Tre sekretet e njeriut më të lumtur në botë

19 Korrik, 2018 - 2:15 pm

Matthieu Ricard, një murg budist tibetian 71 vjeçar, konsiderohet njeriu më i lumtur në botë! Ai aktualisht jeton në Nepal, por ka lindur në Francë. Matthieu ishte një intelektual francez me një doktoraturë në gjenetikë molekulare, por hoqi dorë nga studimet për t’u bërë budist dhe humanitar. Ai mori pjesë në një studim të trurit për meditimin dhe empatinë, nga neuroshkencëtari Richard Davidson i Universitetit të Uisconsin. Studimi zgjati 12 vjet. Matthieu kishte 256 sensorë të lidhur në kokë dhe, në sajë të kësaj përvoje, Richard ishte në gjendje të zbulonte se mendja e Matthieu ishte më e relaksuar ndërsa meditonte me dhembshuri.

Në periudhën e këtij meditimi, truri i tij prodhoi një nivel valësh gama (që i referohet vetëdijes, vëmendjes, të mësuarit dhe kujtesës) aq të lartë, që kurrë nuk ishte raportuar më parë. Një zbulim tjetër ishte se aktiviteti në korteksin e tij të majtë prefrontal ishte shumë më i madh se ana e djathtë, gjë që i dha atij një aftësi të madhe për të ndier lumturi dhe një prirje më të ulët ndaj negativitetit.

Ky murg i pabesueshëm e konsideron veten një person vërtet të lumtur dhe meditimi e ndihmon shumë në këtë çështje. Shpesh kalon një ditë të tërë duke medituar, pa u lodhur apo mërzitur. Më poshtë, këshilla e Matthieu Ricard për ata që kërkojnë një jetë vërtet të lumtur:

1. Mjaft u konsiderove qendër e Universit

Sipas Matthieu, është e lodhshme të kalosh të gjitha ditët duke u shqetësuar vetëm për veten. Egoizmi çon në pakënaqësi. Kur fokusohemi në bërjen e gjithçkaje që funksionon vetëm për ne, ne arrijmë të shohim pjesën tjetër të botës si armiq dhe kërcënim për suksesin tonë. Ne jemi të gjithë një. Prandaj, nga dashamirësia dhe dhembshuria për ata që na rrethojnë përfitojnë të gjithë. Kur jemi në një gjendje pozitive të mendjes, ne kemi më shumë gjasa të përcjellim një mesazh të ndriçuar për ata që na rrethojnë, gjë që mund të motivojë një transformim në jetën tonë.

2. Ushtro mendjen përditë

Matthieu beson se një mendje më pozitive është e arritshme për të gjithë ne dhe se brenda nesh ka një potencial për mirësinë. Ne duhet të stërvitim mendjet tona çdo ditë, në mënyrë që çdo ditë të jemi më të përgatitur për të ecur përpara në misionin tonë të lumturisë. Ashtu si një maratonë, ju nuk mund të konkuroni pa qenë i trajnuar për të arritur kilometrat e nevojshme, dhe nuk mund të ndërmarrim hapa të rinj pa e përgatitur mendjen tonë.

3. Kalo 15 minuta në ditë me mendime të lumtura

Dashuria dhe lumturia janë shpesh mendime kalimtare, vetëm një zbavitje derisa mendjet tona mbushen sërish plot shqetësime, dyshime dhe pakënaqësi. Megjithëse ky është standardi në ditët e sotme, kjo nuk është mënyra se si duhet të jenë gjërat. Dashuria dhe lumturia duhet të jenë konstante në mendimet tona dhe në jetën tonë, në përgjithësi. Prandaj, Matthieu na këshillon të mendojmë për emocione pozitive për 15 minuta çdo ditë. Nëse e mbajmë këtë praktikë çdo ditë për dy javë, do të fillojmë të vërejmë rezultate pozitive. Richard e ka praktikuar atë për 50 vjet, nuk është çudi që ai konsiderohet si një nga njerëzit më të lumtur në botë. Kjo praktikë mbështetet tashmë nga shkenca, Richard Davidson në të vërtetë zbuloi se edhe një meditim 20-minutësh në ditë kontribuon në lumturinë e përgjithshme të njerëzve. /bota.al

Të ngjajshme