19 Korrik, 2018 - 11:30 am
Prestigjiozja “The Times” shkruan se linja luksoze e veshjeve “Burberry” ka shkatërruar në pesë vitet e shkuara produkte që në total kushtonin rreth 90 milionë paund.
Punonjësit e firmës janë shprehur se kjo është bërë për të mbrojtur markën dhe për të ndaluar që produktet e saj të shiten me çmime të ulëta tek njerëzit e ‘gabuar’.
Ndërsa kompania ka deklaruar se “praktika e shkatërrimit të mallit stok është e zakonshme në industrinë e shitjes me pakicë”.
E vlerësuar me 9.6 milionë paund nga “Forbes”, “Burberry” thuhet se përdor inceneratorë për shfrytëzimin e energjisë dhe “The Times” duke u bazuar në këtë informacion, pretendon se kjo kompani e ka marrë çështjen e shpërdorimit shumë seriozisht.
Kjo linjë e veshjesh mbahet si tepër e shtrenjtë, me një pakicë çantash shpine që kushtojnë 950 paund në Lindjen e Largët./ Dita