sugjerimet dhe shqetësimet e komunitetit të artistëve e të dialogojnë në dobi të ruajtjes e promovimit të vlerave e trashëgimisë historike, kulturore e kombëtare”, thotë Meta në mesazhin e tij.