Dënohet ish-drejtori i shkollës, i dha diplomë nxënësit ende pa e kryer shkollën

4 Tetor, 2018 - 11:30 pm

Ali Hoxha, ish-drejtori i shkollës së mesme “Selajdin Mullaabazi-Mici” në Rahovec është dënuar sot nga Gjykata e Gjakovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hoxha u dënua me dënim me burg me kusht prej 10 muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda dy viteve i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Prokuroria pretendonte se Ali Hoxha duke qenë në cilësinë e drejtorit të shkollës ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare dhe ka bërë falsifikim të dokumentit.

Sipas aktakuzës, në maj të vitit të kaluar, ish-drejtori Ali Hoxha ia kishte lëshuar dëftesën e klasës së 12-të dhe diplomën për përfundimin e shkollës së mesme nxënësit Q.Sh.

Ndërsa në seancën e sotme, Hoxha para Gjykatës e pranoi fajin për veprat që i ngarkohen.

“Unë kam dashur t’i ndihmoj atij nxënësi, pasi që ka qenë nxënës i rregullt mirëpo ka qenë i përjashtuar nga shkolla”, tha Hoxha.
Prokurori Agron Matjani nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ai kërkoi nga Gjykata që ndaj tij të merren parasysh rrethanat lehtësuese, meqenëse i njëjti tashmë ka dalë në pension.
Aktakuza shpjegon se këto dokumente i ka vërtetuar me vulë zyrtare dhe i ka nënshkruar, duke e ditur se nxënësi Q.Sh, ende nuk e kishte përfunduar shkollën e mesme. /KultPlus.com

Të ngjajshme