15 Korrik, 2018 - 1:30 pm
Kryeqendra e aktiviteteve me rastin e 110 vjetorit të Ditës së Alfabetit do të jetë Shkupi.
Ngjarjet kryesore parashikohen të zhvendosen këtë vit në Shkup, ndërsa në Manastir manifestimet do të zhvillohen gjatë një javë, ditëve kur ka nisur dhe është mbyllur kongresi, shkruan gazeta KOHA. Në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ku prej disa vitesh kujdesen për organizimin e kësaj date, janë duke bërë gati programin për këtë ditë, që duhet të miratohet nga Qeveria.
Gjasat janë që këtë vit, Parlamenti të jetë një prej destinacioneve ku do të zhvillohen një pjesë e aktiviteteve. Disa muaj më parë, nën patronazhin e kreut të Parlamentit, Talat Xhaferi u ngrit një Këshill i posaçëm, i angazhuar për të hartuar kalendarin e aktiviteteve me të cilat Maqedonia i bashkëngjitet ftesës për shënimet mbarëkombëtare. Ndërsa në Manastir shënimet zgjasin një javë. Nga Muzeu i Alfabetit apelojnë që në përvjetorë të tillë qytetit ku u mbajt Kongresi duhet t’i jepet rëndësia që e meriton.
“Ne jemi duke u përgatitur për të shënuar këtë datë me aktivitete që do të zgjasin nga 12-22 nëntor. Përveç Akademisë solemne, konferencave, do të ketë edhe manifestimeve me karakter artistik, si ekspozita, koloni, koncerte. Gjithsesi mendoj se kjo datë duhet që si pikë kryesore duhet të ketë Manastirin. Viteve të kaluara ishte traditë që vëmendja të përqendrohej në Shkup, por është mirë që Manastiri të mos rrijë në hije. Është e drejtë e shqiptarëve të festojnë në çdo qytet, por manifestimi kryesor duhet të mbahet këtu, në Manastir”, thotë për KOHA, drejtori Nuer Arsllani. Edhe Instituti i Trashëgimisë është pjesë e aktiviteteve për 22 nëntorin, por edhe të Vitit të Gjergjit.
Drejtori i ITSHKSH dhe zëvendëskryetar i Këshillit, Skënder Asani, thotë se instituti është bartës i aktiviteteve që janë zhvilluar deri tani dhe do të vijojnë deri në fund të vitit. Sipas Hasanit, krahasuar me Shqipërinë apo Kosovën, shqiptarët në Maqedoni kanë arritur të kenë aktivitete shumë ambicioze, siç është promovimi i librit për Skënderbeun, Java e Kulturës shqiptare, dokumente të pabotuara për familjet katolike në kuadër të 90 vjetorit të largimit të Nënë Terezës nga Shkupi, e të tjera.
“Në Parlament do të zhvillohet një ceremoni solemne, këtë vit kemi përputhje mes këtij përvjetori, por edhe ngjarjeve të tjera të rëndësishme për ne shqiptarët, si ligji për gjuhën shqipe. ne si Këshill jemi duke vazhduar me realizimin e programit të parashikuar, që deri në fund të vitit do të ketë edhe shumë ngjarje të tjera interesante”, thotë zëvendëskryetari i Këshillit, Asani.
Edhe pse “Viti i Skënderbeut” u shpall si një vit i aktiviteteve mbarëshqiptare, koordinimi mes tre vendeve për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ka qenë i vogël. Në Maqedoni Viti i Gjergjit nisi më 17 janar, me shënimin e përvjetorit të 550 të vdekjes së Skënderbeut dhe promovimin e pullës postare me imazhin e heroit kombëtar./ KultPlus.com