18 Gusht, 2017 - 11:38 am
Festivali “Vera e Ohrit”, i cili këtë vit po zhvillon edicionin e tij të 57-të me radhë, dëshmon se ekzistenca e tij përgjatë gjithë këtyre viteve vjen falë vlera që prezanton dhe traditës së madhe, shkruan KultPlus.
Ohri, qyteti antik me liqenin magjik blu, një qytet me një histori kulturore të shënuar me vlerat e qytetërimit të lashtë, edhe në këtë edicion të festivalit ka mirëpritur artistë të mëdhenj vendor e ndërkombëtarë të cilët me performancat e tyre po mahnitin publikun.
Pjesë e këtij festivali prestigjioz ndërkombëtarë, ku kanë luajtur emra të mëdhenj të jetës muzikore, do të jetë edhe violisti shqiptar Blerim Grubi i cili në këtë koncert do të performojë bashkë me pianisten Marija Vrskova.
Dy instrumentistët do të prezantohen në këtë koncert me vepra të kompozitorëve romantik si F.Schubert dhe R.Shumann.
Koncerti do të mbahet më datë 19 gusht, në ora 20:30 në katedralen “Shën Sofia” në Maqedoni.
Koncerti do të transmetohet live nga organizatori i festivalit në Facebook, live stream në faqen e Ohrid Summer festival, në ora 20:30. / KultPlus.com