24 Gusht, 2018 - 8:10 pm
Bregdeti shqiptar i Jonit që përbënte në antikitet trevën e Kaonëve, karakterizohet nga një dendësi vendbanimesh të fortifikuara që datohen që prej periudhës së parë të hekurit.
Në pjesën veriore të këtij bregdeti, që njihet me emrin bregu i Himarës, ndodhet kalaja e Karosit (Kasteli), e cila shtrihet mbi fshatin Qeparo në vendin e quajtur “Gradishta”. Ajo është ngritur mbi një kodër të lartë shkëmbore 450 m mbi nivelin e detit.
Sistemi fortifikues i Karosit përbëhet nga tri radhë muresh dhe nga një mur parapritës. Ai është fortifikimi më i madh prehistorik i Bregdetit dhe muret e tij fortifikojnë një sipërfaqe rreth 3 ha. Planimetria e Karosit është e ngjashme me fortifikimet e Katafiqit dhe Hadërajt në luginën e Shushicës, Lleshanit në Shqipërinë e Mesme dhe Trajanit në Shqipërinë Juglindore.
Gërmimet e vetme në këtë fortifikim janë kryer nga arkeologu Jano Koçi në vitet 1970 dhe 1990.
Teknika e ndërtimit të mureve dhe materiali arkeologjik i dalë nga sondazhet dallohen nga dy faza ndërtimi, ku faza më e hershme është ajo e bronzit të vonë, me dy harqet e parë të fortifikimit, ndërsa harku i tretë i murit i përket periudhës së hekurit të hershëm. Muret janë ndërtuar me rrasa guri të papunuar, të vendosur në mënyrë të rregullt mbi njëri-tjetrin.
Gjithashtu sondazhet e kryera dhe materiali arkeologjik i përftuar prej tyre dëshmon se kodra ku ndodhet fortifikimi është përdorur edhe në shek. IV-III para Krishtit e deri në shek. VI pas Krishtit.
Disa varre të thjeshtë me rrasa guri që u gërmuan pranë vendbanimit i përkasin periudhës mesjetare. Toponimet Kasteli e Gradishta reflektojnë periudhat e ndryshme të ripërdorimit.
Funksioni: Vendbanim prehistorik, monument kulture.
Itinerari: Ndodhet në veri të fshatit Qeparo dhe drejt tij mund të shkohet vetëm me rrugë këmbësore, nëpërmjet shtigjeve apo monopateve që nisin nga fshati. /KultPlus.com