29 Shtator, 2018 - 4:50 pm
Kadër Pagarusha një jetë të tërë ia ka kushtuar pikturës, por vetëm një punim e ka ekspozuar në Kosovë. Aty ku e kishte nisur karrierën me pikturë, aty është duke e jetuar periudhën e pensionimit, gjithashtu me pikturë. “Jetojë me pikturat e mia”, thotë vëllai i madh i Nexhmije Pagarushës.
Gishtërinjtë i kanë marrë ngjyrë të verdhë nga tymi i duhanit që duket se kaherë është pjesë e pandarë e jetës së tij, ndërsa duart që i janë mbushur gjithandej me rrudha i fërkon me njëra-tjetrën për t’i ngrohur sado pak.
Është Ligji për kontrollin e duhanit, ai i cili, këtë mjekërbardhë që është mysafir në Prishtinë – në shtetin e tij, e detyron të struket në skajin e terasës së një kafeneje, mu ashtu siç thoshte Ndre Mjeda më shumë se gjysmë shekulli më parë në poezinë “Dimri” – struku, struku i shkreti plak.
Dhe derisa cigaret i ndezë një pas një dhe duart që i dridhen “dëshmojnë” për vitet që e rëndojnë mbi supe, me zërin e tij të ulët që me vështirësi dëgjohet, ai fillon rrëfimin e tij.
Arti është jeta e tij, dhe jeta e tij është arti.
“Unë kam lindur në Prizren në vitin 1946, pastaj prindërit janë transferuar në Prishtinë, dhe prej asaj kohe jam në Prishtinë”, fillon shkurt rrëfimin piktori Kadër Pagarusha.
Dhe në minutat e para që nis të tregojë për jetën e tij, për peripecitë, vështirësitë dhe segmentet tjera, të cilat shoqërohen me emocionet valë-valë në fytyrën e tij, të bie në mend peshkatari Gregorio Fuentes që para njëqind vjetëve inspiroi shkrimtarin Ernest Hemingway ta shkruaj veprën e famshme “Plaku dhe Deti.
E çfarë do të ndodhte sikur një shkrimtar me ndjeshmëri të lartë ta takonte Pagarushën, dhe sikur t’i kushtohej një roman i tërë? – është pyetja pasuese, që pothuajse ngelet pa përgjigje.
Karriera në Bruksel – Prishtinë – Bruksel
Gjashtëdhjetetetë vjeçi, kurrë në jetën e tij nuk është ndalur së pikturuari. Siç tregon vetë shkollimin fillor e kishte nisur në Prishtinë, ndërkaq, atë të mesëm në Pejë – ku ishte shkolla e vetme e artit në kohën e tij.
“Pastaj e pata përfunduar Shkollën e Lartë Pedagogjike, tani u shpërngula në Bruksel, ku i mbarova studimet. U pata regjistruar në një akademi ku studiova në gjuhën frënge”, tregon ai, duke shtuar se edhe gjuhën serbe dikur e fliste, por atë e ka harruar ngase “gjuha që nuk flitet, harrohet”. I diplomuar në Akademinë e Artit në Bruksel, Pagarusha ishte kthyer në Prishtinë në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar, për të vazhduar jetën, ku kishte gjetur punë si redaktor teknik në Entin për Botimin e Teksteve Shkollore, që vepronte në kuadër të “Rilindjes”, e cila ishte “dritarja” e vetme në Ish-Jugosllavi për shkronjat shqipe.
Por, as në këtë vend pune, dhe as në revistën “Pioneri”, që ishte vendi tjetër i punës së tij, ai nuk e kishte gjetur veten, ndërkaq, pas tre vjetëve sërish ia kishte mësyrë Brukselit – ku jeton edhe sot e kësaj dite.
“Shkova në Bruksel se mendoja që do ta bëjë një karrierë të mirë. Pjesë e familjes sime atëkohë ishte gruaja dhe dy vajzat. Isha me familje, mu patë dashtë të gjeja banesë, të vendosesha. Por, për mua ajo shkuarje ka qenë si ta ndërrojë lagjen”, thotë ai.
Dhe, punësimi i gruas do t’ia lehtësojë paksa jetesën, ndërkaq, vajzat e tij, Aida që atëbotë ishte gjashtë vjeçe dhe Mimoza që ishte katër vjet më e re, do të fillojnë shkollimin.
“Njërën vajzë e kam në Bruksel, e tjetra jeton në një fshat në Belgjikë. Atje e kam edhe djalin që ka lindur në vitin 1986. Atje pastaj e llogarisnim se jemi familje e madhe, kemi tre fëmijë. E tash, që të gjithë kanë krijuar familje, e unë kam nipa e mbesa”, vazhdon ai.
Tregtari i pikturave
Piktori që ka marrë pjesë në shumë ekspozita, por që në Kosovë është prezantuar vetëm në një të tillë, dhe atë si pjesë e një ekspozite ku kishin marrë pjesë edhe shumë piktorë të tjerë, gjithçka në jetë e ka pikturën. Është më i lidhur me artin sesa me vetën e tij.
“Unë jetoj me pikturat e mia”, thotë shkurt ai me një të buzëqeshur të lehtë teksa përgjigjet në pyetjen se me cilin prej fëmijëve jeton.
Piktura si e tillë atij nuk i kishte ofruar mundësi për të bërë një jetë solide, por, edhe puna që kishte bërë nuk kishte qenë larg nga arti.
