Muzeu i Afisheve në New York, plot thesare interesante

12 Gusht, 2018 - 11:26 pm

Të paktë janë ato muzeume që mund të mburren se kanë 500 mijë artifakte në ekspozim. Muzeu i Afisheve në New York është një prej tyre.

Ky muze u krijua në 1973 nga një koleksionist i apasionuar dhe tani ka katalogun më të madh të afisheve në botë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Olga Loginova ka përgatitur reportazhin.

Vështirë të besohet, por në këtë hapësirë të vogël ka mbi gjysmë milion afishe. Muzeu i Afisheve është në fluks të vazhdueshëm. Çdo gjë këtu mund të shitet. Pronari, Philip Williams është gjithmonë në kërkim të një thesari të ri. Por ai nuk kënaqet lehtë. Muzeu 45-vjeçar ka vepra origjinale nga artistë të njohur si Jules Chéret, Toulouse-Lautrec, Matisse, Chagall dhe Dalí.

“Kjo është nga Chéret, shitja e llambës me vaj që nuk mbante erë dhe lëshonte dritë të bukur. Ky është një punim interesant nga Le Juif Laurent, në fakt kjo është një afishe anti-jezuite,” shpjegon pronari.

Për Philip Williamsin, vendimi për të hapur një muze nuk ishte i lehtë. Dikur ai punonte në ndërtim, por në fund të viteve 1960 e la punën dhe vendosi të bëhej pronar biznesi.

“Kisha mbetur pak a shumë pa para. Bleva të gjitha gjërat që përmbante kati përdhes i një hoteli që po rinovohej. Bleva tre baule me artikuj. Brenda tyre gjeta letra nga vëllezërit Wright”, thotë ai.

“Ato i shita për 1,200 dollarë që ishin goxha para 45 vjet më parë”.

Me këto fonde ai jo vetëm që arriti të ruajë biznesin, por iu dha mundësia të udhëtonte për të gjetur objekte të tjera unike.

“Prej kohësh unë njihem si një ndër blerësit kryesorë të afisheve politike, sidomos atyre ruse. Kam blerë mijëra afishe shumë interesante ruse”.

Gazetarja: “Sa kushtojnë këto?”

“Këtu ke me çmim nga 4 deri në 900 dollarë”.

Afishja më e lirë kushton 20 dollarë, por ka klientë që shpenzojnë mijëra dollarë për një ekzemplar të rrallë. Williams thotë se ia vlen si investim. Pjesa më e madhe e afisheve rriten në vlerë me kalimin e kohës. Williams ka pasur një koleksion me afishe nga artistja Cassandra, që janë shitur me nga 500 mijë dollarë secila.

Alexandra Ortiz ka ardhur për të gjetur një afishe nga vendlindja e saj:

“E zbulova rastësisht këtë dyqan dhe vendosa të shoh nëse ka diçka nga Porto Riko nga vitet 1960, në periudhën e protestave. Më pëlqejnë ngjyrat, formati i shkronjave, dua diçka nga viti kur kam lindur, 1969. Gjeta tre të tilla. Janë shumë të shtrenjta por më pëlqejnë shumë,” thotë klientja.

Në katin përdhes të muzeut fshihen sekrete të tjera. Këtu Williams dhe ekipi i tij restaurojnë afishe të vjetra.

“Ishte copë-copë, por duke përdorur procesin e përshtatjes së ngjyrave i shtuam këtë pjesë që i mungonte. E gjitha kjo i mungonte, po ashtu edhe kjo tjetra,” thonë ekspertët e restaurimit.

Megjithë klientelën besnike dhe artifaktet unike, galeria do të detyrohet të gjejë vend tjetër. Kontrata e qerasë mbaron së shpejti dhe Williams thotë se nuk e përballon çmimin e kontratës së re. Por, ai nuk bëhet pishman. Si pak të tjerë, ai ka pasur fatin e madh të ndjekë karrierën që i donte zemra, shkruan VoA. /KultPlus.com

Të ngjajshme