Sislej Xhafa për protestën që mbahet sot nga UFA: Unë jam vegjetarian, ju dua pa e ditur

24 Korrik, 2018 - 11:40 am

Sarandë Selimi

Sot më 24 korrik, është paralajmëruar protestë para Galerisë Kombëtare të Kosovës nga aktivistët për të drejtat e kafshëve – United for Animals – UFA.

Krejt kjo, ka ardhë pas hapjes së ekspozitës së artistit kosovar të njohur ndërkombëtarisht Sislej Xhafa, i cili në ekspozitën e titulluar “Të dua pa e ditur”, përveç të tjerash ka edhe veprën “Eight Kosovo Cows”, ku në oborrin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, është ndërtuar një ahur në të cilin janë gjithsej tetë lopë që qëndrojnë dhe do të qëndrojnë aty përgjatë 1 muaji, shkruan KultPlus.

Kësisoj, pak orë para se të nisë protesta e thirrur ditë më parë, udhëheqësit e Galerisë Kombëtare të Kosovës, kanë thirrur konferencë për media ku u bë e ditur e gjithë mirëmbajtja e lopëve. Në konferencë të pranishëm ishin drejtoresha e galerisë Arta Agani, përfaqësuesi i Këshillit Drejtues të galerisë Driton Axhami dhe pronari i lopëve Arben Avdiu.

Si fillim Arta Agani, tha se është e dhembshme që detyrohet të diskutojë çështje të cilat sipas saj duhet të jenë të nënkuptuara dhe të bazuara në kredibilitetin e institucionit të cilin ajo drejton dhe MKRS.

“Është e dhembshme që një artist i përmasave botërore, dhe institucioni kryesor për art vizual në Kosovë, vihen në pyetje për çështje teknike, derisa qëndron e hapur një ekspozitë origjinale, gjeniale që në formë shumë unike, i referohet çështjeve të ekzistencës, mbijetesës, migrimit, identitetit të Kosovës dhe historisë së saj”, tha ajo duke vazhduar të thotë se të gjitha ato që janë thënë janë spekulime.

“Sipas disa spekulimeve, ne i paskemi izoluar në një “ahur të improvizuar” dhe po “trajtojmë mizorisht” lopët në GKK, kinse edhe ua paskemi shkelur te drejtat lopëve. Ne kemi qenë maksimalisht transparent gjatë rrjedhës së organizimit të ekspozitës së Sislej Xhafës, “Love you without knowing” dhe qëndrojmë pas çdo veprimi dhe çdo vendimi që është marrë për të realizuar këtë ekspozitë. Askush nuk është dëmtuar e aq më pak kafshët për të cilat, disa individë në emër të mbrojtjes së kafshëve po trumbetojnë se ua kemi shkelur te drejtat”, tha Arta Agani.

Gjatë konferencës fjalën e mori edhe pronari i lopëve Arben Avdiu, i cili tha se lopët janë të fermës, nuk janë lopë të natyrës. Ai theksoi se lopët në GKK, kanë trajtim më të mirë se sa në fermën e tij.

“Unë vetë në shtëpi i mbajë brenda në fermë, po sikur të kishin qenë të natyrës, këto nuk kishin mundur të rrinë brenda. Kushtet i kanë shumë të mira, që të gjitha i kanë, kujdesje kanë 24 orë, që unë në shtëpi time natën nuk rri t’i ruaj, a këtu e kanë përkujdesjen 24 orë”, theksoi Avdiu.

Ndërsa, sa i përket krejt kësaj ‘zhurme’ që është krijuar rreth kësaj ekspozite, vetë artisti Sislej Xhafa është deklaruar vetëm me një fjalë të cilën ia kishte dërguar drejtoreshës së GKK-së, për ta lexuar.

“Unë jam vegjetarian, ju dua pa e ditur”, ka thënë Xhafa.

Ndërkohë, protesta do të mbahet sot më 24 korrik, para Galerisë Kombëtare të Kosovës, me fillim nga ora 16:30.

Në vijim po sjellim të plotë listën me gjërat e detajuara të cilat u servohen lopëve në GKK, e krejt këto, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Bujqësisë:

Sipas rekomandimit nga Ministria e Bujqesise të cilën e kemi marrë me datën 25 Prill 2018, ndërsa e kemi përditësuar dje, për shkak të spekulimeve të lartpërmendura, këto janë kushtet të cilat duhen përmbushur dhe konform të cilave ne e kemi ndërtuar objektin.

Kafshëve gjatë gjithë kohës së ekspozimit u sigurohet ujë i pastër për pirje dhe baza ushqyese për plotësimin e kushteve fiziologjike dhe kërkesave sipas prodhimtarisë: ushqimit voluminoz (sane apo silazhë), ushqimi i koncentruar për kategorinë përkatëse ( psh për lope qumështore apo për majmëri). Uji dhe ushqimit duhet të jenë të mjaftueshëm gjatë gjithë ditës ( ab limitum);

Në rast se janë në fazën e prodhimtarisë së qumështit bëhet mjelja e tyre së paku 2 (dy) here në ditë. Në rast se kafshët janë në fazën e mëmëzimit ( të vogjlit që janë në fazën e thithjes së qumështit) duhet të mos pengohet mëmëzimi;

Hapësira ka shtrojë të thatë që i mundëson qëndrim komod në vend të thatë (pa lagështi). Për shtrojë zakonisht përdoret kashta, ku ne kemi shtruar beton dhe kashtë.

Hapësira është mjaftueshme për qëndrim. Sipas standardeve zooteknike kërkohet që për gjedhe të ketë të paktën 4 m² për krerë në hapësirë të mbyllur dhe 8 metra katrorë në të hapur. Objekti ynë i ka 120 metra katrorë, pjesërisht të mbuluar, që do të thotë se janë 15 metra katrorë për kokë, tri herë më shumë se hapësira e rekomanduar për brenda dhe dy herë më shumë se hapësira e rekomanduar për jashtë.

Hapësira është e ndriçuar mirë, në mungesë të ndriçimit natyral ka ndriçim të mjaftueshëm artificial ( elektrik);
Lagështia është 75-80% maksimum ndërsa temperatura mbahet nën kontroll.

Gjatë ekspozimit kafshët janë nën mbikëqyrje, ku vetë pronari kujdeset për to dhe ka përgjegjësi të plotë.

Largimi i jashtëqitjeve fiziologjike është i rregullt dhe i vazhdueshëm meqë është instaluar kanalizimi me gropë septike.

Rekomandohet që kafshët të jenë në lëvizje së paku 1 orë në ditë, ku ne brenda objektit e kemi hapësirën në të cilën ato mund të lëvizin lirshëm. Po ashtu, pronari ka mundësi që të nxjerrë ato jashtë objektit, kurdo që e ndien të nevojshme./ KultPlus.com

Të ngjajshme