15 Tetor, 2018 - 4:30 pm
Amsterdam, 15 tetor – Willem Poelstra ishte fjalëpak, por në të njëjtën kohë jashtëzakonisht i lidhur me subjektet e fotografive të tij dokumentare. Ai vdiq në Amsterdam në moshën 62-vjeçare.
Në njërën prej fotografive të opusit të gjerë të fotografit paraqitet një çift i rëndomtë në Kosovë. Personazhet janë të ulur në divan, janë të relaksuar, me këpucët zbathur. Ai është katolik. Gruaja e tij është myslimane. Ata ishin çift para se lufta në Kosovë të acaronte raportet ndërmjet serbëve ortodoksë dhe shqiptarëve myslimanë. Tani që dhuna ka përfunduar, ata ende janë bashkë. Dhe në sytë e Willem Poelstras çifti është simbol i shpresës për të ardhmen. Jo vetëm për kosovarët, por për këdo që është kapur në urrejtje ndaj myslimanëve apo formave të tjera religjioze a fanatizmit politik. Poelstra e ka dëshmuar: dashuria mund ta mposhtë urrejtjen, shkruan Volkskrant, ndërsa këtë e transmeton “Koha Ditore”.
Seria e titulluar “For Hanna, Future Stories from the Past” (Për Hannan, rrëfime të ardhshme nga e kaluara) është ajo në të cilën ka punuar fotografi nga Amsterdami në ditët e fundit të jetës së tij, me shumë disiplinë, kokëfortësi dhe i përkushtuar si gjithmonë. Kjo punë e kishte dërguar atë shpeshherë në Ballkanin e ndarë nga lufta, veçanërisht në Kosovë. Kur u diagnostikua me kancer para disa vjetësh, ai vendosi të udhëtonte në Kosovë për të realizuar një seri të fotografive, para se t’i nënshtrohej trajtimit mjekësor. Rezultatet e para të përpjekjeve të tij ishin parë në festivalin e fotografisë “Breda Photo Festival” më 2012. Kemioterapia dhe rrezatimet që bëri nuk ia shpëtuan jetën, por, megjithatë, ia doli ta kompletonte serinë “For Hanna…” dhe të realizonte ekspozita në kryeqytetin e Kosovës dhe në atë serb. Ai punoi deri në fund të jetës, duke luftuar pandalur me rraskapitjen që ia shkaktonte sëmundja.
Ai ishte i biri i një ndërtuesi lokomotivash për nazistët, në kohën e luftës në Gjermani. Ndërsa e ëma e tij ishte hebraike, dhe shumica e familjes së saj qe vrarë në dhomat e gazit. Ai e kishte zbuluar të kaluarën e prindërve të tij vetëm pasi ata vdiqën. Ai diplomoi më 2005 në “Fotoacademie Poelstra” me projektin që u shpërblye edhe me çmimin “Zilveren Camera”. Me këtë menjëherë mori hov dhe fotografitë e tij nisën të publikoheshin në revistën “Volkskrant Magazine”. Fotografitë e tij janë të drejtpërdrejta, empatike dhe larg sensacioneve. Paraqesin një rrëfim bardhezi për dramat me të cilat ballafaqohen infermieret çdo ditë.
“Unë zhytem në subjektet, për të gjetur gjëra që nuk i di”, kishte thënë ai në një intervistë me gazetaren Karolien Knols të “Volkskrant”. Kjo moto mori kuptim të ri kur më 2011 ai qe ballafaquar me të kaluarën e ashpër të prindërve të tij. Historia e jetës së tyre e formësoi atë që doli të jetë projekti i tij i fundit: lufta dhe paqja në Kosovë. Ai e kishte pyetur veten sesi ka qenë e mundur që e ëma e tij hebraike, Hannah, dhe babai i tij, bashkëpunëtor i nazistëve, kishin mundur t’i tejkalonin kontradiktat e tyre dhe të binin në dashuri pas luftës? Individë të tillë formësojnë simbole për popullsitë e vendeve të shkatërruara nga lufta. Fatet e tyre janë shumë pikëlluese, por edhe shpresëdhënëse. Për këtë arsye ai realizoi fotografi të shumta të ndërtesave të shkatërruara, të monumenteve, varrezave të viktimave dhe portrete të kosovarëve që vajtonin për personat e vdekur apo të zhdukur.
Në fund të verës së vitit 2017, Poelstra festoi për botimin e librit të tij, në një festë private në Amsterdam. Ndryshe prej pritjeve, ai jetoi edhe gati një vit më shumë. Mes të tjerash, e shfrytëzoi këtë kohë për ta realizuar një ekspozitë të madhe në kryeqytetin serb, Beograd, vend ku ultranacionalizmi ende nxitet. Poelstra besonte që mesazhi i tij për pajtim do të kishte efekt afatgjatë.
Një pjesë e madhe e pasurisë që ai ka lënë pas vetes i është dedikuar fondacionit “Forhanna”. Me këtë do të përkrahen fotografët të cilët hulumtojnë projekte të thella./KultPlus.com