6 Gusht, 2018 - 8:30 pm
Drenasi emëron tri rrugë më emrat e personaliteteve të shquara nga Kosova që vdiqën këtë vit.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka marrë vendim që tre rrugë në këtë qytet të emërohen me emrat e personaliteteve nga Kosova që vdiqën ditëve të fundit, Adem Demaçi, Fadil Vokrri dhe Bekim Lumi.
Rruga “Adem Demaçi”, do të jetë rruga që përjetëson dhe lartëson Bacën Adem në qytetin tonë, duke e bërë pjesë të jetës tonë, kujtesës dhe nderimit të përjetshëm për të. Me veprimtarinë e tij patriotike, si asnjë tjetër në historinë tonë, mbi 6 dekada, Baca Adem, ishte ndërgjegjja dhe boshti kurrizor i rezistencës, qëndresës dhe krenarisë tonë, përball okupatorit shekullor. Rruga e tij, u njëjtësua me rrugën e popullit tonë për çlirim, liri dhe barazi. “Rruga Fadil Vokrri”, do të jetë rruga tjetër në komunën tonë që do të nderoj jo vetëm futbollistin me nam, por edhe krenarinë tonë në ndërkombëtarizimin e sportit më të popullarizuar në botë. Ai do të udhëheq me sukses pranimin e përfaqësueses së Kosovës në UEFA dhe FIFA, duke e bërë Kosovën për herë të parë, të barabartë me shtet tjera në botë në gara të futbollit, popullarizimin e sportit dhe armatës së sportdashësve. “Rruga Bekim Lumi”, do të jetë rruga tjetër e propozuar, që do të përjetësojë jetën dhe veprën e Bekim Lumit në skenën teatrore, të regjisë së dramave, të papara ndër ne, duke përcjell mesazhin me cilësi të jashtëzakonshme. Ai, me jetën e tij, veprën dhe personalitetin e tij, bëri që të jetë i paharrueshëm emri i tij, jo vetëm në teatër por edhe si profesor, pedagog dhe personalitet i çmuar i artit që tejkalon kufijtë e kombit tonë”, ka shkruan Lladrovci në Facebook.
Ai ka shtuar se pret që Komisioni të vlerësoj këto propozime, duke emërtuar tri rrugë. Simboli i rezistencën kombëtare Adem Demaçi vdiq me 26 korrik të këtij viti në moshën 82 vjeç. Në anën tjetër ish futbollisti dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri vdiq më 8 qershor të këtij viti në moshën 57 vjeç. Kurse regjisori Bekim Lumi vdiq me 30 korrik po të këtij viti në moshën 51 vjeç pas një beteje dy vjeçare me një sëmundje të rëndë./KultPlus.com