6 Gusht, 2018 - 1:30 pm
Alberina Haxhijaj – Prizren
Mbrëmë në DokuKino përmes dokumentarit të shkurtër “Kurrizi”, të pranishmit u kthyen prapa në kohë për të parë rëndësinë që kishte ky lokacion për shqiptaret në vitet e ’90, si dhe për të zbuluar jetën kulturore që zhvillohej aty, shkruan KultPlus.
Për të përmbushur misionin e sivjetshëm të DokuFest-it, të zbulojmë përmes reflektimit se kush jemi, sigurisht që duhet të gërmojmë edhe të kaluarën dhe ta vëmë atë në pah.
Ndoshta ajo mund edhe të mos na kujtohet dhe të mos jemi të lidhur direkt me disa ngjarje të caktuar të viteve që kemi lënë pas por disa prej tyre kanë lënë aq shumë gjurmë në shoqërinë tonë sa nuk mund të iu shmangesh. E tillë ka qenë edhe historia e “Kurrizit”, për regjisoren Orgesa Arifi.
“Përzgjedhje e ‘Kurrizit’ si memorie kolektive e Kosovës jo vetëm e Prishtinës ka rrjedhur prej dëshirës time që më është ngujuar në nëndije e që gjithmonë më ka bë që më tregu tregime për të cilat shumë pak është fol”, tregon regjisorja Arifi.
‘Kurrizi’, një kompleks banesor dhe afarist në lagjen Dardania u bë një pikëtakim për të rinjtë shqiptar në vitet 1990. Lokalet të cilat u hapen nga shqiptarët bënë që në këtë pjesë të nëndheshme të zhvillohej jeta kulturore e Kosovës dhe jo vetëm kaq, pasi që “Kurrizi” ka një vend të posaçëm edhe social por edhe historik për Prishtinën.
“Kurrizi” u bë vendi ku lindën dhe u krijuan edhe shumë grupe muzikore, të tilla si “Terrori”, grupi që përbëhej vetëm nga femrat e që është përfshirë edhe në dokumentar.
Vendet si “London”, “Venusi”, më vonë “Blues”, “Piramida”, “Papiloni i Bekës”, “Hani i dy Robertëve”, “Bebe”, “Besniki”, “Bekimi i Sahatçisë” , “Gaz Domi”, “Gebo”, ishin vetëm disa nga vendet ku të rinjtë shqiptarë kalonin kohën.
“Fatmirësisht e kam parë pas dokumentarit tim që ka shumë arkiva dhe kjo vlen me u përmend për shkak se shumë pak është diskutuar për ‘Kurrizin’ në televizionet tona”, thekson regjisorja.
Tutje ajo tregon se gjithë ky dokumentar është bërë me qëllim që ‘Kurrizi’ të mos mbetet vetëm në mendjet e njerëzve që kane pasur fatin me e jetu atë periudhë. Ajo mendon që kjo pjesë është një oazë e kulturës së Kosovës, dhe si e tillë duhet që të dokumentohet.
“Kurrizi” u bë një vend ku të rinjtë shfaqni idetë e tyre dhe ndjeheshin pjesë e Evropës, një vend i sigurt ku ata ishin të mbrojtur nga të gjithë, prindërit e tyre, shoqëri por edhe policia. Edhe pse kjo e fundit shpesh herë hynte dhe kontrollonte të gjitha lokalet.
“Racia”, ashtu si quhej policia që e kontrollonte “Kurrizin”, në atë kohë ishin shpeshherë të ashpër dhe shumë njerëz u torturuan nga ta vetëm pse frekuentonin këtë vend. Në mesin e tyre ata që shpeshherë pësonin më shumë ishin studentët që vini nga qytet e tjera jashtë Prishtinës.
Të qëndrosh në Prishtinë derisa ishe i ri, i lindur në një qytet tjetër, nënkuptonte për pushtuesit serb se ti ishe student, student në “Universitetin e Prishtinës” të cilin e kishin mbyllur. Dhe kjo mjaftonte për të torturuar studentë, në kohën kur lindën edhe “Shtëpitë-Shkolla”.
“Protagonistët që i kam zgjedhur janë bërë në atë formë që të kem një barazi gjinore, pastaj profesione të ndryshme pasi që jo vetëm artistët kanë qëndruar aty. Ai vend u ka takuar të gjithëve dhe të gjithë kanë pasur diçka për të ndarë. Siç edhe e vërehet në film kanë pasur shumë gjëra të përbashkët dha kanë qëndruar shumë me njëri-tjetrin. Një union i cili ja vlen me u përmend e pse jo ndoshta edhe me u rikthye”, u shpreh regjisorja Orgesa Arifi.
Nita Luci, Ilir Bajri, Albin Kurti, Jehona Shaqiri, Vjosa Shala, Leart Zeqa, Astrit Salihu, Dritero Nikqi, Adrian Hasimja, Shkumbin Istrefi, Flutura Bekqeli Qena, Sali Shoshi, Nesim Maxhuni, Arben Islami, Bajram Bylykbashi – B.B. Poqi, Dardan Shkreli, Rrustem Geci, Arton Krasniqi, Lumnije Menxhiqi Shehu, Blerta Puka Mulhaxha, Drin Shala, Jeta Rexha, Kaltrina Thaçi, janë njerëzit të cilët kanë kontribuar në këtë dokumentar.
“Kurrizi është realizuar nga Arif Muharremi, Doruntina Basha, Orgesa Arifi, Fatos Mehmeti, Dritëro Mehmetaj, Anyla Berisha, Roland Sylejmani, Pëllumb Ballata dhe Kaltrina Thaçi. /KultPlus.com