28 Korrik, 2018 - 8:00 pm
Ish-deputeti i PDK’së, Fadil Demaku, ka publikuar në rrjetin social “Facebook” një video të veprimtarit Adem Demaçi në Drenicë, gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Në atë video, Demaçi dëgjohet duke u dhënë këshilla disa prej ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Videoja thuhet të jetë regjistruar gjatë luftës në shtëpi të heroit Rasim Kiçina bashkë me dëshmorët Besim Mala, Sokol Elshani, Pal Palucaj dhe me ish-luftëtarët: Jahir Demaku, Imer Xhemajlaj, Ferid Berisha, Fadil Demaku.
Demaçi i këshillon ish-luftëtarët e UÇK’së që të jenë të qetë, e të largohen nga çdo urrejtje.
“Kur po duhet me luftu, po luftojmë. Kur po duhet me u ndal, po ndalemi. Edhe paqen po mundoheni me forcu, në koftë që Serbia merr vesh që bota është në gjendje me detyru Serbinë, e me ju ndihmu shqiptarëve, jemi të gatshëm meniherë me i lanë armët, e me kap punën”.
“Qysh e di unë Serbia s’mundet me mbledh mend shpejt, me hjek dorë hale prej ambicieve me marr Kosovën, po na jemi të gatshëm. Duhet të punojmë me të gjitha forcat për paqe. Nëse Serbia përsëri fillon ofensivë e luftë kundër nesh, ne duhemi me u mbrojt. Këtë ta mbani mend. T’u largoheni çdo urrejtjeje e shovenizimi dhe ato janë dobësi”.
“Nuk kemi llogari të punojmë punë të këqija si regjimi serb. Duhet të fitojmë me dashuri, vullnet, këmbëngulësi, trimëri, drejtësi se s’kemi kohë me humb. S’kemi kohë me u merr me vetëvetën. Prandaj edhe këtë detyrë që na shpreh historia me luftu për lirinë tonë e pranojmë. Bota ka nevojë për popullin shqiptar, si popull shqiptar”, thoshte Demaçi.