“Në përgjithësi jam marrë me pikturë, por janë disa gjëra. U dashtë të punoja më shumë sesa të pikturoja. Për tu rimëkëmbë gjatë katër viteve jam marrë me shitblerjen e pikturave të shekullit XVII-të, XVIII-të, IX-të. Kjo ishte në fillim kur shkova, pastaj jam marrë me restaurimin e pikturave, kam qenë në një akademi në Bruksel, edhe vëllai im, por unë pastaj u largova sepse kam pasur përvojë katër vite përpara. Nuk kisha nevojë më tepër të rrija në akademi për restaurim. Restaurimi edhe më ka ndihmuar në njërën anë, por edhe shumë kohë merr ajo punë”, thotë ai.
Më pas, piktori Pagarusha, që tashmë ka tre nipa nga secili fëmijë Antëerpen – Anvers, do të vazhdojë specializimin për pikturë, ku siç thotë ai, ka pasur kushte të mira dhe ku secili student e ka pasur atelienë e tij.
“Edhe ajo përvojë ka qenë shumë e mirë, megjithëse ka qenë vonë, mirëpo më mirë të jesh i angazhuar me diçka sesa të rrish”, thotë ai.
Ekspozita gjithkund, përveç në Kosovë!
Pikturat më të shumta, siç tregon vetë ai, ishin bërë nga motivi që kishte marrë prej zogjve.
”Me anë të shpezëve, apo zogjve unë kam pikturuar qenien njerëzore”, thotë Pagarusha duke treguar se shumëherë ka pikturuar zogj të balsamosur, të cilët, sipas tij, japin edhe mesazhin e amshimit.
Kosovari që jeton në një banesë, ku thotë se e ka një atelie të mirë për punë, aktualisht është i përqendruar në pikturimin e një serie të portreteve.
“Tani për tani jam duke e përgatitur një ekspozitë. Por, nuk është e caktuar tash për tash ende, nuk është bërë kurrfarë kontrate. Ai vend është një atelie e mirë e një personi që unë personalisht nuk e kam takuar ende, është atelie e qeramikës, por muret janë të zbrazëta. Aty do ta hapi ekspozitën, në Bruksel”, thotë ai.
Portreti që me punën e tij e ka përfaqësuar Kosovën në “kryeqytetin” e Bashkimit Evropian, shprehet skeptik se një ditë do ta hap një ekspozitë të tij në Kosovë, pasi, siç thotë ai, ajo nuk varet prej tij.
“Krejt varet si pranohet krejt ajo puna ime, që këtu është e përditshme, e shohim tërë kohën, e kemi përjetuar me shekuj. Nuk besojë se do të ketë një arsye për të hapur një ekspozitë këtu, sepse, ne i shohim këtu përditë ato që i pikturojë unë. Por, nëse më bëhet ftesë nga institucionet sigurisht që do ta hapi. Gjithë atë ekspozitë që e kam pasur në emigrim, e mos të ekspozojë kurrë në vendlindje, diçka nuk është në rregull. Diçka nuk është në rregull”, thotë ai.
Një përvojë interesante kishte pasur dikur piktori Pagarusha. Në Bruksel po qëndronte Albert Heta, që e drejton Galerinë Stacioni.
“Ai më bëri një vizitë dhe pa disa punime dhe e zgjodhi një punim. Në atë punim në vitin 2010 kam pas ekspozitë tek Stacioni, pra me një portret timin, autoportret”, thotë ai.
Vëllai i këngëtares Nexhmije Pagarusha
Nuk është vetëm mbiemri që piktorin kosovar që jeton në Bruksel e lidhë me zonjën që dikur quhej “Bilbili i Kosovës”.Kadër Pagarusha është vëllai i këngëtares Nexhmije Pagarusha. Në Prishtinë nuk vjen shumë shpesh, por kur “duket këndej” asnjëherë nuk e lë pa e vizituar të motrën.
“Ne kemi qenë katër vëllezër e një motër. Unë jam më i vjetri prej vëllezërve. Njëri është në Zvicër, tjetri është në Bruksel, ku jam edhe unë dhe tjetri është në është në Prishtinë, ai nuk largohet nga këtu”, thotë piktori, fëmijët e të cilit nuk janë marrë me pikturë, ndërkohë që njëri prej nipave të tij po ecën mirë në këtë drejtim.
Dashuria për motrën e tij, e bënë atë të flet me emocione për të, përderisa kujton dashurinë e motrës për vëllanë.
“Një kohë të gjatë ka qenë aktive edhe mungesa e saj na mungonte shumë në përgjithësi. Por në anën tjetër, kur na vdiq baba, atë vit ajo ka pasur për të shkuar, ka qenë e thirrur të shkojë në Milano për të studiuar, por nuk u largua, sepse, ajo na ka rritur, na ka shkolluar, është trembëdhjetë vjet më e vjetër se unë”, thotë ai.
Pjesë e familjes Pagarusha dikur ishte edhe kompozitori Rexho Mulliqi. Bashkëshorti i Pagarushës që ishte autori i kryeveprës së saj – Baresha.“Unë e kam dashtë shumë atë njeri, ka qenë gjenial me të vërtetë”, thotë ai, ndërsa beson se këngët më të mira të Pagarushës që i këndonte kur ishte në banesë, siç thotë ai, për fatin e keq, nuk janë incizuar për shkak të rrethanave të kohës, dhe si të tilla janë “zhdukur” pasi janë kënduar nga këngëtarja. “Unë sa herë që vi e takoi Nexhmijen. Më merr shumë malli për të, ajo po jeton e vetme, e ka një banesë, por po ndjehet mirë”, thotë ai./KultPlus.com