3 Gusht, 2018 - 11:24 pm
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka ndarë mirënjohje këngëtarit Ardian Bujupi për suksesin e para shtatë viteve. Arsyeja e pritjes në zyren e Lladrovcit, dhe ndarjes së mirënjohjes kishte qenë, suksesi i këngëtarit Bujupi, në DSDS (Deutschland Sucht Den Superstar), të mbajtur në vitin 2011.
“Më vjen mirë për suksesin tuaj në vitin 2011 në DSDS (Deutschland Sucht Den Superstar), në të cilin ke kaluar të gjitha fazat dhe keni arritur të hyni në finale dhe të përfundoni në vendin e tretë krahas konkurentëve tjerë gjerman. Më vjen mirë për sukseset tuaja që ke në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Gjithashtu më vjen mirë që një shqiptar i Komunës së Drenasit ka arritur suksese të mëdha si në arenën ndërkombëtare po ashtu edhe atë vendore” është shprehur Lladrovci.
Në komunën e Drenasit, kryetari Ramiz Lladrovci i ndau sot një mirënjohje këngëtarit Ardian Bujupi
Ndërkohë, këngëtari Ardian Bujupi është shprehur i nderuar që ka pasur rastin të pranojë një mirënjohje të tillë nga i pari i Drenasit.
“Po ndihem jashtëzakonisht i nderuar për pritjen që ma keni bërë sot në komunë”, është shprehur ai.
Ndër të tjerash, Ardiani bëri të ditur se kjo ishte edhe hera e parë që atij iu bë një mikpritje e tillë nga një krerë politik.
“Është hera e parë ku u prita zyrtarisht në një institucion dhe më vjen shumë mirë që pritja institucionale më është bërë pikërisht në vendin prej nga edhe e kam prejardhjen”, ka përfunduar Bujupi.