7 Tetor, 2018 - 1:00 pm
Zahidja ka qenë bija e Shaban Gecit nga Llausha e Drenicës. Lindi në vitin 1924 Ishte motër e vetme e katër vëllezërve. Familja Geci e Llaushës ka qenë ndër familjet më të shquara të Drenicës, e njohur për besëmbajtje, trimëri dhe rezistencë kundër të gjithë pushtuesve. Zahidja, e cila në moshën 17-vjeçare, u martua me Shaban Jasharin e Prekazit.
Nga kurora e harmonishme martesore e Zahides me Shaban Jasharin, atyre u lindin 14 bij e bija, nga të cilët u rritën dhe u trashëguan: Hava, Rifati, Zyla, Zoja, Hamza, Ademi, Qamilja dhe Halimja.
Në rrethimin e parë të kullës, më 30 dhjetor të vitit 1991, nënë Zahidja u jep zemër bijve.
Në kohën kur bijtë, Hamza dhe Ademi, kishin filluar jetën ilegale, zemra e nënës nuk gjen dot qetësi, por nuk jepet. Djali tjetër, Rifati, ishte tretur në gurbet, në Gjermani.
Më 22 janar të vitit 1997, sapo kishte ngrënë syfyrin me bashkëshortin Shabanin, të birin Hamzën dhe rejat, breshëria e armëve të serbit kishte goditur kullën. Nënë Zahidja, edhe në moshën 74-vjeçare, nuk jepet. Kur burrat luftonin kundër policisë, ajo u jepte kurajo rejave, mbesave dhe nipave të vegjël.
Në orët vendimtare të historisë sonë më të re, që ndodhi në Prekaz të Drenicës, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, nënëmadhja Zahide Jashari, ndodhej në bodrumin e fortifikuar të kullës, vetë e trembëdhjeta, me rejat, mbesat dhe nipat. Edhe pse plakë dhe e kërrusur nga vitet e rënda të jetës, nënë Zahidja iu jepte kurajo të gjithëve, duke mbështetur besimin e saj te “zoti i gjithëfuqishëm”.
Bashkëshorti, Shabani, së bashku me bijtë, po luftonte. Tri ditë ngujuar në bodrum me fëmijët dhe rejat. Ditën e tretë të rrethimit dhe të qëndresës heroike, predha e topit 220 milimetërsh, kishte goditur bodrumin.
Burimi: RadioKosovaeLirë