14 Korrik, 2018 - 3:30 pm
Alberina Haxhijaj
Nën majat e thepisura të Bjeshkëve të Nëmura, buzë Lumit Shalë, rikthehet në Theth festivali i parë modern i dedikuar trashëgimisë së Alpeve Shqiptare, shkruan KultPlus.
Festival “Za Fest” këtë verë mbushë dy vite dhe për dy net dhe tre ditë radhazi, më 20, 21 dhe 22 korrik, do risjell në Theth muzikën më të mirë shqip, por këtë radhë duke zgjeruar akoma më shumë diapazonin kulturor.
Mirëpo në qendër të festivalit do vazhdojë të jetë muzika, sfondi i duhur për të shijuar panoramën mahnitëse të Thethit.
Kështu artistët Hasa-Mazzotta, Andrra, Oborri dhe Linda Rukaj do të performojnë live nga Kisha e Thethit, duke sjellë një repertor të pafundmë, ritmesh, notash dhe vokalesh që mund të përthyejnë çfarëdolloj barriere kulturore.
Edhe këtë vit qëllimi është zgjimi i kulturës shqiptare, prandaj ka ndërthurje midis muzikës, gojëdhënave, tregimeve e legjendave. Prandaj, disa nga legjendat më të bukura të zonës do rrëfehen dhe do të performohen nga regjisorja dhe aktorja Ema Andrea.
Mirëpo të gjithë ata që dëshirojnë që të jenë pjesë e këtij festivali këtë vit, duhet që të përgatiten edhe për surpriza të reja.
Të përgatiten për një festival gjithëpërfshirës, i cili kombinon muzikën më të mirë live me shijet tradicionale dhe aktivitetet sportive në natyrën e bukur të Thethit, është shprehur organizatori i festivalit, Vlashent Sata për KultPlus.
“Risia e këtij viti është poezia të cilën do ta kemi. Këtë vit po ashtu do të kemi yoga, meditim, kinema verore në 1 mijë metra lartësi si dhe sigurisht performanca krejt të veçanta që nuk janë bërë më përpara e që janë vetëm më zë dhe instrument”, tregon ai.
Gjatë këtij edicioni, për herë të parë në Za Fest, do të organizohet një panair me ushqimet karakteristike të Thethit, 100% bio dhe të përgatitura me zemër.
Festivali ka nisur si një ide për ta realizuar një koncert në Theth, që do të shërbente edhe për ndonjë mesazh në raport me komunitetin dhe ndërlidhjen e tij me natyrën.
Tani tradita e festivalit po vazhdon fuqishëm duke gërshetuar natyrën e bukur të Thethit më aktivitet të ndryshme.
Këtu mund të veçojmë se instruktoret Rachel Berryman dhe Rowie Geraerts do të jenë në festival për të praktikuar bashkë me pjesëmarrësit yoga, duke e bërë kontaktin me natyrën e Thethit të papërsëritshëm./KultPlus.com