1 Gusht, 2018 - 11:30 am
Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për: “Restaurimin e Rrënojave të Kishës së Shirgjit” në Shkodër, shkruan KultPlus.
Rrënojat e Kishës së Shirgjit ruhen në bregun e majtë të lumit të Bunës. Muret e kishës kanë nisur të ngrihen në shek. VI, në nder të dy martirëve të kishës bizantine, Sergit dhe Bakut. Kisha ka qenë një ndërtesë trenefshe me një arkitekturë tepër të veçantë.
Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje konsoliduese dhe konservuese në muraturën e gurit dhe në afresk.
Kisha e Shirgjit ishte e njohur për martesat që realizonin princërit.
“Historianët pohojnë se kisha ka qenë vendi i preferuar i princërve malazezë e shqiptarë, kryesisht për martesat e tyre. Helena e Rashës, princesha e Bizantit dhe vajza e perandorit latin, Balduin, ka qenë një ndër figurat më të lidhura me Kishën e Shirqit. Pikërisht këtu ajo ka bërë kurorëzimin e saj. Sipas dokumenteve historike, princesha helene në vitin 1290 ka bërë rikonstruksionin e kishës”, shkruan Shkodra.net.
Arkitektura e kishës është tepër e veçantë. Është një përzierje e stilit roman me atë gotik. Sipas historianëve, Kisha e Shirqit ka ruajtur formën e plotë të saj deri para 200 viteve. Që nga ajo kohë ajo është shkatërruar gradualisht. /KultPlus.com